Ulja e normës së interesit, Banka e Shqipërisë për ATSH-në: Ndikim pozitiv në ekonomi në tre drejtime
Banka e Shqipërisë deklaroi për ATSH-në se, vendimi për të ulur normën bazë të interesit për lekun me 0,25% në nivelin 3%, do të ndikojë pozitivisht në ekonominë e vendit, nëpërmjet tre drejtimeve.
Sipas BSH-së, së pari, ulja e normës bazë pritet të sigurojë një lehtësim të kostove të financimit dhe të mbështesë rritjen e qëndrueshme të kredisë, e cila është një burim i rëndësishëm financimi për rritjen ekonomike.
“Reduktimi i kostos së kredisë do të ketë një efekt direkt në uljen e kësteve të kredive ekzistuese si dhe do të rrisë kërkesën për kredi të reja. Në këtë mënyrë ajo do të ndihmojë rritjen e mëtejshme të konsumit dhe të investimeve, duke gjeneruar më shumë punësim për ekonominë shqiptare”, bën të ditur Banka Qendrore.
Së dyti, argumenton BSH-ja, ulja e normës bazë të interesit për lekun shkon në të njëjtën linjë me reduktimin e normës bazë të interesit për euron, të ndërmarrë nga Banka Qendrore Evropiane. Kjo lëvizje e sinkronizuar lehtëson presionet për mbiçmimin e mëtejshëm të monedhës vendase; mbiçmim, i cili është një nga faktorët kryesorë që ushtron presion për rënien e inflacionit në vend.
Banka e Shqipërisë në përgjigjen e përcjellë për ATSH-në, shprehet se, “së treti, ulja e normës bazë të interesit synon të frenojë çdo transmetim të rënies së shpejtë të inflacionit në pritjet e agjentëve ekonomikë”.
BSH-ja informon se, vendimi për të ulur normën bazë të interesit u ndërmor ashtu si çdo vendim i politikës monetare me synimin për të krijuar kushte sa më të përshtatshme monetare për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe kthimin e inflacionit në objektiv gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm.
Më në detaje, sipas Bankës Qendrore, reduktimi i normës bazë të interesit u krye duke marrë në konsideratë: rënien relativisht të shpejtë të inflacionit në periudhën prill-maj 2024, të nxitur nga rënia e shpejtë të inflacionit të ushqimeve, zhvendosjen për poshtë të balancës së rreziqeve ndaj inflacionit në afatin e shkurtër, si dhe lëvizjen e fundit të Bankës Qendrore Evropiane për reduktimin e normës bazë të interesit.
/r.e/
Burimi