“Emocione të papërshkrueshme”, Asllani rrëfen ‘EURO 2024’ dhe çmimin “Shqiponja e Artë: Goli me Interin një ëndërr e bukur
Kristjan Asllani është pritur si mbret në Buti, provincë ku ka kaluar fëmijërinë dhe hodhi hapat e parë si futbollist. Pas përfundimit të aventurës europiane me Shqipërinë dhe disa pushimeve në Greqi, mesfushori kuqezi ka shkuar të takojë miqtë, dhe jo vetëm.
Ai është nderuar nga komuna e Butit me çmimin “Shqiponja e Artë”, që u jepet të gjithë personave që kanë jetuar aty dhe kanë shfaqur me krenari emrin e kësaj krahine në fusha të ndryshme të sportit. Asllani e ka bërë me fanelën e Interit, duke fituar titullin kampion dhe pa mohuar kurrë që aty ka hedhur hapa të rëndësishëm si lojtar dhe në jetë. Gjatë këtyre ditëve ka pasur një organizim dhe pritje madhështore për Asllanin që ka takuar nga afër edhe shumë të rinj, të cilët e shohin si një idhull dhe një ditë duan të luajnë në stadiumet më të rëndësishme të futbollit italian.
Emocionet- Asllani ka folur edhe për mediat lokale, të cilat e kanë transmetuar prezencën e tij në Buti si një ngjarje të veçantë. Mesfushori kuqezi tregon edhe njëherë tjetër emocionet që ndjeu kur shënoi golin e parë me fanelën e Interit dhe krenarinë për të luajtur në një stadium si “San Siro”.
“Ishte realisht shumë emocionuese të shënoja gol përpara 75 mijë tifozëve dhe mbi të gjitha në një ndeshje që po rezultonte e vështirë dhe e bllokuar për skuadrën time. Të dëgjoja brohorimën dhe ulërimën e tifozëve për mbiemrin tim ishte diçka fantastike që nuk do ta harroj gjithë jetën. Imagjinoni se çfarë ndjesie është kur shënon gol edhe për skuadrën e zemrës. Për mua ishte një ndjenjë e dyfishtë. Dua të falënderoj kryebashkiaken që më nderoi me këtë çmim. Unë gjithmonë do ta them me krenari që këtu kam hedhur hapat e parë. Jam shumë i lumtur për të gjithën këtë”, tha fillimisht Asllani.
Më tej Asllani foli për mikpritjen që i bënë në Buti.
“Më pritën shumë mirë realisht. Nuk e prisja që të kishte kaq shumë njerëz për mua. Por unë vij shpesh kur kam pak kohë të lirë. E bëra kur mbaroi Europiani. Pastaj kalova 1 javë pushime me miqtë e mi. Ndihem mirë në Buti sepse jam rritur në këtë ambient”, theksoi mesfushori kuqezi.
Sekretet- Të gjithë janë të interesuar se çfarë fshihet pas ecurisë pozitive të Kristjan Asllanit në karrierë. Për këtë arsye kërkojnë që të mësojnë sekretet e tij.
“Unë them gjithmonë se puna është ajo që të nderon herët a vonë. E rëndësishme është që të mbash të njëjtin mentalitet për të qenë i përulur dhe i respektueshëm me personat e tjerë. Vetëm këto gjëra të ndihmojnë që të bësh rrugë të gjatë në karrierë dhe në jetë”, përfundoi Asllani.
Tani, mesfushori shqiptar do të duhet të rikthehet nën urdhrat e trajnerit Inzagi për fazën përgatitore të Interit dhe për të qenë gati për sezonin e ri.kristjan asllani mesfushori shqiptar
Burimi