“Enigma e Ballukut dhe Dumes”, Haxhi Kroi në ditar: Ju tregoj fjalimin e panjohur të Enverit
“Enveri nuk e dinte që partizanët kishin djegur shtëpinë e Avni Rustemit”
Pjesa e tretë
Vijon nga Pjesa e Parë dhe Pjesa e Dytë
Nga qershori deri në dhjetor të vitit 1974, Enver Hoxha ka drejtuar një fushatë të ethshme për zbulimin dhe eleminimin e grupit armiqësor në ushtri.
Kronologjia e ngjarjeve ka nisur në mbledhjen e Byrosë Politike në muajin korrik, ku kreu i regjimit ka kumtuar për herë të parë akuzat e padëgjuara kundër Beqir Ballukut, asokohe ministër i Mbrojtjes për sabotim të vijës së Partisë në ushtri.
Nga korriku në dhjetor pastaj, Hoxha ka thirrur disa herë forumet e larta të Partisë, për të finalizuar betejën me “gjeneralët tradhtarë”, sipas një skeme të mirë menduar që parashikonte asgjësimin pjesë- pjesë të tyre.
I pari është kryqëzuar Beqir Balluku në Plenumin e V të KQ të verës së atij viti, duke u shkarkuar nga të gjitha funksionet shtetërore e partiake. Pak muaj më vonë, në tetor 74, Byroja Politike, në përgjigje të apelit të kreut të regjimit, ka proceduar me dënimin e bashkëpunëtorëve të tij, dy gjeneralëve të tjerë, Petrit Dume e Hito Çako, të cilët u shpallën po aq fajtor sa ministri i shkarkuar për sabotimin e Tezave të Këshillit të Mbrojtjes që parashikonin strategjinë e sigurisë e të kundërveprimit në rastin e një agresioni ushtarak nga jashtë.
Plenumi i 15 dhe 16 dhjetorit 74, ka larë hesapet përfundimisht me “gjeneralët puçistë” e “tradhtarë”, duke e transferuar akuzën te organet e drejtësisë, të cilat pa më të voglën vështirësi kanë “ligjëruar” pretencën e Hoxhës për t’i kaluar para skuadrës së pushkatimit.
Në ditarin e Haxhi Kroit, kjo histori është hedhur telegrafisht, në formën e kronikave të thjeshta me datat e mbledhjeve dhe tematikat përkatëse, pa u futur në përmbajtjen e çështjeve të shqyrtuara. Çuditërisht, sekretari i Enver Hoxhës, nuk përmend aty asgjë për morinë e fjalimeve e analizave që ky i fundit ka bërë gjatë kësaj kohe për zbulimin dhe asgjësimin e të ashtuquajturit grup puçist.
I vetmi aspekt që të tërheq vëmendjen në kujtimet e sekretarit personal të Enverit, është një shënim i datës 3 shtator 1974, në të cilën flitet për një fjalim të panjohur të Hoxhës për “gjeneralët tradhtarë”. Duke shkruar për të, njeriu diskret i diktatorit, bën të ditur se udhëheqësi kryesor, porsa është kthyer nga pushimet, ka thirrur në zyrën e tij rrethin e ngushtë të ndihmësve dhe u ka dhënë tezat e një materiali, të cilin e ka vlerësuar të një rëndësie të jashtëzakonshme. Janë disa ide për veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut, u ka shpjeguar Hoxha kalemxhinjve të KQ, nuk janë të plota, por i plotësoni, sistemoni mendimet dhe evitoni përsëritjet në mënyrë që të dalë i qartë dhe konçiz.
“Akoma pa filluar nga daktilografimi i materialit “Enigma e Petrit Dumes dhe Hito Çakos”, shkruan Kroi, duke kujtuar rëndësinë e posaçme që kishte, shoku Enver më porositi ta kopjoj me dorën time dhe të mos ia jepja daktilografistes”
Një porosi të tillë, sipas sekretarit personal, pak çaste më vonë ia ka dhënë edhe Nexhmije Hoxha. Kroi nuk sqaron se si u procedua më tej dhe ku e konsumoi shefi i Partisë këtë fjalim sekret, por lë të kuptojë se mbi bazën e tij është ngritur thelbi i akuzës për dënimin kapital të dy gjeneralëve madhor.
Në ngjarjet e tjera që përmend shefi i kabinetit të kreut të regjimit nga kjo periudhë, vëndin kryesor e zë letërkëmbimi i Hoxhës me njerëzit e thjeshtë. Ndër to, zgjon interes ajo e 15 vjeçares, Elida Skënderi, vajzës së shkrimtarit Vehbi Skënderi, të përjashtuar rishtas nga Partia. Në letrën e saj me ankesën për qëndrime jo të drejta të autoriteteve zyrtare, Enveri ka shënuar me dorën e tij “Prap ky Vehbiu u përjashtua nga Partia? Ai është implikuar me elementë antiparti. Si qëndron kjo akuzë që kundërshton vajza e tij 15 vjeçe?”.
Një përgjigje kjo që e ka ngazëllyer tej mase Kroin, për “kujtesën e mrekullueshme, të freskët dhe rinore të shokut Enver”, e cila në optikën e tij mbetet “një pasuri kolosale për Partinë dhe popullin, për marksizëm-leninizmin që po e pasuron për ditë e më shumë në kushtet e Shqipërisë”
“Enveri nuk e dinte që partizanët kishin djegur shtëpinë e Avni Rustemit”
Ka qenë viti 1974, kur për herë të parë Enver Hoxha, ka mësuar se shtëpinë e Avni Rustemit në Libohovë e kanë shkatërruar. Haxhi Kroi, shefi i kabinetit të kreut të regjimit dhe një nga nipërit e “Heroit të Popullit” që bëri bujë me atentatin kundër Esat Pashës në Paris në vitin e largët 1924, duke iu kthyer kësaj ngjarje, në shënimet e datës 22 prill 1974, shkruan: U ktheva nga festimet me rastin e 50 vjetorit të vrasjes së Avni Rustemit dhe i tregova shokut Enver për aktivitetet e kryera në Libohovë. Kur ra fjala dhe mori vesh se shtëpia e Avniut ishte djegur gjatë luftës, sepse në të qëlloi të banonte nipi i tij që qe bërë eksponent i Ballit Kombëtar, tradhtari Qazim Rustemi, (daja i Kroit ky-shënim i red.) shokut Enver i erdhi shumë keq që nuk u ndodh një njeri ta shpëtonte këtë objekt me rëndësi të jashtëzakonshme. Përkundër këtij fakti të panjohur nga kreu i regjimit, që kalon me dy tri fjali, në pjesën tjetër të kujtimeve nga ky përvjetor, sekretari i Hoxhës nuk rresht të sjellë mbresat nga takimet e gostitë me zyrtarët lokal, të cilët, siç pohon, nuk e kanë lënë për asnjë moment të pushojë i qetë.
Sakaq, zyrtari që ka drejtuar 40 vite me radhë kabinetin e diktatorit, duke i referuar zhvillimeve të periudhës prill-maj 1974, pohon se kjo ka qenë koha kur Hoxha ishte mysafir në zyrën e tij në KQ. Madje edhe në rastet e rralla që shfaqej aty, sipas sekretarit personal, qëndronte jo më shumë se dy orë. Problemet me shëndetin pas goditjes në zemër dhe moti i mbrapshtë me stuhi, madje dhe me borë si asnjëherë, shkruan Kroi e detyrojnë shokun Enver që më së shumti ta drejtojë Partinë nga shtëpia.
Në këto kushte, udhëheqësi është vënë jo vetëm në kujdesin e veçantë të shoqes Nexhmije, vëren Kroi, por edhe të liderëve të tjerë të Komitetit Qendror, të cilët bëjnë të pamundurën për të lehtësuar ngarkesën e tij. Me një porosi të Hysni Kapos, që përgjigjet drejtpërdrejt në Byronë Politike për shëndetin e Enverit, këtij të fundit nuk i shkojnë më letrat nga popullit, për të cilat dikur konsumonte orë të tëra në zyrë…/(Vijon…)/Pamfletipetrit dume beqir balluku haxhi kroi fjalimi i panjohur i enver hoxhës
Burimi