“Berisha-Basha shkërmoqën PD”, Flutura Açka zbulon planin e grupit “anti-berishist” për zgjedhjet e 2025-ës!
Flutura Açka ka dhënë detaje lidhur me lëvizjen me të cilën ajo dhe deputetët Enkelejd Alibeajt, Dashamir Shehi dhe Arbër Agalliu do të hyjnë në zgjedhjet e 2025.
E ftuar në emisionin “Debati” në A2 CNN, Açka akuzoi Sali Berishën dhe Lulzim Bashën se kanë copëzuar Partinë Demokratike, çka çoi sipas saj edhe në faktin që një pjesë e opozitës të konvertohej në zgjatim të qeverisë.
“Mua ndonjëherë më duket në momente të caktuara në Parlamentin shqiptar sikur opozita, një pjesë e saj jo e gjitha, sikur në momente të caktuara, fragmente të caktuara, për ligje të caktuara, sidomos për Kodin Zgjedhor u bë një zgjatim i mazhorancës. Që do të thotë nuk e ka bërë detyrën siç duhet. Në këto kushte, kjo iniciativë është shumë e pafajshme. Mbi të gjitha ne mëtojmë të rrisim vëmendjen mbi çështjet që përmendi zoti Shehaj dhe janë shumë të rëndësishme. Në një klub ku shahet SPAK-u, ku shahet ambasada amerikane, ku shahen ndërkombëtarët, do të jetë e vështirë të jemi të gjithë përfaqësues në atë klub.
Kjo është ajo ndarja që ka ndodhur në opozitë dhe nuk ka ardhur për faj të kësaj pesësesh, por për një çështje më të gjerë. Ky grup i vogël nuk mund të ndryshojë gjë në atë parlament të kalcifikuaar, por synon të rrisë ndjeshmërinë publike për faktin që opozita nuk i ka bërë mirë detyrat e saj dhe po shkon në 2025 e përçarë. Një përçarje që erdhi nga lidershipi i saj, nga të dy. Sikur të kishte vazhduar ajo çarje në dy, që të dyja pjesët të forcoheshin si të pavarura dhe në prag të zgjedhjeve ndoshta të bashkoheshin në një koalicion, do të ishte më mirë”, tha ajo.
Burimi