Ushtria izraelite tërhiqet nga korridori Netzarim që ndante në mes Rripin e Gazës

Ushtria izraelite njoftoi sot se kishte vrarë disa militantë dhe kishte arrestuar disa të kërkuar në Nur Shams të Bregut Perëndimor, në kuadër të zgjerimit të një operacioni ushtarak në këtë territor. Ndërkohë, zyrtarët izraelitë thanë se forcat e tyre janë tërhequr nga një korridor kyç i Gazës, pjesë e angazhimeve të Izraelit në bazë të një marrëveshjeje armëpushimi me grupin militant të Hamasit. Ndërsa zhvillimi i së dielës sinjalizon se marrëveshja po ecën përpara, palët duket se kanë bërë pak përparim në negocimin e fazës së dytë të marrëveshjes, që synon të zgjasë armëpushimin dhe të çojë në lirimin e më shumë pengjeve.
 

Ushtria izraelite është tërhequr nga një zonë e Gazës, e njohur si korridori “Netzarim” që ndante këtë territor në mes, një veprim që pritej sipas marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit.
Kjo u konfirmua nga grupi militant i Hamasit që kontrollon Rripin e Gazës. Më vonë një burim izraelit i sigurisë që foli në kushte anonimiteti konfirmoi se ushtria izraelite po tërhiqej nga pozicionet e saj në Gazën qendrore.
“Forcat izraelite e kishin zvogëluar më herët praninë e tyre në atë zonë”, tha zyrtari izraelit.
Hamasi e festoi tërheqjen si një fitore dhe forcat e tyre u vendosën në zonë për të menaxhuar rrjedhën e kalimit të palestinezëve.
Që në muajt e parë të luftës, forcat izraelite u vendosën në korridorin 6.5 km të gjatë në jug të qytetit të Gazës që shtrihet nga kufiri izraelit deri në detin Mesdhe.
Mijëra palestinezë kanë kaluar nëpër korridor javët e fundit, duke u kthyer në shtëpitë e tyre në veri nga Gaza jugore, ku ishin strehuar gjatë luftës.
Ish-ushtarët amerikanë të punësuar si kontraktorë privatë janë vendosur për të inspektuar automjetet që kalojnë nëpër korridor në javët e fundit pas marrëveshjes së armëpushimit që u zbatua më 19 janar pas më shumë se 15 muaj lufte.
Izraeli u zotua të shkatërrojë Hamasin pas sulmin të 7 tetorit 2023, në të cilin u vranë 1200 njerëz, shumica prej tyre civilë dhe mbi 250 u morën peng.
Më shumë se 46000 njerëz janë vrarë nga sulmet e Izraelit, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze që drejtohen nga grupi militant Hamas dhe që nuk bëjnë dallime mes luftëtarëve dhe civilëve.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente