E ardhmja e Kievit midis luftës së gjatë, sulmit në Kursk dhe zgjedhjeve të Perëndimit
Por të flasësh për një “Betejë të Kurskut”, siç bëri Putin për të ringjallur mbështetjen e brendshme, apo siç kanë bërë disa televizione dhe gazeta perëndimore, është më se e ekzagjeruar, madje groteske.
Vovche dhe Prohres. Nuk është e lehtë t’i gjesh në hartë këto dy fshatra të vegjël, gati 50 kilometra në veriperëndim të Donetsk. Të dyja së bashku, ato kanë më pak se 1 mijë banorë. Para shkurtit të vitit 2022, Vovche kishte pak më shumë se 100 banorë. Vlera e tyre strategjike: zero.
Megjithatë, kur trupat ruse i pushtuan këto 2 fshatra pasditen e 29 korrikut, duke asgjësuar atë që kishte mbetur nga dy batalionet ukrainase që i mbronin, Moska e shpalli pushtimin e tyre me një buletin triumfues. Për të qenë të saktë, gjeneralët e Putinit kanë hedhur një hap tjetër të vogël drejt Perëndimit, në marshimin e gjatë drejt qendrës së rëndësishme logjistike, Pokrovsk.
Ky objektiv duhej të ishte arritur javë më parë. Por ofensiva e shpejtë që synonte ta privonte Kievin nga kontrolli i provincës së saj kufitare, u shndërrua në një mori betejash të vogla shtëpi më shtëpi, me përparime thuajse të padukshme, të shpallura nga të dyja palët si fitore të bujshme dhe vendimtare.
Sot një fshat i pushtuar nga rusët, ose një helikopter i rrëzuar nga anti-ajrorët ukrainas. Nesër një vizitë e Volodymyr Zelensky pranë frontit për t’i gëzuar luftëtarët dhe civilët, apo njoftimi emocionues i Kremlinit se e ka dyfishuar bonusin e pagës (në 4300 euro) për ata që rekrutohen dhe shkojnë në front.
Për të fituar apo rifituar një konsensus, çdo mjet vlerësohet si i vlefshëm. Sidomos nëse, siç ndodh në Moskë, përjashtohet mundësia e mobilizimit të mëtejshëm të qytetarëve-ushtarë (në vitin 2022 lajmi për mobilizimin e pjesshëm, solli një eksod të madh të të rinjve) dhe po mbështetet gjithnjë e më shumë tek mercenarët e maskuar si vullnetarë.
Gati gjysmë milioni, sipas vlerësimeve më të besueshme. Por që megjithatë nuk ia ka dalë të ndryshojë përfundimisht ekuilibrat në fushën e betejës. Nga Donbasi në veri e deri në Kherson në jug, dy vjet e gjysmë pas pushtimit, dhe pas disfatës ruse në betejën për Kievin, linjat kanë lëvizur shumë pak.
Në hartë, kjo është thuajse e pamundur të vihet re. Gjithnjë e më shumë, ato po ngjajnë me hartat e vjetra të Luftës së Parë Botërore, ku edhe vetëm pushtimi i disa shtëpive apo i një lugine paguhej me jetën e mijëra ushtarëve. Dhe pastaj gjenerali në detyrë i gëzohej vrullit të trupave të tij.
“Je les grignote”, i thërrmoj pak nga pak, u shpreh në atë kohë francezi Joseph Joffre. Kush e di nëse komandantët rusë mund të citojnë atë një ditë. E sigurt është se ky ngërç i përgjakshëm nuk do të përfundojë nesër. As pas ofensivës së bujshme të befasishme të Ukrainës në rajonin rus Kursk, që nisi të martën e 6 gushtit, dhe që u vlerësua nga mediat vendase dhe ato perëndimore me një eufori të kuptueshme (por të parakohshme).
Sigurisht, rusët u kapën edhe një herë të papërgatitur, duke treguar ngurtësinë e zinxhirit të komandës dhe kontrollit të një ushtrie që shpesh është dukur si një gjigant statik dhe me këmbë prej balte. Dhe suksesi i ditëve të para, ngjalli një entuziazëm të madh në kampin ukrainas dhe panik nga kampin rus.
Por të flasësh për një “Betejë të Kurskut”, siç bëri Putin për të ringjallur mbështetjen e brendshme, apo siç kanë bërë disa televizione dhe gazeta perëndimore, është më se e ekzagjeruar, madje groteske. Beteja e Kurskut në verën e vitit 1943, ishte beteja më e madhe e tankeve në histori, dhe vulosi përfundimisht fatin e Luftës së Dytë Botërore në Frontin Lindor.
Por kjo erdhi me koston e 800 mijë të rinjve të vrarë apo të plagosur. Pas asaj beteje, ajo çka mbeti nga ushtritë gjermane, nisi një tërheqje që do të ndalonte në rrënojat e Berlinit vetëm dy vjet më vonë. Nuk do të ndodhë më diçka e tillë.
Cilado qoftë arritja e kundërsulmit të Kievit, disa qindra të burgosur për t’i përdorur për shkëmbim, kontrolli i një central bërthamor për ta kërcënuar Moskën dhe shkaktuar panik, një territori sado i kufizuar i armikut që pushtohet për prestigj apo për t’i treguar botës se ukrainasit janë ende të aftë për të dëmtuar rusët, nuk do të jenë 2 apo 3 mijë ushtarët, së bashku me disa qindra mjete të blinduara që kanë depërtuar në territorin rus, ata që do të ndryshojnë fatin e këtij konflikti.
Duke shpresuar që rezultati i saj përfundimtar të mos jetë një tjetër ngërç i përgjakshëm. Ukraina nuk ka luksin të humbasë njerëz, dhe as mjete apo municione për të shpërdoruar. Edhe pajisjet e reja që kanë mbërritur (siç janë avionët luftarakë amerikanë F-16) janë të çmuara dhe të pakta, ndaj nuk të kenë një peshë vendimtare në një periudhë afatshkurtër.
Dhe ky është ndoshta aspekti më shqetësues, të cilën perëndimorët, ashtu si edhe spektatorët e pa interesuar, duket se nuk e kuptojnë. Humbjet e mëdha (1 mijë të vdekur dhe të plagosur për çdo ditë luftimesh, sipas një vlerësimi minimal), kanë pak kuptim për udhëheqjen e Kremlinit, i cili e ka vendosur të gjithë besueshmërinë e tij në triumfin dhe rindërtimin e hapësirës perandorake ruse, dhe që tani po bën thirrje për një luftë patriotike, ashtu si Stalini në vitin 1941.
Nga ana tjetër, ukrainasit nuk duken të gatshëm të heqin dorë nga pjesë të shtetit të tyre sovran në emër të një paqeje pashmangshmërisht të lëkundur (apo ndoshta thjesht një armëpushimi), duke pasur parasysh pabesueshmërinë e palës tjetër. “E vështirë, shumë e vështirë!”, deklaroi Zelensky vetëm pak ditë më parë për një gazetar të francezes Le Monde, i cili e pyeti nëse ishte i gatshëm të hiqte dorë nga provincat tashmë të humbura në funksion të negociatave.
Kështu, skenarët që mund të vizatohen për të ardhmen e afërt, sado të paqarta dhe të ndërlikuara, kanë që të gjitha një pikë të përbashkët:lufta nuk do të përfundojë së shpejti, dhe s’ka gjasa që fati i saj të vendoset në fushën e betejës. Ajo do të vazhdojë, mes shumë të panjohurave, asnjëra prej të cilave nuk është shumë ngushëlluese.
Para së gjithash, çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve presidenciale të vjeshtës në Shtetet e Bashkuara? Një fitore e republikanëve, do të nënkuptonte fundin e mbështetjes bujare amerikane për Kievin. Edhe pse shpesh jepen ngadalë, financimi dhe armatimet e administratës Biden kanë qenë thelbësore për t’i dhënë mundësi ukrainasve të mbijetojnë.
Paketa e fundit e ndihmës, me vlerë 2.5 miliardë dollarë, u njoftua vetëm një muaj më parë, por ka pikëpyetje se kur do të mbërrijë në Evropë, nëse Donald Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë në nëntor. Kandidati i tij për zv/president, James David Vance, një ish-ushtar i specializuar në komunikim dhe propagandë, kryeson grupin e atyre që bëjnë thirrje për një shkëputje të shpejtë nga lufta e Ukrainës.
“Mua nuk më intereson absolutisht asgjë për Ukrainën”- deklaroi ai menjëherë pas pushtimit të 2022-shit. The Guardian e quajti nominimin e tij “të keq për Evropën, por shumë të keq për Ukrainën”, dhe jemi ende në fushën e parashikimeve. Kështu, e panjohura e dytë do të jetë vendosmëria e evropianëve për të vazhduar të mbështesin të drejtën e Ukrainës për të ekzistuar si shtet, edhe në mungesë të kontributit të SHBA-së.
Sigurisht, BE-ja nuk ka mbetur në vend në këto dy vite. Përkundrazi. Që nga fillimi i pushtimit, Evropa ka nisur mobilizimin e saj të ngadaltë (dhe të heshtur), por vendimtar drejt një ekonomie lufte. Në Bruksel, janë dëgjuar shpeshherë parulla të tilla si “riarmatim”, “planifikim industrial” dhe madje “autonomi strategjike”.
Edhe pse kjo është një formulë që ushtarakët dhe krerët e qeverive e shqiptojnë me zë të ulët dhe me pak siklet, duke mos dashur të evokojnë fantazmën e një SHBA-je Trumpiane, të gatshme për të braktisur NATO-n dhe aleatët e saj të vjetër.
Por që bota e vjetër duhet të përgatitet për një të ardhme të afërt, në të cilën lufta do të jetë një kërcënim i vazhdueshëm në pragun e saj, kjo është shumë e qartë për udhëheqësit e saj. Një nga të fundit që e deklaroi me autoritet në mars ishte Thierry Breton, komisioneri francez për Tregun e Brendshëm.
Ai theksoi se Komisioni po pajiset me mjetet për të pasur më shumë armë dhe municione, me cilësi më të mirë dhe në kohën më të shkurtër të mundshme. Kjo ka sjellë edhe financimin e prodhimit të deri 2.5 milionë predhave të artilerisë në vit, nga tani deri në vitin 2026, duke e dyfishuar kapacitetin prodhues në krahasim me atë të SHBA-së, dhe duke e barazuar kapacitetin rus.
Evropa po përgatitet për një të ardhme të errët, në të cilën lufta, dhuna dhe rreziqet do të jenë elementë të përditshëm. Mbetet të shihet, dhe kjo është e panjohura kryesore, nëse qytetarët e saj do të jenë po aq të guximshëm. Nëse, pasi ta pranojnë se iluzioni i paqes së dukshme që na dha 1945-a, ka humbur tashmë në fushat e Ukrainës, evropianët do të jenë ende në gjendje që të përfshihen në lojë. Madje edhe të luftojnë, nëse do të jetë e nevojshme, për mbijetesën e demokracive të tyre liberale./Përshtati “Pamfleti” nga “Il Foglio”
Burimi