‘Çmenduri’ në Tiranë, pasi u përplasën me makinë dy të rinjtë marrin peng 22-vjeçarin
Një 18-vjeçar dhe një 35-vjeçar janë arrestuar në Tiranë, pasi morën me forcë një 22-vjeçar dhe i hoqën lirinë duke e mbajtur në automjet. Në pranga ranë Ardit Cara dhe Arjan Dukaj.
Ngjarja ndodhi pas një konflikti të çastit për një përplasje automjetesh. Dy autorët kanë marrë me forcë të riun në makinë dhe e kanë kanosur duke i kërkuar para.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas njoftimit se 2 shtetas kishin marrë me forcë, në automjet, një 22-vjeçar, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen dhe vënien e autorëve të dyshuar përpara përgjegjësisë ligjore. Si rezultat i veprimeve të shpejta të specialistëve për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, janë identifikuar, kapur dhe arrestuar autorët e dyshuar, shtetasit:
– A. C., 18 vjeç, dhe A. D., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Kanosja”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas, pas një konflikti të çastit për një përplasje automjetesh, kanë marrë me forcë në automjet shtetasin E. G., 22 vjeç, duke i hequr lirinë atij, si dhe e kanë kanosur për dhënie pasurie”, njofton policia.
Burimi