Në Prishtinë formohet Lidhja e Bashkuar e Shkrimtarëve dhe e Artistëve Shqiptarë
Në Prishtinë është nënshkruar marrëveshja për themelimin e Lidhjes së Bashkuar të Shkrimtarëve dhe të Artistëve Shqiptarë, me qendër në Tiranë. Marrëveshja u miratua nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve e Shqipërisë dhe Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, me synim institucionalizimin e bashkëpunimit ndërmjet krijuesve shqiptarë. Kryetar i Lidhjes së Bashkuar u zgjodh prof. dr. Mujë Buçpapaj, ndërsa nënkryetar prof. dr. Shyqri Galica. Marrëveshja u nënshkrua nga të dy, në emër të organizatave përkatëse. Sipas marrëveshjes, Lidhja e re synon të bashkërendojë veprimtaritë letrare dhe artistike në hapësirën shqiptare, si dhe të forcojë praninë e kulturës shqiptare në komunikimin ndërkombëtar. Anëtarët e Kryesisë do të përzgjidhen nga trevat e tjera shqiptare dhe diaspora, me qëllim përfshirjen e krijuesve shqiptarë nga hapësira të ndryshme./rtk/KultPlus.com
Burimi:
kultplus.com