Ditari Haxhi Kroit: Piro Dodbiba, borgjezi që kishte mohuar nënën e tij
Ish ministri i Bujqësisë, Pirro Dodbiba /
Ndër ngjarjet e tjera që ka regjistruar shefi i kabinetit të kreut të Partisë nga viti i largët 1976, bie në sy fushata për dënimin e dy “ministrave nga Elbasani”, Piro Dodbiba e Thoma Deliana, kryqëzimi i të cilëve përmbyllte “epokën” e eleminimit të liderëve komunist antiparti”…
Pjesa e katërt
Vijon nga Pjesa e Parë, Pjesa e Dytë dhe Pjesa e Tretë
Goditja e Piro Dodbibës, ministrit më jetëgjatë të bujqësisë në regjimin komunist, ka qenë një nga ngjarjet më të bujshme të vitit 1976. Mënyra si e ka dokumentuar këtë histori Haxhi Kroi në ditar, është gati e njëjtë me atë të dramave të tjera të ish liderëve komunist, viktima të fushatës së spastrimeve të viteve 70.
Sidoqoftë, vëren njeriu diskret i Hoxhës, Dodbiba nuk pati deri në fund fatin e armiqve të tjerë në kulturë, ushtri e naftë(!). Gjithçka ka nisur, sipas tij, me porosinë e Enverit për të ngritur në këmbë organizatën e Partisë së Ministrisë së Bujqësisë “për të vënë me shpatulla për muri ministrin borgjez e mëndjemadh”.
Për ditë e javë të tëra vartësit e Dodbibës, nën drejtimin e Mito Bozos, shefit të bujqësisë në KQ, kanë diskutuar deri në mesnatë, për të argumentuar veprimtarinë armiqësore dhe prirjet vetadministruse të tipit jugosllav të ministrit antiparti. Prej këtej, çështja e zbuluar rishtas, ka shkuar në organet drejtuese të Partisë.
Shefi i kabinetit të Enverit, ka hedhur me detaje mbledhjen e Byrosë Politike, që ka finalizuar goditjen ndaj ministrit antiparti.
“Udhëheqja, shkruan Kroi duke iu referuar mbledhjes së Byrosë Politike të 24 prillit 1976, i bëri thirrje Pirro Dodbibës të reflektonte për gabimet, por ai bëri një “autokritikë” të shpëlarë sa për të kaluar radhën. Ky ish borgjez, megjithëse në Parti për mbi 30 vite, prapë ka mbetur i tillë, një borgjez mendjemadh, po Partia i çori maskën duke i treguar vendin si gjithë armiqve të tjerë”. Në zemëratë e sipër shefi i kabinetit të Hoxhës, që nuk përmend asgjë konkrete nga shkeljet e “ministrit borgjez”, por vetëm perifrazimet steriotipe të dëgjuara për viktimën e radhës në zyrën e shefit të tij, nuk harron t’i kujtojë “investimin” e jashtëzakonshëm që ka bërë Partia për të. Madje ky është momenti, ku Kroi i shquar “për devotshmëri si askush ndaj Njëshit të Partisë”, shpërthen në urrejtje ndaj njeriut që vetëm pak kohë më parë e ka vlerësuar me konsideratat më të larta. “Haram i qoftë kujdesi i shokut Enver, i drejtohet Dodbibës, haram i qoftë kujdesi i njerëzve të Partisë që gjatë luftës çlirimtare e strehuan, e ushqyen dhe i lanë morrat sa e sa herë”.
Në monologun kundër “ministrit bukëshkalë”, “truri” i kabinetit të Hoxhës, sjell edhe një detaj tjetër që aty për aty të duket i pabesueshëm, por gjithsesi interesant.
“Ky njeri borgjez, shkruan Kroi për Dodbibën, nuk i shkoi nënës asnjëherë në shtëpi sa ishte gjallë”. Ajo që ndodhi pas kësaj me ministrin e martirizuar në mbledhjen e Byrosë Politike, nuk përfshihet në ditar, po Kroi diku në shënimet e tij, bën të ditur se bashkë me familjen u internua në Llakatund të Vlorës, në një nga ato dhjetëra kampe internimi që regjimi rezervonte për armiqtë e klasës…
“Agim Merua, kulish i rrezikshëm i Todi Lubonjës”
Fjalimet e Enver Hoxhës në kongreset e Partisë, që mblidheshin çdo pesë vite, vlerësoheshin shtyllat kryesore të zhvillimeve politike të regjimit komunist. Përtej asaj që konsumohej me butafori për jehonën e tyre, ditari i Haxhi Kroit ka memorizuar pjesët e padukshme të këtyre “momenteve historike” me rrethanat e panjohura në të cilat udhëheqësi i Partisë operonte për të hedhur në letër projeksionet e reja të zhvillimit të vendit. Deri në Kongresin e VII, ajo që shqiptarët kanë parë me zë dhe figurë ka qenë pamje direkt e kumtimit të Hoxhës në kuvendet e Partisë, një ritual ky që ka vijuar deri në Kongresin e vitit 1976.
Në ditarin e Kroit, konfirmohet për herë të parë fakti që fjalimi i Enverit i konsumuar aty ka qenë i incizuar, por nga mënyra si është realizuar në sallë, nuk është kuptuar nga askush. Pa dashur të merret shumë me këtë gjest aktrimi të shefit të tij, sekretari personal i kreut të regjimit, përmend në ditar kushtet e vështira për përgatitjen e Kongresit të VII dhe veçanërisht peripecitë e shumta për realizimin e raportit të Hoxhës, për incizimin e së cilit janë dashur ditë e javë të tëra. Ndër ngjarjet e tjera që ka regjistruar shefi i kabinetit të kreut të Partisë nga viti i largët 1976, bie në sy fushata për dënimin e dy “ministrave nga Elbasani”, Piro Dodbiba e Thoma Deliana, kryqëzimi i të cilëve përmbyllte “epokën” e eleminimit të liderëve komunist antiparti”, që kishte nisur në fillimin e vite 70 me grupin e kulturës dhe kishte vijuar me atë të ushtrisë dhe sabotatorëve në ekonomi dhe naftë. Nga kronika e Plenumit të Partisë të korrikut 1976, thirrur enkas për këtë çështje, Kroi, ndërsa i referohet raportit kryesor të mbajtur nga Hekuran Isai, veçon “qëndrimin parimor” të udhëheqjes së partisë ndaj veprimtarisë “armiqësore”, “revizioniste” e “kapitulluese”, të ministrit të Bujqësisë dhe atij të arsimit.
“Bashkë me ta, shkruan sekretari i Hoxhës, u përjashtua nga Partia edhe Agim Merua, një tip mëndjemadh e antiparti nga më të ndyrët, kulish i rrezikshëm i armiqve dhe Todi Lubonjës…”(Vijon…)/Pamfletipiro dodbiba haxhi kroi ministri borgjez
Burimi