Bibloteka Kombëtare pa emër(!) Debati i panjohur në zyrën e Ramiz Alisë për emrin “Fan Noli”

Bibloteka Kombëtare pa emër(!) Debati i panjohur në zyrën e Ramiz Alisë për emrin “Fan Noli”

 

‘Në prapaskenë ishte Nexhmije Hoxha që refuzonte me qëllimin e fshehur se mos emri i Nolit i bënte hije figurës së Enverit”, shkruan në kujtimet e tij Profesor Agim Popa, asokohe Drejtor i Marrëdhënieve me Jashtë në KQ të Partisë…

Bibloteka Kombëtare është i vetmi istitucion shtetëror që nuk ka emër, ndërkohë që nuk ka rrugicë, shkollë, çerdhe, fabrikë a punishte, madje deri në skajin më të largët që nuk mban një të tillë. Përtej këtij fakti të njohur publikisht, pak kush e di pse mbeti pa emër qëndra më e rëndësishme kulturore në vend. Në dokumentat e kohës flitet se aty nga vitet 70 një grup akademikësh propozuan të merrte emrin e Nolit, por nuk ka të dhëna të tjera çfarë ndodhi me kërkesën e tyre. Shumëkush nga firmëtarët e atij propozimi e hamëndëson hezitimin për ta pagëzuar me emrin e ndritur të gjeniut të letrave shqiptare, me rezervat që kishte regjimi për figurën e tij.
Në fakt, sjellja e dyzuar e propagandës komuniste ndaj profilit dhe kontributeve të Fan Nolit, ka qënë një demonstrim përmanent. E promovonte për vlerat atdhetare e kulturore dhe njëherazi impononte indiferentizmin për kontributet e shquara politike të tij. Pavarësisht studimeve të pjesshme për veprën e Nolit, institucionet shtetërore të asaj periudhe, u munduan të përzgjedhin nga krijimtaria e tij fragmente të shkëputura si poemën “Anës Lumenjve” etj.
Fan Noli, shkrimtari, oratori, themeluesi i Kishës Ortodokse Shqiptare, ish-kryeministri i Shqipërisë në vitin 1924,  ka kaluar mes sitave tepër të imta të vlerësimit të krerëve të shtetit komunist shqiptar. Përkundër asaj pjese që i jepej popullit si ushqim për këtë figurë, pjesa tjetër, ajo që mbetej e panjohur, apo në rastin më të mirë e pëshpëritur, ka nxitur herë pas herë elementët e propagandës komuniste, të frenonin që në embrion çdo lloj tentative për të promovuar apo ndriçuar më shumë se ishte paracaktuar gjeninë e shqiptarit të madh.
Në ditarin e Agim Popës, drejtorit të Drejtorisë së Jashtme në Komitetin Qendror të Partisë së Punës, tema e vlerësimit të Fan Nolit zë një kapitull të veçantë. Aty Popa zbardh për herë të parë disa incidente të panjohura, që nisnin pikërisht pasi dikush guxonte apo tentonte, që të shtoheshin vlerësimet ndaj figurës së Fan Nolit. Pikërisht në këtë kohë, sipas tij, ndërhynin për të frenuar gjithçka, njerëzit më të afërt të Enverit, Ramiz Alia e Nexhmije Hoxha, të cilët për vetë pozicionin që mbanin përcaktonin si të thuash “Kodin e sjelljes” me figura të tilla të rralla të historisë së Shqipërisë. Profesor Popa zbulon për herë të parë mënyrën si këta dy bashkëpunëtorë të afërt të diktatorit kanë rrëzuar idenë që Biblioteka Kombëtare të merrte emrin e Nolit, ndërkohë që më parë kanë kundërshtuar idenë tjetër që një shtëpi në Durrës të kthehej në një muze për shqiptarin e madh… 
Debati me Nexhmije Hoxhën
Është e vërtetë që me Nexhmije Hoxhën kemi shkëmbyer mendime të ndryshme për figurën e Fan Nolit. Rasti i parë ka lidhje me kundërshtimin e saj për të shpallur shtëpi muze një banesë në qytetin e Durrësit, ku Noli kishte jetuar disa kohë. U diskutua ky propozim në një takim të Foto Çamit, ish-sekretar i KQ për problemet e propagandës me grupin konsultativ të krijuar enkas për këto çështje. Unë nuk bëja pjesë në të, se kisha rënë nga fiku, por më aktivizonte Xhelil Gjoni e Alfred Uçi.
Në fillim foli Sofokli Lazri, i cili për hir të së vërtetës u shpreh se figura e madhe e Fan Nolit meriton shumë më tepër se një shtëpi muze. Sakaq u çua Nexhmije Hoxha. “Kemi të bëjmë me një problem delikat dhe do t’ju lutesha të mos ngutemi”, tha ajo duke shfaqur rezervat e saj për propozimin e komisionit, që kishte të bënte me nderimin e Nolit. Këto ishin argumentat e Nexhmijes. Më mirë me thënë argumente pa argumente. Fan Noli, tha ajo në shpjegimet e veta, u pajtua me Ahmet Zogun dhe shtoi diçka tjetër që kishte lidhje me marrëdhëniet e tij me disa personalitete të huaja. Vetëm kaq dhe asgjë më tepër. Sidoqoftë dukej shumë e bindur dhe këmbëngulëse në ato që thoshte.
E dëgjova me vëmendje dhe aty për aty iu ktheva me qetësi: Është e vërtetë ajo që thotë shoqja Nexhmije, por nuk duhet harruar që Noli sa mori vesh krijimin e Komitetit të Përgjithshëm Antifashist në Kongresin e Përmetit, i dërgoi një letër përshëndetëse shokut Enver dhe e mbështeti atë”. Pas një pauze të shkurtër Nexhmija tha se këtë nuk e dinte dhe filloi të lexojë diçka në bllokun e shënimeve që mbante përpara.Nexhmija ndruhej se mos emri i Nolit retushonte dhe i bënte hije figurës së Enverit. Madje jo vetëm ajo, por edhe Ramiz Alia ka qenë hezitues për promovimin e vlerave të Fan Nolit. Në fakt e gjithë propaganda e periudhës së komunizmit kishte një sjellje të dyzuar ndaj emrit dhe figurës së tij…
Ramiz Alia ishte kundër Nolit
Mbaj mënd që tre muaj pas diskutimit në zyrën e Foto Çamit për shpalljen e shtëpisë muze në Durrës, kjo çështje u rihap në një mbledhje me sekretarët e KQ ku diskutohej një raport i Ministrisë së Jashtme. Diku doli përsëri historia e shtëpisë muze në Durrës dhe një propozim i dytë për t’i dhënë emrin e Fan Nolit Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Nexhmija si dhe në takimin me Foto Çamin u çua e para dhe e kundërshtoi këtë radhë më energjikisht. Disa çaste nuk foli njeri. Heshtjen e theu Ramiz Alia, të cilit i dukej i çuditshëm një propozim i tillë. “E mo, emri i Nolit Bibliotekës Komëtare(!), u shpreh ai, le të thërrasim me emrin e tij librarinë e Lidhjes së Shkrimtarëve”. Mënyra si Ramizi operoi në atë diskutim, të linte të kuptoje se se ashtu dhe vetëm ashtu do të bëhej. Po me Ramizin ndodhi çudia tjetër disa vite më vonë kur ai ishte në detyrën e presidentit dhe vizitoi SHBA-në.
Në librin e tij me kujtime ndër të tjera ai vë në dukje jo pa madhështi se gjatë vizitës në Amerikë një nga punët më të rëndësishme ishte homazhi në vendvarrimin e të madhit Fan Noli. Pak a shumë kështu ka ndodhur dhe me Konicën e madh. Më kujtohet kur binte fjala për të në takime të ngushta me zyrtarë të KQ. Për një pjesë të madhe të tyre politika e Tiranës e kishte bërë detyrën e saj, pasi kishte botuar përkthimin e “përrallave të 1001 netëve…
E kisha dhe unë një cen në biografi
Kam punuar vërtetë në Komitetin Qëndror, po e kam patur dhe unë një cen në biografi. Ishte një njollë e errët nga ato që në komunizëm të penalizonin politikisht. Në rastin tim pasojat ishin gati të papërfillshme, gjithsesi jo pa efekte përballë besueshmërisë së lidershipit kryesor. Më shumë se një defekt biografik, ishte një lloj rezerve me të cilën vlerësohej puna dhe kontributi në aparatin e KQ, të cilën e kam përjetuar jo pa shqetësim.
Ishte diçka që startonte në Konferencën e Partisë së Tirans të vitit 56. Pikërisht aty fillon e mbaron historia e kësaj andralle, për të cilën mendoj se nuk ka vend për të bërë disidentin. Ishte një ndërhyrje në debatin e përgjithshëm në atë kuvend të bujshëm, e cila me sa dukej u vlerësua negative nga lidershipi i kohës. Përballë goditjeve katasrofike që morën një pjesë e madhe e delegatëve, qëndrimi ndaj meje ishte diçka e papërfillshme.Në Konferencën e Tiranës nuk isha delegat, por isha njëri ndër të ftuarit si punonjës i aparatit të KQ.
Ishte kuvendi i parë pas Kongresit të XX të PK të BS, ku idetë e Hrushovit për një frymë të re në lëvizjen komuniste, ngjallën jo pak debate në radhët tona. Në këtë klimë Konferenca e Tiranës duke thyer tabutë e hershme shtroi çështjen e rishikimit të dënimeve politike dhe rehabilitimin e njerëzve të goditur nga lufta e klasave. I nxitur nga mënyra e debateve, në një moment kërkova fjalën dhe u interesova për arsyet e dënimit të Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut.
Dita e parë e konferencës drejtohej nga i deleguari i KQ Beqir Balluku, i cili i ndodhur në breshërinë e mjaft ndërhyrjeve të tilla lajmëroi Enver Hoxhën që ndodhej me pushime në Vlorë. Enveri erdhi menjëherë dhe ndryshe nga sa pritej nisi të inkurajojë debatet me frymë kritike, me sa duket për të studiuar situatën. Të nesërmen u shfaq krejt ndryshe, duke sulmuar ashpër të gjithë ata që kishin debatuar dhe kishin bërë vërejtje të ndryshme për vijën e partisë. Goditja siç dihet ishte e rrufeshme për secilin ndaj tyre…
Kërkova reabilitimin e Tuk Jakovës
Kërkova rehabilitimin e Tuk Jakovës dhe desh e pësova dhe vet. Penalizimi nuk erdhi drejpërdrejt në Konferencën e Tiranës, por disa ditë më pas në një mbledhje në  Shkollën e Partisë. Teksa diskutonim për pasojat e frymës së saj, Mihal Bisha, i deleguari i KQ, në një moment nxori bllokun nga çanta dhe u drejtua nga unë.
“Ti Agim Popa, tha, në konferencë ke pyetur pse janë dënuar Tuk Jakova e Bedri Spahiu”. Po, i thashë aty për aty. “Po tani e ke të qartë?” mu kthye me një ton qortues. “Tani po, e kam shumë të qartë”, u përgjigja unë. Mihali ishte nga njerëzit më të besuar të Sekretariatit të KQ dhe bënte detyrën e Drejtorit të Kuadrit.
Lapsi i tij në dosjet personale kishte rëndësi përcaktuese në karrierën e zyrtarëve. Pikërisht këtë kisha parasysh kur pohoja para tij në atë takim delikat. Sidoqoftë, pa gjë nuk mbeta nga ndërhyrja që kisha bërë për dënimin e Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut. Kish mjaftuar kjo dhe ndonjë reagim tjetër që në opinionin zyrtar të trajtohesha si një intelektual liberal./Pamfletibiblioteka kombëtare ramiz alia fan noli nexhmije hoxha agim popa
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente