Udhëheqësi suprem kundërshton sërish negociatat me Perëndimin për mosmarrëveshjen e programit bërthamor

Udhëheqësi suprem kundërshton sërish negociatat me Perëndimin për mosmarrëveshjen e programit bërthamor

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka refuzuar edhe një herë negociatat me Perëndimin për mosmarrëveshjen e programit bërthamor.
“Disa qeveri të huaja dhe personalitete djallëzore po nxisin negociata, por qëllimi i tyre nuk është të zgjidhin problemet. Përkundrazi, ata kërkojnë të përdorin negociatat për të arritur qëllimin e tyre dhe për të imponuar kërkesat e tyre”, tha 85-vjeçari, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA.

Deklarata e liderit të lartë iranian vijnë si përgjigje ndaj presidentit të SHBA-së, Donald Trump, – i cili i shkroi një letër liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei, me synimin për negociata lidhur me mosmarrëveshjen për programin bërthamor të Iranit.
Megjithatë, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi tha në televizionin shtetëror dje në mbrëmje se Teherani nuk e kishte marrë ende letrën.
“Problemi i tyre nuk është vetëm çështja bërthamore; përkundrazi, negociatat janë një mjet për ta – për të bërë kërkesa të reja – për shembull, në lidhje me pajisjet mbrojtëse. Megjithatë, këto nuk do të pranohen”, tha Khamenei në lidhje me Perëndimin.
Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 përfundon zyrtarisht në tetor
Mosmarrëveshja për programin bërthamor të Iranit është kthyer sërish në krye të diskutimeve kohët e fundit.
Në mandatin e tij të parë në detyrë, Trump u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga pakti bërthamor i Vjenës në 2018, i cili synonte të kufizonte programin bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve.
Pas kësaj, Teherani gjithashtu nuk iu përmbajt më kushteve të marrëveshjes.
Edhe nëse nuk zbatohet në praktikë, afati i marrëveshjes zyrtarisht, përfundon në tetor të këtij viti.
Kjo do të nënkuptonte gjithashtu se do të humbiste mundësia për të rivendosur sanksionet e vjetra dhe të rrepta të OKB-së kundër Iranit pa shumë rezistencë.
Si rezultat, diplomatët u kanë kërkuar palëve të vazhdojnë negociatat. Izraeli ka kërcënuar vazhdimisht se do të bombardonte objektet bërthamore iraniane nëse nuk mund të gjendej një zgjidhje diplomatike. //a.i/ ATSH
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente