Beogradi “flirton” me Moskën në “sy” të Europës, Vulin diskuton me Lavrovin për përmirësim të lidhjeve serbo-ruse

Beogradi “flirton” me Moskën në “sy” të Europës, Vulin diskuton me Lavrovin për përmirësim të lidhjeve serbo-ruse

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, është takuar të mërkurën në Moskë me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, me të cilën, siç ka thënë Qeveria e Serbisë, janë pajtuar për “interesimin e të dyja shteteve për përmirësim të partneritetit strategjik serbo-rus”.
“Zëvendëskryeministri Vulin e ka përsëritur se është krenar që Serbia nuk është pjesë e histerisë anti-ruse, dhe që nuk ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse”, është thënë në deklaratën e Qeverisë serbe.
Sipas saj, Vulin dhe Lavrov kanë diskutuar, mes tjerash, edhe për modele dhe mekanizma për shtrirje të bashkëpunimit mes Serbisë dhe organizatës BRICS – grup i krijuar prej Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut.
Vulin është për vizitë zyrtare në Moskë.
Më 12 gusht, ai ka thënë se Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe që tregtia ruso-serbe ka vazhduar, “pavarësisht tentimeve për të vendosur kufizime”.
Kjo është vizita e tij e dytë në Rusi, prej kur është zgjedhur zëvendëskryeministër i Qeverisë së Serbisë, më 2 maj.
Për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me Kremlinin, Vulin është i sanksionuar prej Shteteve të Bashkuara.
Lufta e Rusisë në Ukrainë ka hyrë në vitin e tretë, por Serbia nuk e ka ndërruar asnjëherë qasjen ndaj Moskës.
Zyrtarisht, Beogradi mbështet integritetin territorial të Ukrainës, por refuzon të vendosë sanksione ndaj Moskës, ndonëse si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i kërkohet të vendosë masa. Refuzimi është arsyetuar me lidhjet miqësore me Rusinë./REL
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente