Dhjetëra gomone drejt Anglisë/ Të dielën e kaluan La Manshin 700 emigrantë, dy u mbytën, 50 u shpëtuan

Dhjetëra gomone drejt Anglisë/ Të dielën e kaluan La Manshin 700 emigrantë, dy u mbytën, 50 u shpëtuan

Sipas shifrave zyrtare të Home Office, Ministrisë së Brendshme dhe Emigracionit, më shumë se 700 emigrantë kanë kaluar këtë të diel në ngushticën e La Manshit nga Franca drejt brigjeve angleze me gomone.

Ndërkohë në orët e para të së hënës për shkak të një avarie në një nga gomonet me 50 veta që po tentonte të kalonte ngushticën me trafikun detar nga më të lartët në botë, 2 prej emigrantëve kanë humbur jetën, ndërkohë të tjerët janë shpëtuar nga rojet bregdetare franceze dhe angleze, për ç’ka ka nisur edhe një hetim për incidentin.
Kalimet ilegale tashmë e kanë kaluar shifrën e 18 mijë vetëve dhe ajo që po vihet re së fundmi është se ka një shtim më të madh të shqiptarëve nëpër gomonet që mbërrijnë në Britani nga Franca.
Mendohet se disa janë arsyet e shtimit të kalimeve ilegale dhe të rrezikshme. Një faktor është moti i mirë dhe i ngrohtë në ngushticë kohët e fundit, i cili pritet të jetë i qëndrueshëm edhe për pak kohë. Por edhe fakti që qeveria e re laburiste hodhi poshtë planin e dërgimit të azilkërkuesve në Ruanda nga qeveria konservatore që humbi zgjedhjet si dhe një qasje më pak agresive nga laburistët kundrejt emigrantëve, interpretohet si shkak.
Mosefektiviteti edhe i përpjekjeve nga autoritetet franceze të cilat kanë marrë nga Londra rreth 1 miliardë stërlina ndër vite për t’i frenuar gomonet, mund të jetë një arsye e dukshme.
Edhe pse nuk ka një plan të qartë nga qeveria e re e Sir Keir Starmer se çdo bëhet me emigrantët që vazhdojnë të vijnë, edhe pse në protestat masive paqësore në Londër dhe gjetkë, në pankarta dhe parulla emigrantët janë të mirëpritur në Britani, këto valë mbërritjesh ndër vite, ishin shkaku i trazirave të grupeve të ekstremit të djathtë të cilat janë shuar, këto katër- pesë ditët e fundit.
 
Burimi