Censi fut në sherr Tiranën me Shkupin, qeveria maqedonase thërret ambasadorin e saj; akuza për manipulim të shifrave
Ministria e Punës dhe Tregtisë së Jashtme në Maqedoninë e Veriut pretendon se shifrat janë manipuluar…
Censi i popullsisë i zhvilluar në vendin tonë ka futur në sherr qeverinë shqiptare me atë maqedonase. Sipas të dhënave të publikuara dje, pakica maqedonase thuajse është zhdukur.
Numri i minoritarëve maqedonas në Shqipëri është 2281, ndërkohë që në vitin 2011 ky numër ishte 5512. Shkupi pretendon se shumë prej tyre janë kërcënuar të deklarohen si bullgarë, pasi numri i këtyre të fundit është rritur ndjeshëm në 7957.
Këto shifrat kanë sjellë sot një reagim zyrtar të qeverisë maqedonase, e cila ka thirrur ambasadorin e saj në vendin tonë për sqarime. Ministria e Punës dhe Tregtisë së Jashtme në Maqedoninë e Veriut pretendon se shifrat janë manipuluar.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut vëren me shqetësim serioz rezultatet paraprake të regjistrimit të popullsisë në Republikën e Shqipërisë. Parregullsitë teknike në mënyrën e zbatimit të tij, të cilat janë vënë në dukje vazhdimisht nga shoqatat maqedonase në Republikën e Shqipërisë në prag të regjistrimit, por edhe gjatë zbatimit të tij, janë kofirmuar në publikimin e të dhënave. Të cilat fatkeqësisht, nuk pasqyrojnë në mënyrë adekuate numrin real të maqedonasve etnikë në vend”, thekson ministria maqedonase.
Gjithashtu, gjatë shpalljes së djeshme të rezultateve të regjistrimit të popullsisë në Shqipëri, përfaqësuesi i ambasadës së Maqedonisë së Veriut u largua nga prezantimi, sepse nuk i pëlqeu termi “maqedonas të veriut”. Kjo evidentohet dhe te deklarata e ministrisë.
“Po ashtu, Ministria shpreh pakënaqësi dhe reagon ashpër për përdorimin e termit “maqedonas verior” dhe përdorimin e emrit të një vendi si zëvendësim për një bashkësi etnike. Ministria do ta thërrasë ambasadorin Danço Markovski për konsultime urgjente me qëllim të sqarimit të mangësive dhe mospërputhjeve në këtë proces, duke shqyrtuar mundësitë për korrigjimin e të dhënave dhe gjetjen e mënyrave më adekuate për avancimin e marrëdhënieve bilaterale”, thekson Shkupi zyrtar.
Në fund thuhet se të gjitha çështjet e hapura ndërmjet dy shteteve fqinje duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe mirëkuptimit të ndërsjellë dhe respektimit të rregullave, parimeve dhe vlerave të rendit juridik ndërkombëtar. /Pamfleti
Burimi