“Dordolec, rrugaç ordiner”, kujtimet e përkthyesit: Si e kryqëzuan Enver Hoxhën në Mbledhjen e 81 partive në Moskë
Enver Hoxha /
Përtej këtij konteksti historik, Agim Popa njeriu që përktheu fjalën e Enver Hoxhës në sallën Gjovgjeskaja, ka përjetuar nga afër të gjitha detajet e asaj përplasje që do pasonte me divorcin e madh…
“Shqipëria nuk shitet për 30 aspra. Ne dhe bar do të hamë dhe parimet nuk i shkelim”.
Qëndrimi stoik i Enver Hoxhës në mbledhjen e 81 parive në Moskë, për një kohë të gjatë u bë krenaria e komunistëve shqiptarë. Së paku me aq sa përzgjodhi propaganda e kohës nga qëndrimi i delegacionit shqiptar përball Hurshovit, u synua shtimi i radhëve në përballimin e vështirësive vetëm me forcat tona. Përtej këtij konteksti historik, Agim Popa njeriu që përktheu fjalën e Enver Hoxhës në sallën Gjovgjeskaja, ka përjetuar nga afër të gjitha detajet e asaj përplasje që do pasonte me divorcin e madh. Pavarësisht atyre që u konsumuan për opinionin në atë periudhë, në ditarin e tij fshihen mjaft nga historitë e pa treguara të atij momenti historik e dramatik jo vetëm të marrëdhënieve me Kremlinin, por për krejt zhvillimet politike që pasuan.
Marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik papritur filluan të ngrinin, që pas Kongresit XX të PK të BS. Gjithçka më mbrapa u kristalizua pikërisht në konferencën e Partisë së rrethit të Tiranës, në vitin 1956, ku Shqipëria ishte ndoshta nga të vetmet që nuk mbështeti erërat demokratike të atij kongresi. Mbledhja e Bukureshtit, ku PPSh-ja u pozicionua fuqishëm në mbështetje të PK të Kinës, duke kundërshtuar zyrtarisht Hrushovin, krijoi gjendjen tejet të vështirë mes dy vendeve komuniste që kishin filluar një përplasje të paprecedentë. Vizita e Hrushovit në Shqipëri në vitin 1959 ishte një paralajmërim për vetë udhëheqjen më të lartë komuniste të Shqipërisë së asaj kohe, për fatin që e priste shtetin në rast mosnënshtrimi ndaj vijës së përgjithshme komuniste të iniciuar nga BS, ndërkohë që atje u prezantuan dhe favoret që do të kishin në rast pozicionimi pro asaj vije. Të gjitha ngjarjet dhe përplasjet diplomatike mes palëve u finalizuan në Mbledhjen e famshme të 81 Partive Komuniste e Punëtore nga e gjithë bota, ku Enver Hoxha jo vetëm me ashpërsinë që kishte treguar deri atëherë, por me një kokëfortësi të çuditshme paraqiti oponencën e partisë që drejtonte para të gjitha vendeve që pothuajse ishin në të njëjtën koherencë politike. Kjo do të bënte që nga ai moment të priste lumë sharjesh dhe goditjesh deri në diskretitime. Që nga ajo mbledhje filloi distancimi i menjëhershëm mes dy politikave tona, gjë që u konkretizua në mënyrën e menjëhershme dhe në ekonomi. Të gjitha kontratat e nënshkruara me supershtetin sovjetik u ndërprenë absolutisht, ndërkohë që u kthyen menjëherë dhe 1500 studentët që ishin vendosur në akademitë sovjetike.
Unë, dëshmitari i përplasjes së madhe
Në fakt unë nuk kam qenë pjesë e delegacionit zyrtar të Partisë, por kam shkuar me të për të ndjekur punimet e Mbledhjes së 81 partive komuniste, i ngarkuar nga Sekretariati i Komitetit Qëndror. Pjesëmarrja e Shqipërisë në atë kuvënd historik, ka qenë një nga momentet më të vështira që kishte përjetuar së paku deri në atë periudhë udhëheqja e lartë e Partisë së Punës. Deri në çastin e nisjes për në Moskë ishin bërë me dhjetra takime, konsulta e mbledhje të ndryshme me funksionarët më të lartë të KQ. Ishte një situatë që ndiqej e menaxhohej si rrallë ndonjëherë drejtpërdrejt nga Enver Hoxha.
Delegacioni kryesohej nga Enver Hoxha dhe në të bënin pjesë Mehmet Shehu, Hysni Kapo dhe Ramiz Alia. Ndërkaq, bashkë me të shkoi në Moskë një grup këshilltarësh, përkthyesish dhe personeli i shërbimit dhe sigurisë. Unë bëja pjesë në grupin e punës që merrej me përkthimin e materialeve në të cilin bënte pjesë edhe Foto Çami e Frederik Gjerazi. Po kështu bashkë me ne ishin dhe dy këshilltarët e KQ, Mufit Mushi e Haxhi Kroi. Gjatë gjithë kohës të gjithë qëndruam pranë delegacionit dhe vazhdimisht, sidomos në pushime midis seancave mblidheshim e diskutonim bashkërisht për të papriturat nga zhvillimet e mbledhjes dhe debateve që konsumoheshin në të. Në Moskë arritëm në 4 nëntor 60, pra disa ditë para zhvillimit të mbledhjes. Ishte parashikuar që të merrnim pjesë në festimet që do të bëheshin në datën 7 nëntor aty me rastin e ditës së revolucionit proletar. Përgjithësisht deri ditën e ceremonive festive nuk konstatuam ndonjë reagim të veçantë të palës sovjetike. Gjërat rrodhën normalisht dhe jehona e festës me sa dukej kishte fashitur diferencat që ishin shfaqur deri atëherë midis dy partive tona. Sidoqoftë kjo gjendje nuk do vazhdonte gjatë…
Vila shqiptare në kodën “Lenin”
Për delegacionin shqiptar ishte rezervuar një vilë e veçantë në kodrat “Lenin” në periferi të Moskës. Që ditën e parë, të katër pjesëtarët e tij, u vendosën aty. Ndërkaq, ne të tjerët që bënim pjesë në grupin ndihmës, u sistemuam në ambasadën tonë në Moskë. Po delegacioni ynë, nuk do qëndronte gjatë në vilën rezidenciale. Sa filluan përplasjet e para në mbledhjen e partive komuniste, Enveri urdhëroi transferimin e tij në godinën e ambasadës tonë. Situata e ndezur dhe debatet shqiptaro- sovjetike në sallë, e bënte Enverin të mos ndjehej i sigurt në vilën që i kishte rezervuar Hurshovi. Gjithsesi, edhe në ambasadë flitej se ndjeheshim të rrezikuar. Vet Enveri në disa raste na tërhiqte vëmendjen për të qenë syçelët. Mbaj mënd që kur hapnim materialet e diskutonim në mbrëmje për zhvillimet e mbledhjes, ai na i bënte me shenjë për ti mbuluar, gjithnjë. I bindur se godina ishte e pajisur me kamera të fshehta dhe përgjues të ndryshëm. E vetmja mënyrë komunikimi na mbeti dialogu me shkrim midis njëri tjetrit. Pra, atë që duhej ta thonim e shkruanim në një letër dhe ja vinim para syve njëri tjetrit dhe me të njëtën mënyrë merrnim dhe përgjigjen…
Përplasja në sallën ‘Gjovgjeskaja”
Ishim përgatitur që në Tiranë se do të ballafaqoheshim me të papritura të llojeve të ndryshme. Në fakt ato u shfaqën që në fillim të mbledhjes, me vendin e rezervuar për delegacionin tonë, në krahë të podiumit ku do të flisnin diskutantët, të cilët do tundin gishtin mbi kokën e Enverit sa herë do binte fjala për marrëdhëniet me Partinë tonë. Ideja e organizatorëve ishte për të vënë në pozitë tunduese liderët shqiptarë që deri në atë kohë ishin shfaqur të pabindur…Në fakt deri në momentin kur do fliste Enveri kritikat ndaj delegacionit shqiptar ishin të zakonshme e për çështje të parëndësishme. Rrebeshi filloi pas diskutimit të tij…
Reagimi i parë në sallën e mbledhjes së 81 partive u ndje në datën 13 kur diskutoi përfaqësuesi i Partisë Komuniste Kineze. Sidoqoftë gjërat nuk shkuan në kufijë kritike. Situata u acarua më datën 16, kur foli Enveri. Të gjithë fjalën e tij unë dhe Frederik Gjerazi e ndoqëm nga kabina e përkthimit. Enveri fliste në shqip dhe ne e kumtonim për sallën në rusisht. Prej aty ndiqnim reagimin e sallës. Ishte një situatë që pritej. Që kur drejtuesi i seancës bëri prezantimin “Tani fjalën e merr kryetari i Partisë komuniste Shqiptare, shoku Enver Hoxha” u dëgjuan pëshpërimat e para. Sidoqoftë Enveri që me sa dukej e priste këtë, filloi qetë- qetë diskutimin e vet që e kishte përgatitur në Tiranë. Njëherazi me të nisëm edhe ne duke komunikuar në rusisht me delegatët e pranishëm. Menjëherë sa mbaroi fjalën Enveri shkoi e u ul në vëndin e tij në sallë. Të njëjtën gjë bëra dhe unë me Ferdinant Gjerazin. Dolëm nga kabina e përkthimit dhe u vendosëm në karriket prapa delegacionit tonë për të ndjekur rrjedhën e debateve. Tashmë në qëndër të tyre ishte vendosur Enveri. Një stuhi e vërtetë sulmi nisi ndaj tij.
Enveri përballë rrebeshit të kritikave e sharjeve
Mbledhja e Moskës ishte një kuvend i parapërgatitur. Prej saj synohej sanksionimi i vijës anti staliniste. Kjo strategji ishte përpunuar e dirigjohej nga vet Nikida Hurshovi, i cili prej aty do të konturonte një klimë tjetër jo thjesht për BS, por për mbarë vendet e demokracive popullore.
Enver Hoxha dhe pjesa tjetër e liderëve shqiptarë e kishin vlerësuar këtë më herët si devijim nga rruga e revolucionit dhe e marksizëm-leninizmit. Në thelb, kjo ishte vija ku ndaheshin dy opsionet. Nga njëra anë, Hurshovi me satelitët e tij të ashtuquajtur në propagandën e kohës “revizionistë” dhe në anën tjetër Enveri dhe një pakicë e liderëve të vendeve të tjera që nuk lëshonin pe nga rruga e Stalinit. Ishte kjo arsyeja që Hurshovi u vu në krye të reagimeve shpërfillëse e denigruese ndaj Enverit. Xhestet e tij inkurajonin njëri pas tjetërit liderët vasalë, të cilët nuk i rreshtën deri në fund fyerjet e sharjet në adresë të Enverit dhe të partisë së Punës…
Pati shumë të tilla, por në mëndje më kanë mbetur dy prej tyre. Një farë Dolores Ibarruri, kryetarja e delegacionit të PK të Spanjës, teksa u çua pa marrë leje, nuk la gjë pa thënë për Enverin. Arriti deri aty sa deshi të vinte në lojë dhe pamjen fizike të tij, duke i thënë dordolec. Pas saj e mori fjalën me një profil të shpërfytyruar Vladaslov Gomulka i PK të Polonisë, i cili i kujtoi Enverit se ishim aty për çështje të mëdha dhe jo për dokrra si ato të tij. Gomulka me një zë të çjerrë e mbylli reagimin e tij me shprehjen: “Ti Enver nuk fole si udhëheqës partie, por si rrugaç ordiner, si një donkishot që nuk ke për t’u rregulluar kurrë…”/Pamfletimbledhja e 81 partive enver hoxha
Burimi