Vritet CEO i firmës më të madhe të sigurimeve shëndetësore në Amerikë
Drejtuesi i firmës ‘UnitedHealthcare’, Brian Thompson, u vra mëngjesin e së mërkurës pranë një hoteli në Manhatan, ku viktima ndodhej për një takim me investitorët. Hetuesit dyshojnë se vrasje e tij është bërë me paramendim.
Vrasja ishte “e qëllimshme”, tha Jessica Tisch, komisionerja e policisë së Nju Jorkut. Guvernatorja e Nju Jorkut Kathy Hochul e dënoi vrasjen, duke thënë gjithashtu se bëhej fjalë për një sulm të qëllimshëm ndaj drejtuesit të kompanisë ‘UnitedHealthcare’.
Pesëdhjetë vjeçari Thompson pritej të mbante një fjalim para investitorëve kur u qëllua rreth orës 6:45 të mëngjesit pranë hotelit ‘Hilton Midtown’ të Nju Jorkut. Sipas policisë, sulmuesi fillimisht u largua në këmbë dhe më pas mori një nga biçikletat elektronike që ofrohen me qira për t’u larguar drejt parkut kryesor të Manhatanit.
Zoti Thompson u dërgua në spital, por mjekët nuk arritën t’ia shpëtonin jetën.
‘UnitedHealthcare’ është firma më e madhe e sigurimeve shëndetësore në Shtetet e Bashkuara.
Burimi