Ç’ duhet të presim nga lidershipi i ri i Bashkimit Evropian?!
Krerët e BE
Von der Leyen nuk duhet të festojë ende, pasi përballet me një votim të vështirë konfirmimi në Parlamenti Evropian: arritjen e numrit magjik 361 vota.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian ranë dakord të enjten të paraqesin kandidaturën e Ursula Von der Leyen për një mandat të dytë si presidente e Komisionit Evropian. Ky vendim erdhi pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në fillim të këtij muaji, ku koalicioni i saj të madh i qendrës së djathtë, i ruajti pozitat si i parë, dhe teksa edhe e djathta ekstreme mori shumë vota.
Nga ana tjetër u dakordësuan mbi caktimin e ish-kryeministrit portugez António Costa si presidenti i ri i Këshillit Evropian dhe kryeministres së Estonisë, Kaja Kallas, në postin e krye-diplomatit të BE-së. Ekspertët tanë, shpjegojnë se çfarë pritet t’i sjellë secili bllokut:
Ursula von der Leyen, një shenjë e mirëpritur e stabilitetit, por miratimi në PE nuk është i sigurt
Emërimi i Von der Leyen për një mandat të dytë në krye të Komisionit Evropian, është një sinjal shumë i nevojshëm për stabilitetin, pas tronditjes që shkaktoi rezultati i zgjedhjeve evropiane në fillim të qershorit. Pavarësisht shumë spekulimeve nga mediat për të kundërtën, ky emërim nuk është dhe aq i papritur.
Parisi dhe Berlini, të cilët mund të ishin përpjekur ta bllokonin kandidaturën e Von der Leyen, po vuajnë pasojat e krizave të tyre të brendshme pas zgjedhjeve evropiane. Në rastin e presidentit francez Emmanuel Macron, këto zgjedhje sollën humbjen e kapitalit politik për të ndikuar seriozisht në vendimmarrjen e BE-së.
Të gjithë i kishin sytë tek Roma, për të parë se çfarë mund të bënte kryeministrja italiane Giorgia Meloni si një nga fituesit e paktë midis liderëve kryesorë të BE-së nga votimet e 6-9 qershorit. Por momenti i Melonit nuk duket se është materializuar ende, pasi familja e saj politike u përjashtua nga negociatat për postet kryesore të BE-së nga garda e vjetër e tradicionalistëve pro-BE nga krahët e qendrës së djathtë, të qendrës së majtë dhe liberalët.
Megjithatë, Von der Leyen nuk duhet të festojë ende, pasi përballet me një votim të vështirë konfirmimi në Parlamenti Evropian: arritjen e numrit magjik 361 vota. Në vitin 2019, mori vetëm një shumicë të vogël për mandatin e saj të parë. Tani gjerat janë edhe më të vështira.
Von der Leyen do të ketë nevojë për të gjitha aftësitë e saj politike për të krijuar një shumicë të re në një legjislaturë që përfshin një koalicion kryesor shumë të reduktuar dhe më pak të besueshëm në krahun e saj, me disa kundërshtarë të vjetër dhe më shumë rivalë të rinj.
Pastaj janë kritikët e djathtë, të cilët ndihen të inkurajuar nga rezultet që arritën këtë herë në zgjedhje dhe që janë të zemëruar nga përjashtimi nga procesi i emërimit të saj. Dy opsionet – duke shtuar grupin politik të Melonit në të djathtë apo të Gjelbrit në të majtë në koalicionin pro-BE të qendrës – janë reciprokisht përjashtuese, pasi asnjëra nuk dëshiron të jetë pjesë e një blloku që përfshin edhe tjetrën.
Gjithsesi Von der Leyen ka ende më shumë gjasa të vazhdojë se sa jo në këtë detyrë. Ajo ka aftësinë dhe përvojën për të hartuar një axhendë politikash fituese. Shumë njerëz në koalicionin e saj ekzistues, mund të mos duan të rrezikojnë t’i shtojnë një krizë tjetër politike krizës aktuale.
Edhe për shumë në Uashington, një mandat i dytë për von der Leyen do të ishte i mirëpritur. Ajo dhe BE luajtën një rol të rëndësishëm në narrativën e presidentit amerikan Joe Biden “Amerika u rikthye” për ri-konfirmimin e aleancave kryesore.
Ajo dhe ekipi i saj, ndihmuan jo vetëm në mbajtjen e Evropës të bashkuar për sanksionet dhe diversifikimin e furnizimeve me energji përballë pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, por udhëhoqën përpjekjet që dërguan ndihma ushtarake për Kievin. Më e rëndësishmja:Von Der Leyen nisi të ndërtojë një axhendë të sigurisë ekonomike dhe një “kuti mjetesh” për BE-në, e cila krijoi një konvergjencë shumë më të madhe me Shtetet e Bashkuara për atë që ka vërtet rëndësi për Uashingtonin:konkurrencën strategjike afatgjatë me Kinën.
Një administratë e dytë e Donald Trump, mund t’i vërë sërish në provë të gjitha aftësitë politike dhe fleksibilitetin e von der Leyen për të qenë si “negociatorja e ashpër” në emër të BE-së, siç e lavdëroi Trump kur u takuan për herë të parë në vitin 2020, por edhe të ndërtojë një raport deri diku të njëjtë me atë që ka pasur me Biden.- Jörn Fleck, drejtor i Qendrës për Evropën në Atlantic Council.
António Costa: Negociator shumë i aftë, por dha dorëheqjen si kryeministër pas një hetimi për korrupsion
Costa është një zgjedhje e sigurt dhe e zgjuar për të mbajtur postin e presidentit të Këshillit Evropian, duke pasuar Charles Michel. Costa, që ka qenë kryeministër i Portugalisë në vitet 2015-2024, pritet të jetë një ndërtues më vetëmohues i konsensusit, në kontrast me Michel, i cili ka zemëruar shpesh liderët me vetë-promovimin e tij.
Costa është një negociator mjeshtëror, i cili shkëlqen në arritjen e marrëveshjeve në prapaskenë. Ai bëri bujë kur formoi një koalicion të përbashkët të partive të krahut të majtë (geringonça, në portugalisht) për të qeverisur fillimisht në vitin 2015. Dhe ishte po aq i aftë në arritjen e marrëveshjeve me opozitën në postin e kryeministrit.
Këto aftësi do t’i shërbejnë shumë mirë Kostës si president i Këshillit Evropian, pasi do t’i duhet të merret me 27 personalitetet dhe prioritetet e krerëve të shteteve të BE-së për të çuar përpara politikat, veçanërisht duke pasur parasysh atë që pritet të jetë një axhendë e guximshme e komisionit të ri.
Costa sjell qasjen e socialistëve të qendës të majtë dhe të Evropës Jugore. Ai fitoi këtë post përballë kryeministres daneze Mette Frederiksen, pavarësisht një hetimi të vazhdueshëm në Portugali që përfshin akuzat për korrupsion brenda ish-rrethit të tij të brendshëm, gjë që e detyroi të jepte dorëheqjen.
Fakti që BE-ja zgjodhi Costa-n si president i ardhshëm i Këshillit, tregon se blloku është i kënaqur me statusin e hetimit në vazhdim, një hetim në të cilin Kosta nuk është akuzuar zyrtarisht. Ai pritet të ketë një marrëdhënie të fortë pune me Von der Leyen në mandatin e saj të dytë si presidente e Komisionit Evropian, por edhe i respektuar nga udhëheqësit e tjerë kombëtarë si Macron. Por për të qenë efektiv në rolin e tij të ri, ai duhet të mbajë një qëndrim më të ashpër në çështjet e mbrojtjes dhe migracionit, fusha që nuk ishin pikat e tij të forta gjatë qeverisjes së Portugalisë. – Andrew Bernard, kolonel në pension i Forcave Ajrore të SHBA-së, bashkëpunëtor i Atlantic Council.
Kaja Kallas: Shefja e parë e politikës së jashtme të BE-së nga lindja, që mban një qëndrim shumë të ashpër kundër Rusisë
Nëse Kallas do të konfirmohet si përfaqësuese e lartë për çështjet e jashtme dhe politikën e sigurisë, kjo do të jetë hera e parë që një udhëheqës nga Evropa Lindore do të marrë postin më të lartë diplomatik të BE-së. Ndërsa ky është një moment historik për bllokun, emërimi i saj është shqetësues për disa aleatë.
Kallas, një nga “skifterët’ më të vendosur të BE-së në kundërvënien ndaj Rusisë, ka qenë një nga zërat kryesorë në mbështetjen e Ukrainës me ndihmë ushtarake dhe financiare, dhe në shtimin e sanksioneve kundër Rusisë. Madhe në Rusi ajo është një “person i kërkuar” për shkak të përpjekjes për të hequr monumentet e Luftës së Dytë Botërore të epokës sovjetike në Estoni, akt që Kremlini e cilëson si “përdhosje të kujtesës historike”.
Qëndrimi tejet kritik i Kallas ndaj Rusisë, ka bërë që disa liderë të shqetësohen se dhënia e këtij posti, mund të shihet si tepër provokuese nga Moska. Ndërkohë Kallas është përballur me vështirësi edhe në vend. Vlerësimi i punës së saj në mesin e estonezëve ra në 16 për qind në fillim të këtij viti, pasi u publikua lajmi se burri i saj ka aksione në një kompani logjistike që vazhdoi të punonte në Rusi edhe pas pushtimit të saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.
Po ashtu, diplomatët e BE-së e akuzuan qeverinë e Kallas për rimbursimin e pajisjeve të dërguara në Ukrainë, një akuzë të cilën ajo e ka hedhur poshtë. Por në përgjithësi, me reputacionin e saj si një udhëheqëse pragmatike, Kallas është një zgjedhje e mirë për shefen e diplomacisë së Brukseli. Edhe pse do ta ketë jo pak të vështirë për të siguruar që BE-ja të shihet si një autoritet i respektuar në rajone si Lindja e Mesme dhe Jugu Global.- Rachel Rizzo, anëtare e Qendrës për Evropën në “Atlantic Council”.
/Përshtati “Pamfleti” nga “Atlantic Council”
Burimi