Vera, si një qenie e gjallë, e “përkundur” nga tingujt e muzikës në “djepin” e krijimit
Albert Vataj
Të pasionuarit e verës, ata që e konsumojnë dhe e shijojnë atë, jo si një pije, por si një komunikim ndjesor, diçka e ngjashme me një akt intim, nga degustatorët do të kërkojnë ndoshta jo vetëm varitetin e rrushit, vendit dhe vitit kur është prodhuar, por edhe muzikës që e “përkundur” atë në “djepin” e rritjes. Kuptuar si një krijues e gjallë, vera, ka një status të veçantë në shumësinë e pijeve, të cilat deri te gota dhe adhurimi, kanë një historik të gjatë. Ajo ka ardhur përmes një pafundësi historish dhe legjendash, jo për ta shndërruar atë në një pije unike, por për ta kuptuar atë si një marrëdhënie. Në gjithëçkanë që është thënë dhe vijohet të miklojë limfën e jetës, “gjakun Krishtit”, lëngun magjik, shijen e magjepsjes, është cekur pak për lidhjen e saj me muzikën, atë që mund ta konsideroja si një lidhje simbolike. Ndoshta vetëm tani që po flasim për këtë, do të nisni ta kuptoni dhe të ndjeni se vërtetë vera ka diçka shumë më shumë se një pije, shumë më shumë se një qejfndjellës apo stimul afrodiziak.
Në thellësitë e bodrumeve të errëta franceze, ku aroma e drurit dhe avujt e verës përplasen në një vals të heshtur, fshihet një sekret melodioz. Por kjo traditë nuk kufizohet vetëm në Francë. Nëpër botë, vera po bëhet pjesë e një revolucioni muzikor që i jep jetë procesit të saj të maturimit.
Ky fenomen, i njohur si “plakja e zërit” (sonic aging), e shndërron mjedisin tradicional të maturimit në një koncert intim, ku dridhjet e muzikës përkëdhelin molekulat e verës. Nga këngët gregoriane te melodia klasike dhe ritmet moderne, tingujt depërtojnë në lëngun e çmuar, duke transformuar strukturën kimike të verës. Efekti është një përmirësim i ndjeshëm i aromës, trupit dhe finesës së shijes.
Fizikani francez Joël Sternheimer ka zbuluar se çdo aminoacid ka një frekuencë të vetën, duke “kënduar” melodi të padëgjueshme për veshin njerëzor. Këto melodi, sipas tij, mund të ndikojnë jo vetëm në proceset biologjike të organizmit, por edhe në rritjen e hardhive të rrushit. Në këtë mënyrë, muzika nuk është vetëm një element shoqërues, por një forcë krijuese, që ndikon në fazat e hershme të prodhimit të verës dhe gjatë maturimit të saj.
Një shembull i jashtëzakonshëm i kësaj praktike vjen nga kantina Montes në Kili, ku këngët gregoriane kumbojnë ndërsa vera piqet në fuçitë e drurit. Italisë dhe Spanjës nuk u ka shpëtuar ky trend, ku prodhues të famshëm eksperimentojnë me muzikën klasike për të rritur cilësinë e verërave të tyre.
Kur të hapni tapa një shishe vere, ndalni për një moment dhe imagjinoni muzikën që e ka shoqëruar gjatë udhëtimit të saj. Mos e shijoni vetëm aromën dhe shijen, por mendoni për simfoninë e dridhjeve që ka përqafuar çdo pikë të saj.
Kjo lidhje midis dy pasioneve universale të njerëzimit – muzikës dhe verës – e çon përvojën e konsumimit në një tjetër nivel, duke i dhënë kuptim të ri lidhjes sonë me traditat, shkencën dhe artin.
Jo vetëm kaq, botën e magjishme të këtij komunikimi e cekin historitë që flasin për tinguj dhe verën
Të kujtojmë atë që u quajt si “Eksperimenti i Mozartit”. Në një kantinë të famshme në Austri, prodhuesit e verës përdorin veprat e Mozartit për të ndikuar në fermentimin e rrushit. Ata zbuluan se frekuencat e muzikës klasike ndihmojnë në shpërndarjen më të mirë të molekulave të sheqerit gjatë fermentimit, duke krijuar një verë më të rafinuar dhe të balancuar në shije dhe teksturë.
Ju mund të thoni se duhet t’i shkohet më tej kësaj “çmendurie”. Po, dhe ja ku jemi te përplasja mes rock-ut dhe muzikës klasike. Siç edhe është trajtuar kësisoj, disa kantina në Kaliforni kanë eksperimentuar me muzikë rock për të parë nëse ritmet energjike ndikojnë ndryshe nga meloditë qetësuese. Rezultatet kanë treguar dallime interesante në trupin dhe aciditetin e verës, duke sugjeruar se edhe stili i muzikës mund të luajë një rol unik në shijen, ngjyrën dhe perceptimin që lë konsumimi i kësaj limfe.
Ndoshta për të bindur skeptikët, dhe për ti siguruar ata se nuk kam rrjedhur nga trutë e kokës, po e cek këtë sa më lart citova, të ballafaquar me vërtetime shkencore.
Shkenca, ajo që nuk u beson dhe aq fjalëve, por vetëm sfidës së ndeshjes me faktet, ngre pyetjen: Pse funksionon kjo?
Tingujt dhe vibrimet muzikore krijojnë një efekt fizik në molekulat e lëngut, pohojnë shkencëtarët.
Dridhjet muzikore ndihmojnë në lëvizjen e përbërësve të verës, duke rritur ndërveprimet mes molekulave. Kjo mund të ndihmojë në zbutjen e taninave të forta dhe në balancimin e shijes.
Tingujt stimulojnë çlirimin e disa komponimeve aromatike të fshehura në strukturën molekulare të verës, duke përmirësuar profilin e saj aromatik.
Lidhja mes muzikës dhe verës nuk është thjesht shkencore; është një formë arti që pasqyron harmoni dhe bashkëpunim mes natyrës dhe kreativitetit njerëzor. Në kulturat e lashta, si Greqia e vjetër dhe Roma, vera dhe muzika ishin simbole të gëzimit, shpirtit krijues dhe mirëqenies. Praktikat moderne duket se po e ringjallin këtë filozofi, duke i shtuar një dimension poetik procesit të prodhimit.
Disa kantina kanë shkuar edhe më tej, duke krijuar lista muzikore specifike për çdo varietet të verës. Për shembull:
Chardonnay: Melodi të lehta, piano dhe harqe.
Cabernet Sauvignon: Ritme të fuqishme dhe dramatike si ato të operës.
Pinot Noir: Muzikë jazz ose bossa nova për të pasqyruar elegancën dhe delikatesën e kësaj vere.
Që kësaj mrekullie t’i shkojmë deri në fund, le ta aktualizojmë dhe ta konsiderojmë atë që do të shënjojë të ardhmen, inteligjenca artificiale dhe muzika për verën.
Me zhvillimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, mund të krijohen algoritme që sugjerojnë muzikën ideale për çdo fazë të maturimit të verës, bazuar në frekuencat që ndikojnë më shumë në përbërjen kimike. Po ashtu, mund të parashikohet një epokë kur konsumatorët të zgjedhin jo vetëm verën, por edhe “simfoninë” që e ka shoqëruar atë gjatë krijimit të saj.
Dashnorët e kësaj pijeje magjike, ndoshta dinin shumë për pijen e tyre të preferuar, por edhe kaq, vetëm sa do i’a shtojë shijen dhe fisnikërojë aktin e konsumimit, për ta mbajtur atë me një status të privilegjuar, siç e meriton ajo.
Burimi