Ministria e Kulturës: Ligji po zbatohet, udhërrëfyesit turistikë duhet të jenë të licencuar
Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka njoftuar se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut po zhvillon inspektime në terren për të kontrolluar ushtrimin e veprimtarisë së udhërrëfyesve turistikë në Kosovë. Sipas ministrisë, rastet e ushtrimit të kësaj veprimtarie pa licencë po ndëshkohen me gjobë, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ministria u ka bërë thirrje të gjithë personave që ushtrojnë këtë veprimtari pa licencë që të kryejnë procesin e licencimit dhe të vazhdojnë punën në mënyrë të rregullt dhe profesionale. “Një turizëm i zhvilluar kërkon rregulla të qarta, zbatim të ligjit dhe shërbime cilësore për vizitorët”, thuhet në njoftim. Ministria thekson se licencimi është detyrim ligjor, por edhe një garanci për ofrimin e shërbimeve më profesionale dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Kosovë./KultPlus.com
Burimi:
kultplus.com