Emmanuel Macron, i izoluar në prag të zgjedhjeve të parakohshme, braktiset edhe nga aleatët

Emmanuel Macron, i izoluar në prag të zgjedhjeve të parakohshme, braktiset edhe nga aleatët

 

Emmanuel Macron /

Presidenti francez Emmanuel Macron, po duket gjithnjë e më i izoluar pas vendimit të tij të 9 qershorit për të shpërndarë Asamblenë Kombëtare dhe shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas një disfate të rëndë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Aleatët e vjetër kanë nisur ta braktisin. Më 23 qershor, gjatë një intervistë për kanalin televiziv të lajmeve LCI, Ministri i Brendshëm Gérald Darmanin, la të kuptohet krijimin e një aleance të mundshme politike me ish-kryeministrin Édouard Phillipe. “Unë e njoh Edouard Philippe prej një kohe të gjatë, dhe po mendojmë që së shpejti të krijojmë diçka së bashku. Diçka që ndoshta do të na lejonte të fitonim në zgjedhjet e vitit 2027”- deklaroi ai.

Gerard Dermanin /

Kjo deklaratë vjen pasi Gérald Darman, la të nënkuptohet për një largim të mundshëm nga posti i tij në qeveri pas zgjedhjeve të parakohshme. “Nëse mundem në këto zgjedhje, padyshim që do të jap dorëheqjen që atë mbrëmje. Nëse do të ketë një shumicë, presidenti do të zgjedhë qeverinë e tij. Dhe nëse fiton ultra e majta apo ultra e djathta, është e qartë që nga mëngjesi i së hënës, unë nuk do të jem më Ministër i Brendshëm”- tha Darmanin.
Edhe nëse do të dominojë partia Renaissance (Rilindja) e Macron, ky i fundit mund të mos jetë më në gjendje të mbështetet tek Darmanin, një politikan besnik ndaj tij që nga viti 2017, i cili i ka mbijetuar ndryshimeve të shumta në kabinetin qeveritar. “Presidenti do të vendosë se çfarë të bëjë, por unë nuk do të jem ministër të nesërmen e zgjedhjeve”- shtoi Darmanin.
Dhe ai nuk është i vetmi që distancohet nga Macron. Më 20 qershor, në një intervistë për televizionin  TV5 Monde, Ministri i Ekonomisë Bruno Le Maire sulmoi ashpër këshilltarët e presidentit, të cilët sipas tij kishin ndikuar shumë në vendimin e tij të beftë për shpërndarjen e Asamblesë Kombëtare dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Le Maire i përshkroi në një mënyrë nënçmuese këshilltarët e Presidentit. “Parketet e ministrive dhe pallateve të Republikës janë plot me morra druri”- tha ai. “Ka pasur gjithmonë të tillë. Ata janë pjesë e jetës politike franceze, janë në dyshemetë me parket, në brazdat e dyshemeve. Është shumë e vështirë t’i heqësh qafe. Ndaj më e mira është të mos i dëgjosh fare”- shtoi ai.
Po më 20 qershor, ish-kryeministri dhe aleati i dikurshëm i Macron, Édouard Philippe, kritikoi ashpër vendimin e presidentit për të thirrur zgjedhjet e parakohshme parlamentare. “Ai e mori vendimin krejtësisht i vetëm. Nuk isha unë që u largova nga qeveria, dhe nuk ishin as deputetët që janë pjesë e shumicës qeverisëse, ata që sollën shpërndarjen e parlamentit”- tha ai.
Philippe theksoi se duke vendosur të shpërndante Asamblenë Kombëtare, Macron e kishte “vrarë shumicën presidenciale”. Ai tha se ekziston nevoja akute për të “krijuar një shumicë të re parlamentare, e cila do të funksionojë mbi baza të ndryshme”. Mungesa e popullaritetit të Macron, u vu re edhe në strategjinë elektorale për zgjedhjet e afërta.
Kandidatët e tij nuk e përdorin më imazhin e tij në posterat e fushatës, por përdorin më tepër ato të kryeministrit Gabriel Attal. Ky ndryshim në strategjinë e fushatës, nënvizon rënien e ndjeshme të ndikimit të Macron. Në mesin e fushatës zgjedhore, Attal thuhet se u përball me një qytetar të pakënaqur, i cili i bërtiti i zemëruar:”Duhet t’i thuash presidentit ta mbyllë gojën!”. Thirrja për zgjedhje të parakohshme, shkaktoi  tronditje  në të gjithë politikën franceze. Vetë kreu i shtetit pohoi se zgjedhjet e reja, synojnë t’i japin qartësi peizazhit politik. Deri tani, sondazhet tregojnë se asnjë forcë politike nuk ka një shumicë të qartë në parlament. Të dielën, Emmanuel Macron iu drejtua me një “letër francezëve” përmes medias, duke e argumentuar vendimin e tij për të thirrur zgjedhje të parakohshme.
“Shpërndarja e parlamentit dhe dekretimi i zgjedhjeve të reja, ishte e vetmja zgjedhje e mundshme për të marrë parasysh votën tuaj në zgjedhjet evropiane, dhe për të reaguar ndaj kaosit, por edhe rrëmujës më të madhe që do të vinte”- thekson ndër të tjera ai.
Në letrën e tij, presidenti Macron sulmon hapur Tubimin Kombëtar të së djathtës ekstreme por dhe koalicionin e të majtës, duke kritikuar programet e tyre, dhe duke theksuar se rruga e tij është zgjidhja më e qëndrueshme për Francën. “Rruga e tretë është më e mira për vendin tonë, pasi është e vetmja që mund të garantojë mbrojtje kundër ekstremit të djathtë dhe atij të majtë në raundin e dytë”- shkroi ai.
Sipas sondazhit të fundit të kryer nga kompania Ipsos, më pak se një javë nga raundi i parë partia e presidentit aktual nuk arriti ta kapërcente shifrën 20 për qind. Tubimi Kombëtar është aktualisht i pari me 31 për qind të votave, teksa koalicioni i majtë renditet menjëherë pas tij me 29.5 për qind. Elektorati francez shkon në kutitë e votimit më 30 qershor dhe 7 korrik./Përshtati Pamfleti nga “Brussels Signal”emmanuel macron zgjedhjet e parakohshme aleatët
Burimi