“Rrëfimi më i besueshëm për Betejën e Kosovës është ai i kosovarëve”
Skënder Latifi
“…dola në gjah në Fushë të Kosovës dhe ktheja në Tyrben e Sulltan Muratit dhe gjithkund i pyesja banorët, prandaj mund të them se thuajse të gjithë ata m’i jepnin të njëjtat rrëfime”, ka shkruar kroati Martin Gjurgjeviq (1845 – 1913), i cili u punësua në Zyrën Osmane të Ndërlidhjes, funksion që e ushtroi edhe në Prishtinë në vitet 1869 – 1870. Por nuk e sjell rrëfimin për Betejën e Kosovës, por i kthehet përshkrimit të Prishtinës. Shkruan për shitjen e robëreshave çerkeze në Prishtinë, për takimet e pashpresa në shpëtimin e një robëreshe në Hamamin e Prishtinës, për zbavitjen në Taukbahçe dhe natën e virgjërisë
“Historia serbe e paraqet Betejën e Kosovës së vitit 1389 krejtësisht ndryshe, por mua më duket se rrëfimet tradicionale të kosovarëve rreth kësaj beteje janë më të besueshme. Në ndërkohë shpeshherë dola në gjah në Fushë të Kosovës dhe ktheja në Tyrben e Sulltan Muratit dhe gjithkund i pyesja banorët, prandaj mund të them se thuajse të gjithë ata m’i jepnin të njëjtat rrëfime”, ka shkruar kroati Martin Gjurgjeviq (1845 – 1913) i cili u punësua në Zyrën Osmane të Ndërlidhjes, funksion që e ushtroi edhe në Prishtinë në vitet 1869 – 1870. Por fatkeqësisht ai nuk e ka afruar rrëfimin unik të Betejës së Kosovës, dëgjuar nga vetë kosovarët. Më tej ai sërish u është kthyer rrëfimit për Prishtinën dhe rrethinën.
“Në Prishtinë dhe rrethinë ishte zakon të gjuhej më së shumti me skifterë të ushtruar, ose me njëfarë lloji gjeraqinash (Atmaxhët dhe Doganët), por me to gjuheshin vetëm thëllëzat dhe shkurtëzat. Kështu edhe unë i sigurova dy gjeraqina. Deri në drekë apo deri pasdite, mund t’i gjuaja 10 deri 15 thëllëza. Dhe herë pas herë në oborrin tim i kisha deri në 50 thëllëza të gjalla, të ndara në njëfarë pjese të oborrit dhe të rrethuara, prandaj kur kisha nevojë që në tryezën time të kishte mish të freskët i therja thëllëzat mu ashtu siç theren zogjtë. Edhe nikoqiri im Armasi gjithashtu ishte gjuetar, por ai merrej me gjahun e lepujve, kaprojve dhe derrave të egër dhe shpeshherë më thoshte se gjahu me gjeraqina është punë fëmijësh….Zoja Armas ishte një greke e shkëlqyeshme, përgatiste ushqim të mirë dhe çdo ditë bënte gjellë të ndryshme. Gjellët franceze dhe italiane vyenin diçka pas atyre lindore, ndërsa gjellët tjera nëpër Evropë, për mua, apo për ne orientalët, sikurse edhe për italianët, nuk vlenin asgjë”, shkruante ai,
Shitja e robëreshave çerkeze në PrishtinëRrëfimi i tij vazhdon për shitjen e robëreshave çerkeze në Prishtinë.“Pasi vjen diçka e rëndësishme, tregtia me robër, mua më duhet që sërish t’u kthehem çerkezëve. Atëherë kur çerkezët u vendosën në Kosovë, siç thashë më herët ata e fituan nga një copë toke prej qeverisë, por megjithatë në fillim jeta e tyre zhvillohej në kushte të skajshme mjerimi. Ndoshta edhe kjo gjendje ishte shkas që ata e hanin mishin e kuajve plakarec, natyrisht mishin e kuajve që ishin të papërdorshëm për ndonjë punë. Çerkezët i shisnin fëmijët e tyre, djemtë dhe vajzat, por ata ua shisnin vetëm myslimanëve. Të krishterëve nuk ua shisnin pasi kishin frikë, se këta do t’i kryqëzonin ata. Një djalë apo vajzë, së paku për kohën time kushtonte 400 groshë (80 korona), ndërsa vajzat e rritura për martesë e kishin çmimin 2000 grosh (400 korona) por çmimi ndryshonte, në varësi të bukurisë së vajzës. Çerkezet e reja janë të hijshme, me flokë të bujshme, me sy të mëdhenj, faqe të bardha, shtatbukura dhe vitale dhe aq më tepër janë shumë të pastra, sikurse lulja e paprekur e trëndafilit. Sytë e zi të çerkezeve ishin të kthjellët si burimi i ujit në mal. Këto të shkreta i shisnin në pazar sikur ato të ishin kafshë. Prandaj edhe kishte tregtarë që e bënin këtë punë, njëjtë sikur të merreshin me tregtinë e kafshëve. Ata shkonin nëpër fshatrat çerkeze që të blinin robëreshat, pastaj i sillnin ato në qytete, duke i vendosur në hapësira të caktuara dhe aty zhvillohej pazari. Tregtari më i njohur i robërve ishte njëfarë Ali efendia. Ai ishte pasuruar shumë me këtë lloj tregtie. Një ditë Ali efendia i kishte sjellë gjashtë çerkeze të reja, që t’ia shiste një nëpunësi të lartë një osmanliu që nga Stambolli po kalonte nëpër Prishtinë, duke shkuar për në Sarajevë. Unë e luta Zeki efendinë, të lindur në Sofje, udhëheqësin e postave dhe telegrafit, që të më merrte me vete në atë pazarllëk. Ashtu ndodhi. Gjashtë çerkeze qëndronin në këmbë të radhitura pranë murit dhe në heshtje e prisnin fatin e tyre. Të shkretat ishin thelluar në mendime, pasi secila mendonte se ku do të dërgohej më pas. Osmanliu kishte nevojë vetëm për tri robëresha, një për vete dhe dy për tjetërkënd. Ishte shumë vështirë të përzgjidheshin vetëm tri vajza – sepse të të gjashtat ishin shumë të bukura, thuajse të njëjta mes vete. Osmanliu shumë herë e merrte një, më pastaj e linte, pastaj sërish e merrte tjetrën dhe kështu vazhdonte të merrej vesh për çmimin. Gjatë gjithë kohës robëreshat qëndronin të mundura dhe me shumë vështirësi e përballonin këtë situatë. Vetëm kohë pas kohe buzëqeshnin me turp, atëherë kur myshteriu i prekte ato me dorë. Ai i prekte me dorë që t’i shihte se a e kishin të fortë shpinën dhe gjymtyrët e trupit. Pas një kohe, Ali efendia i hidhëruar iu drejtua osmanliut: ‘Pse po i prek aq shumë. Nuk janë lopë!’ Osmanliu iu përgjigj: ‘Kur janë në shitje çfarë mund të jenë tjetër pos lope të gjalla! Ata flisnin në turqishte dhe çerkezet e reja nuk i kuptonin fare fjalët e tyre. Më në fund pazari mori fund dhe tri robëresha u paguan 6000 grosh (1200 korona)”, shkruante Gjurgjeviq.
Takimet e pashpresa në Hamamin e PrishtinësMartin Gjurgjeviq më tej ka rrëfyer kur vetë e zonja e shtëpisë ku ishte i vendosur ai por edhe vetë ishin përpjekur që ta shpëtonin një robëreshë që zonja e kishte takuar në Hamamin e Prishtinës.“Duke e marrë parasysh tregtinë me robër, mund të shihej se gjendja në Turqi ishte e mjerë. Përveç çerkezeve, gjeorgjianeve dhe arabeve, aty-këtu në pazare të ndryshme ndonjëherë mund të gjendet edhe ndonjë evropiane. Këta agjentë të pashpirt iu premtojnë të rejave të Evropës, thesare të begata në Lindje dhe ashtu i mashtrojnë të rejat fatkeqe e të papërmbajtura, duke i sjellë ato nga Evropa në Stamboll, e më pas atje ua shesin turqve dhe arabëve, ndërsa këta të fundit si robëresha i dërgojnë ato dhe i shesin në Azi të Vogël, Persi apo Egjipt! Të mjerat e kanë të pamundur të çlirohen ndonjëherë e të mos jenë robëresha!
Zonja Armasi disa herë më ka rrëfyer, për një fatkeqe të tillë, të cilën ajo e kishte takuar me zotëruesen e saj çdo të premte në Hamamin e Prishtinës, Sipas zonjës Armasi, ajo ishte robëreshë në haremin e një majori që quhej Arab bimbashi dhe e thërrisnin ashtu sepse ishte Arab i vërtetë. Vetë robëresha i kishte rrëfyer zonjës Armasi, se në çfarë mënyre kishte rënë si robëreshë dhe ajo iu ishte lutur që ta ndihmonte që të çlirohej. Më pastaj unë vetë u interesova shumë për këtë çështje, vallë që të liroja por nuk më shkoi dorësh, sepse roja e haremit e ruante mirë atë dhe kohë më parë mora vesh se Arabi tashmë ishte transferuar prej Prishtine. Edhe pse aparati i sigurisë është i rregulluar mirë në Evropë, megjithatë mashtrimi i vajzave të reja për t’i sjellë ato në Lindje, ndodh edhe tani”, shkruan ai.
Zbavitja në Taukbahçe dhe nata e virgjërisë në Prishtinë Sipas Martin Gjurgjeviqit, Zeki efendiu nga Sofja ishte një burrë dyzetvjeçar. Ishte njeri normal dhe lexonte shumë, prandaj edhe dinte të rrëfente shumë ngjarje nga Lindja.“Ai kishte marrë pjesë në luftëra… Ai më rrëfeu se kur kishin mbaruar ishte martuar me një femër rumune. Luante në violinë dhe herë pas here luaja shah me të. Pranë zyrës sonë rridhte një përroskë që nuk e kisha parë në asnjë vend më parë. Me Zeki efendiun punuam bashkë dhe e bëmë një mekanizëm prej druri, një rrotëz që e sillte uji dhe në të vendosëm kukulla të ndryshme, kështu që mekanizmi që e bëmë i sillte ato sikur në cirk. Kështu zbaviteshim duke qëndruar nën hijen e shelgut, ndërsa çerkezet e reja na sillnin verë të shijshme dhe mezellëk. Ndodhte ndonjëherë që këtu të rrinim edhe deri në gjysmë të natës. Në atë çast që aparati i Morseut bënte zhurmë, ne e mbaronim punën dhe më pastaj shkonim drejt nën shelg. Në Prishtinë nuk kishte tjetër zbavitje pos që nganjëherë shkonim në shëtitje duke dalë në ndonjë gjelbërim.
Ne jetonim të ndarë prej popullsisë, si njëfarë klase e lartë, prandaj edhe prishtinasit na shihnin me sy të keq. Një mbrëmje të gjithë nëpunësit bashkë me kajmekamin dolëm në pemishten e Taukbahçes. Aty u kënaqëm duke u zbavitur me muzikë rome, ndërsa valltaret rome luanin duke i përdredhur barqet e vithet e trasha para nesh e duke prodhuar tinguj të ndryshme me rraketaket që i mbanin në duar. Duke vallëzuar Kanakan, ato iu hidheshin në prehër mysafirëve, dhe ata më pastaj me pështymë ua ngjisnin në ballë apo fytyrë paratë e argjendit apo arit. Kah mesi i natës në pikën më të madhe të qejfit, pesë pushkë krisën një pas një, ndërsa plumbat fishkëllyen nëpër degë të pemëve afër nesh. Ishin shqiptarët që qëlluan nga urrejtja dhe më të vetmin qëllim që të na i prishin ahengun. Ne u zgjuam dhe dolëm. Këto ishin gjëra të zakonshme në këto anë, por pasi askush nuk u vra apo u plagos edhe sulmuesit nuk u denoncuan, u bëmë sikur nuk e dinim se kush ishin ata! Një natë tjetër duke kaluar pranë disa shtëpive prishtinase u gjeta afër njërës ku kishte dasmë. Në katër anët e kësaj shtëpie ishte ndezur zjarr, ndërsa rreth çdo zjarri po qëndronin nga katër burra të armatosur. Ishin familjarët dhe miqtë e familjes që po i ruanin të rinjtë e porsamartuar që njerëzit e këqij të mos i frikësonin ata duke qëlluar me armë dhe t’ua prishin atyre natën e parë të himenit. Atëherë kur çiftit të ri më nuk iu nevojiteshin rojet, dikush nga brenda shtëpisë së familjes e shkrepte një plumb në ajër, ndërsa familjarët dhe miqtë i fikin katër zjarret në skajet e shtëpisë dhe secili largohej për në shtëpi të vet”, shkruante Gjurgjeviq. Rrëfimi i tij vazhdon.
koha.net
Burimi