Çfarë do të duhet që Joe Biden të largohet nga gara?

Çfarë do të duhet që Joe Biden të largohet nga gara?

Ka ende kohë që demokratët të gjejnë dikë tjetër që mund të marrë mantelin e kandidatit dhe të shmangë një katastrofë të mundshme në zgjedhjet që po afrojnë.

Në shkurtin e vitit 2023, isha jashtë godinës ku mbahej Takimi Dimëror i Komitetit Demokratik Kombëtar (DKK) duke shpërndarë fletushka. Ishte një ditë e ndritshme plot me diell në qendër të qytetit të Filadelfias, por shumë e ftohtë. Brenda 10 minutash m’u shpinë këmbët dhe duart.
Bashkë me një grusht vullnetarësh të tjerë, isha atje për të përhapur një mesazh jopopullor: që Joe Biden, që në atë kohë po shkonte drejt riemërimit si kandidat nga partia e tij, të mos kërkonte një mandat tjetër në zgjedhjet e vitit 2024. Në fletushkat tona vumë në dukje mangësitë kryesore të Biden në mandatin e tij të parë, dhe se si ato do të ndikonin në kandidimin e tij vitin e ardhshëm.
Theksuam se mungesa e arritjeve e kishte dëmtuar reputacionin e tij, sidomos në shtetet kyçe e i dhanë fitoren në zgjedhjet e 2020-ës, përfshirë segmente si të rinjtë, njerëzit me ngjyrë dhe aktivistë të bazës. Po ashtu, nënvizuam popullaritetin e tij në rënie brenda partisë, dhe faktin që shumë demokratë kishin deklaruar tashmë se ata preferonin një kandidat tjetër në zgjedhjet e këtij viti.
Ne iu lutëm anëtarëve të DKK që të merrnin seriozisht kërcënimin akut që përbënte për demokracinë e vendit tonë një mandat i dytë Trump, dhe të reflektonin me kujdes nëse Joe Biden ishte po aq i mirë-pozicionuar për të mposhtur Trumpin sa kishte qenë në vitin 2020.
Dhe si reaguan anëtarët e DKK, stafi dhe gazetarët ndaj shfaqjes së hapur të mospajtimit ndaj Biden? Shumica na injoruan, disa të tjerë na tallën, teksa një ose dy prej tyre u përballën me inat me grupin tonë. Kur pranuan pa dëshirë të na dëgjonin, mediat amerikane donin të dinin se nëse qëndrimi ynë mbështetej vërtet nga shumica e demokratëve, atëherë pse askush nga brenda partisë nuk ishte dakord me ne.
Shumica e gazetarëve amerikanë me të cilët fola atë fundjavë, m’u afruan me një përzierje habie dhe talljeje elegante. Asnjë nga intervistat tona nuk u transmetua në mbulimin që i bënë Takimit Dimëror të DKK-së. Ndërkohë, media ndërkombëtare donte të fliste me ne për fushatën tonë.
Ata bënë pyetje të zgjuara, të cilat nxorën në pah përshtypjet e tyre të sinqerta mbi pasigurinë e pozicionit të Joe Biden. Ndërkohë, diçka e habitshme ndodhi atë fundjavë. Pjesëmarrësit në mbledhje nisën të na afroheshin, shumica duke parë me kujdes majtas dhe djathtas se mos i shihte dikush, për të shprehur dakordësinë e tyre me pozicionin tonë.
“Kush është tjetër me ju?”- na pyesnin. Më pas gazetarët më thanë se anëtarët e DKK-së, madje edhe disa kongresmenë demokratë kishin shprehur privatisht shqetësimet e tyre për kandidaturën e Biden, por asnjë nuk ishte i gatshëm ta shprehte publikisht këtë gjë.
Një anëtar i DKK-së m’u afrua dhe më tha se ishte plotësisht dakord me ne, por shtoi se nuk kishte asnjë mënyrë për të ndryshuar qasjen e partisë në këtë fazë të vonë (edhe pse në atë kohë zgjedhjet ishin ende gati 2 vite larg). Nën sipërfaqen e një mbledhjeje partie në dukje të qetë, kishte një ankth të dukshëm, por askush nuk ishte i gatshëm të fliste me zë të lartë.
Sot fushata “Step Aside Joe” (Tërhiq Joe) nuk është më pakicë. Që prej paraqitjes katastrofike të Biden në debatin televiziv të 28 qershorit përballë Donald Trump, ajo që ishte një diskutim i gjatë nën zë, ka kaluar në një kor zërash në rritje, nga i gjithë spektri politik, që mendojnë se Biden i ka kaluar “data e skadencës”.
Natyrisht, ka ende kohë që demokratët të gjejnë dikë tjetër që mund të marrë mantelin e kandidatit dhe të shmangë një katastrofë të mundshme në zgjedhjet që po afrojnë. Por kjo do të kërkojë një përpjekje të përbashkët nga votuesit, liderët e partive, të zgjedhurit dhe figurat e medias për t’i bërë presion Biden që t’i japë fund fushatës së tij.
Asgjë nuk mund të ndodhë nëse vetë Biden nuk pranon ta braktisë garën. Për ata që janë të rinj në terrenin e lëvizjes “Step Aside Joe”, do të doja të ofroj disa të dhëna të shpejta të mbledhura nga përvoja ime. Së pari, në mesin e anëtarëve të partisë ka shumë më tepër ankth mbi këtë çështje sesa është raportuar nga media.
Mbrëmja e të enjtes së shkuar, nuk ishte fillimi i një periudhe shqetësimi për ata që e kanë ndjekur nga afër fushatën e rizgjedhjes së Biden. Përkundrazi, ishte momenti kulmor kur u vërtetuan të gjitha frikërat dhe ankthet e tyre më të këqija. Ato po konkretizoheshin në formën e një paraqitjeje shumë të keqe në një debat publik me kundërshtarin.
Mjerisht, në politikën elektorale moderne, të jesh i izoluar do të thotë të jesh në prag të zhdukjes nga skena. Ndaj thuajse asnjë demokrat që synon të kandidojë për t’u rizgjedhur gjatë viteve të ardhshme, nuk ka luksin të shprehë publikisht dyshimet e tij për kandidaturën e Joe Biden. Megjithatë, nëse disa të zgjedhur të guximshëm në pozita të spikatura do të vendosin që të flasin hapur, unë supozoj se gjërat do të ndryshojnë shumë shpejt.
Së dyti, gazetarët kanë shfaqur prej kohësh shqetësime për kandidaturën e Biden, duke iu referuar edhe burimeve të brendshme nga Partia Demokratike. Kjo gjendje vazhdon të paktën që nga Takimi Dimëror i shkurtit 2023, por unë dyshoj se daton shumë më herët se kaq.
Por këto burime mundohen të qëndrojnë plotësisht anonime ose të heshtura, gjë që do të thotë se media ka shumë pak ushqim për të gjeneruar një histori bindëse. Por siç e pamë mëngjesin e së premtes, vëllimi i madh i mesazheve plot ankth që vinin nga burime brenda makinerisë elektorale së Partisë Demokratike, mjaftoi që mediat kryesore të deklaronin më në fund se dëshira që Biden të tërhiqet nga gara është shumë e përhapur brenda partisë.
Në javët e ardhshme, kampi i Biden do të dëshirojë të zbehë shqetësimet e vazhdueshme në lidhje me paraqitjen e tij shumë të dobët në debatin televiziv me Trump, dhe të vazhdojë duke i bërë gjërat si zakonisht. Do të jetë në dorën e gazetarëve që ta mbajnë gjallë ose jo këtë histori, edhe nëse kjo u kushton atyre qasjen tek burimet e tyre brenda Shtëpisë së Bardhë.
Së fundi, mund të jetë tepër i madh hendeku midis Partisë Demokratike dhe zgjedhësve të saj. Ndaj ajo duhet t’ua bëjë të ditur të ditur këtë përfaqësuesve të tyre. Tek e fundit anëtarët e Kongresit u besojnë zgjedhësve të tyre, megjithëse ky fakt harrohet shpeshherë lehtë.
Një presion i mjaftueshëm nga votuesit në qarqe, mund të ndihmojë që këta të zgjedhur të marrin një qasje më të ashpër ndaj atyre në udhëheqjen e partisë që duan t’i qëndrojnë kursit aktual me presidentin në detyrë. Ne s’duhet të përplasemi të shkujdesur me “ajsbergun” që po afrohet.
Përkundrazi, vetë votuesit duhet të ndërmarrin hapa aktivë për ta larguar Partinë Demokratike nga pasojat e vendimmarrjes së saj të keqe. Nuk ka gjasa që vetë partia të korrigjojë kursin aktual. Nuk është e tepruar të thuhet se zëvendësimi i Joe Biden si kandidat brenda muajit korrik, është jetik për të shpëtuar demokracinë tonë shumë të papërsosur.
Kjo është një mundësi edhe për aktivistët dhe votuesit që të bëjnë të dëgjohet zëri i tyre. Por është një përpjekje që duhet të bëhet shpejt dhe me urgjencë, në rast se duam vërtet të shmangim katastrofën e ardhshme.
Shëmim: Sam Rosenthal është drejtor politik në “RootsAction”./ Përshtati “Pamfleti”, Nga “Eurasia Riview”.
Burimi