TVSH, taksa që mbush buxhetin, arkëtimi në rritje – Në 2025 pritet të mblidhen 236 miliardë lek, 10% më shumë se 2024
TVSH, taksa e cila realizon gati gjysmën e të ardhurave fiskale pritet që në 2025 të arkëtojë 10 për qind më shumë para. Planifikimi buxhetor është i bazuar në parashikimin se ‘të ardhurat nga T.V.SH-ja do të jenë rreth 236 miliardë lekë ose 22 miliadrë më shumë se në vitin 2024. Sipas atij planifikimi pritet që burimet e rritjes së TVSH-së të jenë rritja e importeve, mirëadministrimi që bazohet në faturimin elektronik si edhe rritja e të ardhurave në mënyrë të veçantë nga turizmi dhe ndërtimi.
Duke qenë një taksë fundore rritja e TVSH bazohet edhe në efektet që japin taksat e tjera. Kjo pritet të ndodhë edhe në 2025. Sipas relacionit të buxhetit ‘Për vitin 2025 janë parashikuar të ardhura shtesë nga zbatimi i kalendarit të rritjes së akcizës në shumën prej 852 milionë lek si dhe 20% TVSH mbi këtë shumë të rritur akcize’.
Po a ka rreziqe për këtë plan të ardhurash? Nga janari në tetor të 2024, të ardhurat doganore janë ndikuar negativisht nga ulja e kursit të këmbimit të euros dhe dollarit me rreth 12 miliardë lekë më pak. Por ky deficit u mbulua nga rritja e totalit të importeve, madje TVSH e mbledhur në dogana për të njëtën periudhë ishte 7.6 miliardë lek ose 8% më shumë.
Ndikimin më të madh në rritje e dhanë importi i automjete të përdorura dhe të reja, karburantet, cigaret dhe fruta perimet. Ndërsa deficitin e shënuan energjia elektrike, kompjuterat, celularët dhe paisjet e tjera teknologjike.
Në totalin e të ardhurave të planifikuara nga tatimet e doganat prej 499 miliardë lekë, 236 mblidhen nga TVSH kurse pjesa tjetër vjen nga akcizat, tatim fitimi, tatimi mbi të ardhurat dhe taksat e tjera nacionale e doganore.
Burimi