
Shpërthen sërish raketa Space X e Elon Musk, e dyta brenda vitit
Bota E Premte, 7 Mars 2025 13:18
Elon Musk e gjeti fatin në politikë, por duket po humbet atë në raport me eksplorimin e hapësirës.
Për të dytën herë brenda vitit, një raketë SpaceX shpërtheu në ajër pak pas lëshimit nga Teksasi, duke bllokuar fluturimet e duke nxitur paralajmërimet për rënien e mbeturinave të saj.
Kompania konfirmoi se anija hapësinore pa ekuipazh kishte pësuar “një shkëputje të paplanifikuar pjesësh” gjatë ngritjes dhe kishte humbur kontaktin me tokën. Starship e SpaceX, raketa më e madhe e krijuar ndonjëherë, doli jashtë kontrollit menjëherë pas lëshimit të saj. Nuk janë raportuar të lënduar apo dëme, por imazhet nga ato në vendet ishullore të Detit të Karaibeve treguan mbeturina të zjarrta që bien nga qielli. BBC thotë se ky ishte misioni i tetë për të testuar raketën dhe dështimi i saj i dytë radhazi.
Anija kozmike prej 123 metrash ishte menduar të rihynte në orbitën e Tokës mbi Oqeanin Indian pas një fluturimi njëorësh. Nga ana tjetër, përforcuesi i saj Super Heavy, që ndihmon lëshimin nga toka, ia doli me sukses të kthehej në platformën e lëshimit. SpaceX, që është në pronësi të Muskut, pohoi se kanë nisur menjëherë verifikimi nga zyrtarët e sigurisë për të kuptuar se cfarë e shkaktoi defektin.
Deklarata shtoi se SpaceX do të rishikonte të dhënat “për të kuptuar më mirë shkakun rrënjësor” të dëmtimit dhe vuri në dukje se shpërthimi ndodhi pas humbjes së “disa” motorëve.
Burimi