Deputetët e PS bëjnë gati valixhet pas mesazhit të Ramës/ Felaj: Mandati jo i përjetshëm, t’u hapim rrugën të rinjve
Deputetja socialiste Ermonela Felaj ka folur lidhur me zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Ermonela Felaj është në listën e hapur të socialistëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, teksa shprehet se nuk ndihet e rrezikuar. Sipas saj, mandati nuk është i përjetshëm, edhe pse është një privilegj që pak vetëve u jepet në jetë.
“Që prej 2009 jam pjesë e politikës aktive, ka qenë përballje e hapur. Unë këtë eksperiencë mund të ndaj me ju edhe në 2021 ku kandidova në Tiranë ku nuk kisha punuar më herët dhe nuk kisha rekorde të punës së deputetit dhe ia dola. Më e rëndësishme se të kujdesemi se çfarë emër do lëmë deri në fund, është se çfarë emri gëzojmë në një moment të dhënë. Nuk shoh arsye për të pasur frikë nga çdo lloj ballafaqimi në territor. Hartimi i listave nuk është kaq i thjeshtë e formal. Kam bindjen se gjithsekush që ka rekorde pune e respekti e integriteti nuk ka asnjë arsye ta ndjejë veten të trembur. Askush nuk është i përjetshëm. Ky është një privilegj që pak vetëve u jepet në jetë. Nëse e mbush me punë të mira shumë mirë, kjo do të ishte maksimalja, sesa të shënuarit në një bordero si i zgjedhur i një partie”, u shpreh deputetja e PS.
Lista dhe formula e re sipas Felajt, bëhet me qëllim maksimizimin e fitores së socialistëve, të cilët kërkojnë një mandat të katërt qeverisës, por edhe për harmonizimin e forcave sipas nevojave. Felaj thekson se duhet t’u jepet mundësia edhe të rinjve për riienergjizimin e partisë.
“Nuk është lëvizje surprizë, në konsensusin për reformën zgjedhore u akuzuam se duam të sigurojmë një listë deputetësh duke siguruar trashëgimi politike. Kjo është një sfidë edhe për kundërshtarin dhe nuk ka arsye që të tërhiqemi nga një formulë që përdor sistemi. Një arsye kryesore është që PS kërkon mandatin e katërt dhe kjo nuk është e thjeshtë. Kërkon rinovim të forcave ne nuk i kemi ndezur motorët tani dhe ky rienergjizim përfshin edhe pjesën drejtuese të PS. Unë jam bërë aktive në 2009 dhe në atë kohë PS ndërroi 40% të anëtarëve dhe nuk e shoh me paragjykim këtë pjesë se do ishte ironike dhe hipokrite nga ana ime, se unë vetëm jam produkt i një rinovimi. Duhet t’u jepet mundësia edhe të rinjve. Listat e formula e lejon harmonizimin sipas nevojave. Sistemin dhe hartimin e listave duhet ta bësh në mënyrë të tillë që të maksimizosh fitoren. Në 2021 drejtuesit politikë u renditën në fund të listës dhe ideja ishte që të energjizonin pjesën e parë të listës për të marrë më shumë vota”, tha deputetja e PS për “A2 CNN”.
Burimi