Banda e Elbasanit pas atentatit ndaj editorit të Pamfletit, Gjergj Zefi; SPAK zbardh rolin e Renato Bodurrit në komunikimet Sky Ecc
Makina e Renato Bodurrit u përdor nga 4 mercenarë të krimit, për të goditur gazetarin Gjergj Zefi.
Dosja e SPAK për grupin kriminal të Suel Çelës në Elbasan, ku të përfshirë janë gjyqtarë, ish gjyqtarë, drejtues policie, biznesmenë, killera, ushtarë dhe njerëz të medias, konfirmon raportimet e Prapaskenës për rolin e Renato Bodurrit nga Elbasani në sulmin fizik ndaj gazetarit Gjergj Zefi, mbrëmjen e 10 marsit 2023, në rrugën “Bardhok Biba” në Tiranë, duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
Makina e Renato Bodurrit u përdor nga 4 mercenarë të krimit, për të goditur gazetarin Gjergj Zefi. Nga ana tjetër, Bodurri është menaxher në lokalin e famshëm Living në Elbasan, në pronësi të grupit Çopja, për të cilin kanë shkruar edhe mediat britanike. Gjyshja e Renato Bodurrit dhe vetë Bodurri rezultojnë mbulesë e 72 pasurive me vlerë dhjetëra milionë euro të grupit Çopja, përfshirë edhe Hajder Çopjan, i njohur si Dari i Dubait, porositës i disa vrasjeve.
Këtë prova nuk mjaftuan për policinë, prokurorinë dhe gjykatën për të mbajtur në burg Renato Bodurrin dhe zbuluar porositësit e sulmit ndaj Gjergj Zefit, duke pranuar alibinë qesharake të Bodurrit se nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe se makinën e tij ia kishin marrë pa pasur dijeni.
Por, në dosjen e SPAK për bandat e Elbasanit dalin prova të reja që implikojnë Renato Bodurrin, si pjesë e organizatës kriminale. Sipas dosjes, Renato Bodurri, në letra banakier te lokali i Çopjave, është përdorues i aplikacionit SkyEcc dhe ndërlidhës me gjyqtaren Pajtime Fetahu, e cila kishte porositur goditjen e gazetarit Saimir Kodra dhe të avokatit Arben Llangozi.
Marjus Lulaj komunikon me Renato Bodurrin në SkyEcc, të cilit i kërkon që të dërgonte telefonin një personi, për të folur me të. Marjus Lulaj është lidhje e ngushtë e Endri dhe Klejdi Çopja, pjesë e grupit të Suel Çelës.
Më tej, telefoni i shkon Megi Fetahut, vajza e gjyqtares Pajtime Fetahu, e cila thotë se ‘mami është e lumtur që po komumunikon me të’. Pajtime Fetahu interesohet nëse banda po e kryen porosinë e saj për të goditur fizikisht dhe ndoshta eliminuar gazetarin Saimir Kodra dhe avokatin Arben Llangozi.
Marjus Lulaj e informon se me kryerje e porosisë për aktin kriminal po merreshin Endri dhe Klejdi Çopja. Kujtojmë se Endri Çopja është akuzuar për atentatin ndaj Lul Kullës në vitin 2018 si dhe se ka qenë në makinë me Suel Çelën në vitin 2017, kur goditi automjetin e nëndrejtorit të policisë lokale. Megi dhe Pajtimja kanë para në tavolinë shpi një dosje penale të prokurorisë që do gjykohej nga gjyqtarja. Kjo e fundit informon bandën për faktet që janë dosje dhe se çfarë lëvizjesh duhet të bëjë banda kriminale.
Dosja e SPAK-ut konfirmon se Renato Bodurri është përdorues i SkyEcc dhe ka lidhje me grupin e Suel Çelës, madje deri më tani del edhe si ndërlidhës i anëtarëve të grupit kriminal. Ky fakt rrëzon alibinë e tij se nuk ishte në dijeni se makina e tij është përdorur nga grupi që goditi gazetarin Gjergj Zefin.
Ndoshta këto indicie shërbejnë për të nxitur SPAK-un për të hetuar edhe veprimet e dyshimta të policisë dhe prokurorisë për të penguar zbardhjen dhe identifikimin e autorëve të sulmit fizik ndaj Gjergj Zefit dhe porositësit të sulmit./Prapaskena