Abuzimi me 2 tenderët e naftës, GJKKO dënon me 1 vit burg ish-prefektin e Kukësit
Ish-kryetari i komanduar i Kukësit, Granit Gjana është dënuar nga GJKKO me 1 vit burg për shkelje të barazisë në tenderë. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Gjanës dënimi do t’i konvertohet në 2 vite shërbim prove.
Gjithashtu, Gjanës për një periudhë 5-vjeçare nuk do t’i lejohet që të ushtrojë funksione publike.
Të njëjtin dënim kishte kërkuar edhe Prokuroria e Posaçme, ndërsa trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Erjon Çela dhe Flojera Davidhi e shpallën Gjanën fajtor për shkelje të barazisë në 2 tenderë nafte.
Kallëzimi për Gjanën u bë më 22 maj nga Florian Cengu, administrator i shoqërisë “Ufo Cengu” sh.p.k, që humbi tenderët me vlerë 21 milionë lekë, pasi Bashkia Kukës nuk i dha dokumentet.
Gjatë hetimeve, SPAK gjeti se Gjana e ka penguar garuesin “Ufo Cengu” sh.p.k, në mënyrë të padrejtë, duke mos lëshuar dokumentin bashkiak, mungesa e të cilit solli skualfikimin nga dy procedurat e tenderit të karburanti.
Vlen të kujtojmë se Gjana ushtroi për disa muaj edhe detyrën e kryetarit të Bashkisë Kukës, pas shkarkimit të Safet Gjicit. Ndërsa më 6 dhjetor 2023, GJKKO urdhëroi pezullimin e tij nga detyra si prefekt i Kukësit.
Burimi