Me dy armë zjarri në taksi drejt Maqedonisë së Veriut, në pranga 30-vjeçari
Një 30-vjeçar nga Durrësi është arrestuar në Dibër, pasi dyshohet se po transportonte me taksi dy armë zjarri dhe municion luftarak drejt Maqedonisë së Veriut. Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Taksia”, gjatë një kontrolli të automjetit në zonën e rrethrrotullimit të Bllatës. Në sediljen e pasme të taksisë, që drejtohej nga shtetasi A. T., policia gjeti një kallashnikov me 13 fishekë, si dhe një pistoletë me një fishek në fole dhe një tjetër në krehër. Nga hetimet paraprake dyshohet se armët ishin marrë në zonën e Tufinës, në Tiranë, me qëllim dërgimin e tyre në Maqedoninë e Veriut. Armët e zjarrit dhe municioni u sekuestruan si prova materiale, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës për vijimin e hetimeve.
Burimi:
kohajone.com