
Vjosa Osmani jep përqafimin e mirënjohjes historike të shqiptarëve ndaj Amerikës
Nga Albert Vataj
Në këtë foto, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përqafon Presidentin Bill Clinton, i cili u nderua me çmimin “Paqebërësi i Shekullit” nga “World Forum”, Berlin 18 mars 2025.Kjo nuk është thjeshtë një foto, apo thjeshtë një përqafim atëror, është forca shpirtërore e mirënjohjes së një kombi që ofrohet aq madhështore përmes një gruaje të madhe, e cila e shndërron këtë moment historik në logo.Nëse ju po kërkoni për të gjetur një diçka që përfaqëson konsideratën e thellë të gjithë shqiptarisë, të popullit të Kosovës në veçanti, për atë që bëri Bill Clinton për të ardhmen e popullit martir, kjo është ikonikja, që do të qëndrojë gjatë në memorien e shqiptarëve.Dy moment kyçe në hisatorinë e shqiptarëve na lidhin me Amerikën dhe presidentet e saj, i pari me Woodroë Wilson dhe shpëtimin e Shqipërisë më 1919.Siç dihet, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria rrezikoi të copëtohej mes fqinjëve në Konferencën e Paqes në Paris (1919). Presidenti amerikan, Woodroë Wilson, u bë mbrojtësi kryesor i sovranitetit shqiptar, duke kundërshtuar planet e Fuqive të Mëdha, për ndarjen e territorit të saj. Ai përdori të drejtën e vetos në Lidhjen e Kombeve, duke deklaruar: “Shqipëria duhet të jetë e lirë dhe e pavarur.”
Falë ndërhyrjes së tij, Shqipëria mbeti një shtet më vete, duke siguruar mbijetesën e saj si komb.I dyti moment përcaktues dhe i dyti president i SHBA-ve, Bill Clinton dhe çlirimi i Kosovës. Gjatë viteve 1998-1999, Kosova përjetoi një nga periudhat më të errëta të historisë së saj, nën shtypjen e regjimit të Sllobodan Millosheviçit. Presidenti amerikan Bill Clinton, me mbështetjen e NATO-s, ndërmori një fushatë ajrore kundër Serbisë nga marsi deri në qershor të vitit 1999. Ky ndërhyrje detyroi Serbinë të tërhiqej nga Kosova dhe çoi në vendosjen e një administrate ndërkombëtare, e cila hapi rrugën për shpalljen e pavarësisë më vonë, në vitin 2008.Nëse mirënjohja e shqiptarëve ndaj presidentit Woodrow Wilson mbeti e shkruar në ndërmendjet e hymnizime krijuese, e skalitur në vepra arti, në emrat që ju vunë rrugëve dhe institucioneve, Clinton u bë një figurë simbolike për shqiptarët e Kosovës, duke u konsideruar shpëtimtari i tyre, e shprehur kjo me një statujë e në shenjë mirënjohjeje, vendosur në Prishtinë.
Kur e pash këtë foto, duke e përcjellë këtë përqafim si një diçka që e sfidon zakonshmërinë e imazhit politik, më rrëmbeu e njëjta ndjesi që duhet të ketë përjetuar çdo shqiptar, i cili e di fort mirë fatin tonë në duart e padrejtësisë së historisë, dhe është i vetëdijshëm për rolin përcaktues që kanë patur burrështetasit e një kombi të madh. Nuk e di se pse kjo foto më kthen pas në kohë, në kohën e asaj tragjedie që po bëhej në kurriz të një populli, ndaj të cilit bota e qytetëruar, po tregohej e verbër dhe e shurdhër, duke legjitimuar masakrat serbe ndaj shqiptarëve.Por do të kishte sy që shihnin përmes, zjarrit që digjte Kosovën, gjakut që vadiste arat e lëna djerr, tymin që nxinte plista e bardhë borë, lotët e nënave që u vriteshin bijtë dhe kujës së bijave që dhunoheshin nga shkijet, dihamëve të fëmijëve dhe rënkimit të burrave.Po do të kishte sy dhe vullnet, forcë dhe vendosmëri, që do të përmendeshin dhe njëmendeshin në këtë mobilizim mosdakordësie, që shuante etjen me gjak e lot dhe krekosej tryezave të bisedimeve për paqe, veshur me kostumin e vdekjes.Do të ishin vetë të dërguarit e Zotit që do njëzëheshin e njëzemërshin, për të ndaluar këtë tragjedi, për t’i treguar vendin mizorisë së fundshekullit modern.Përkundër një bote që toleronte mizorinë ndaj një populli që kërkonte të drejtën për vetvendosje, do të ngrohej një burrë i një shteti të madh, të bënte drejtësi me mjetet e duhura, përmes së cilave vjen nënshtrimi i të keqes dhe kurorëzimi i paqes, për ata që e kishin paguar shtrenjtë legjitimitetin për të qenë vetë vëndosës së fatit të vet, në truallin e të parëve, në amanetin e etërve.
Bota shqiptare ka qenë fatlume dhe do t’i jetë falënderues përjetësisht Amerikës dhe bijve të saj, për rolin që ata patën në përcaktimin deciziv të fatit të kombit në histori, për atë që gëzojmë sot dhe do t’ua lëmë trashëgim brezave.Dhe vjen një ditë, ndoshta si edhe shumë takime dhe përvjetorë të tjera, por “World Forum”, erdhi ndryshe ne këtë tubim në Berlin, kampionët global të demokracisë, pikërisht aty ku para 35 viteve rënia e Murit të Berlinit shënoi një moment përcaktues për demokracinë në mbarë botën.“Demokracia është një nga arritjet më të mëdha të njerëzimit, por nuk është e vetëqëndrueshme, ajo është vepër e çdo brezi, e ndërtuar dhe e forcuar ditë pas dite.Në Kosovë, këtë e kuptojmë më së miri. Demokracia për ne nuk është vetëm njëra nga opcionet- është opcioni i vetëm, sepse e dijmë se çfarë sjell mungesa e saj – shkatërrim, vuajtje dhe humbje jete. Prandaj, populli ynë, mbetet i palëkundur në përkushtimin ndaj vlerave demokratike.” do të shkruante Osmani.“Teksa qëndroja para tij, (Presidentit Bill Clinton), kujtova marsin e vitit 1999, kur dëgjonim me shpresë fjalimet e tij në një radio të vogël, ndërsa përjetonim tmerret e regjimit të Millosheviqit. Sot, falë luftës çlirimtare dhe falë lidershipit të botës demokratike dhe mbështetjes bipartizane amerikane, si nga demokratët ashtu edhe republikanët, Kosova frymon e lirë dhe e pavarur.Mbështetja e Presidentit Clinton për Kosovën ka qenë gjithmonë pasqyrim i vlerave amerikane—të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë.Faleminderit, President Clinton, jo vetëm për marrëveshjet e nënshkruara, por mbi të gjitha për jetët e shpëtuara. Dhe në veçanti, faleminderit në emër të fëmijëve të tashëm të Kosovës—brezi i parë që nuk po rritet në luftë e që njeh vetëm paqe.”, do të shkruante në postimin e saj në Facebook, më 18 mars 2025, Vjosa Osmani.Kjo foto, ky përqafim, ky moment, ishin dhe do të mbeten ikonikë, jo vetëm në jetën politike të Presidentes, Vjosa Osmani, por në vetëdijen e shqiptarëve, në të drejtën e tyre për t’i qenë mirënjohës presidentëve të SHBA-ve, Woodrow Wilson dhe Bill Clinton, jo më pak edhe ndaj Xhorxh W. Bush, Barak Obama, dhe Amerikës, këtij kombi të madh që frymëzoi dhe motivoi burrështetas të mëdhenj për të vendosur për fatin e një kombi të vogël, me histori të madhe.
Burimi