Raporti vjetor mbi trafikun e qenieve njerëzore nga DASH: Policia dhe prokurorët e rretheve nuk kanë përvojën për të hetuar
Nga Zëri i Amerikës
Departamenti amerikan i Shtetit publikoi raportin vjetor mbi trafikun e qenieve njerëzore në mbarë botën. Gjatë publikimit të tij, Sekretari i Shtetit Anthony Blinken tha se dokumenti ofron vlerësimin më gjithëpërfshirës rreth fenomenit si dhe përpjekjeve të qeverive për ta luftuar atë.
Ai shtoi se duke matur përparimin e shënuar në 188 vende: përfshirë Shtetet e Bashkuara, Uashingtoni synon zbatimin e angazhimit të Presidentit Biden për të parandaluar trafikimin, për të ndjekur penalisht autorët e këtij krimi, si dhe mbrojtjen e viktimave të tij. Sekretari Blinken tha se rreth 27 milionë individë në të gjithë botën janë të shfrytëzuar për punë, shërbime dhe seks komercial. Nëpërmjet forcës, mashtrimit dhe detyrimit, ata detyrohen të punojnë në fusha dhe fabrika, në restorante dhe banesa. Viktima janë individët më të pambrojtur në botë – duke përfituar nga gjendja e tyre e vështirë.
Raporti i ndan vendet në tre nivele. Në nivelin e parë përfshihen vendet qeveritë e të cilave respektojnë plotësisht standardet minimale. Në nivelin e dytë hyjnë ato vende, përpjekjet e të cilave nuk plotësojnë tërësisht standardet minimale, por që qeveritë bëjnë përpjekje të konsiderueshme për ta arritur një gjë të tillë.
Në nivelin e tretë futen vendet përpjekjet e të cilave nuk plotësojnë tërësisht standardet minimale dhe që qeveritë nuk bëjnë përpjekje në këtë drejtim. Si Shqipëria ashtu edhe Kosova renditen këtë vit, ashtu si edhe vitin e kaluar, në kategorinë e vendeve të nivelit të dytë.
Situata në Shqipëri
Në raport thuhet se qeveria ka dëshmuar përpjekje të përgjithshme në rritje krahasuar me një vit më parë. Përpjekjet përfshinin hetimin e trafikantëve të seksit, identifikimin e një numri më të madh viktimash të mundshme në bashkëpunim me organizatat joqeveritare si dhe ofrimin e shërbimeve për më shumë viktima.
Por në raport shtohet se megjithatë qeveria nuk i përmbushi standardet minimale në disa fusha kyçe. “Qeveria hetoi në mënyrë të qartë më pak krime që lidhen me trafikimin, ndoqi penalisht më pak të dyshuar si dhe nuk dënoi asnjë trafikant për të dytin vit me radhë”, thuhet në raport. Po kështu kostatohet se policia dhe prokurorët e rretheve nuk kanë përvojën dhe specializimin e duhur për të hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e trafikimit dhe se autorët e dyshuar janë dënuar për krime më të vogla, si “shfrytëzim prostitucioni”, në vend të trafikimit.
Në raport thuhet se qeveria nuk ka kontrolluar vazhdimisht atë pjesë të komunitetit që potencialisht mund të jetë viktimë e trafikut si emigrantët, azilkërkuesit, komunitetet roma dhe egjiptian, si dhe fëmijët.
Hetimi penal
Në raport thuhet se një pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të luftuar trafikimin kanë shënuar rënie. Kodi penal parashikonin dënime nga tetë deri në 15 vjet burg për veprën penale të trafikimi që përfshin një viktimë të rritur dhe 10 deri në 20 vjet, kur viktima është fëmijë.
Në raport thuhet se Policia e Shtetit hetoi 26 raste, krahasuar me 85 raste në vitin 2022. Zyra e prokurorit të përgjithshëm ndoqi penalisht tetë raste të reja (shtatë për trafikim seksual dhe një për një formë të papërcaktuar trafikimi), krahasuar me 17 raste të reja në 2022. Po kështu vijoi të ndiqte penalisht 42 raste të nisura në vitet e mëparshme. Më vete, Struktura e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nisi një hetim të ri (dy në vitin 2022) dhe vazhdoi ndjekjen penale të dy rasteve të nisura në periudhat e raportuara.
Por në raport konstatohet se gjykatat nuk dënuan asnjë trafikant për të dytin vit radhazi, krahasuar me 11 dënime në 2021. Në vitet e kaluara, gjyqtarët dënuan disa trafikantë me dënime të buta, të tilla si dënimi me kusht, që reduktoi përpjekjet për t’i mbajtur trafikantët përgjegjës, dobësoi mekanizmat parandalues dhe krijoi shqetësime lidhur me sigurinë tek viktimat. Në raport thuhet se qeveria nuk njoftoi ndonjë hetim të ri, ndjekje penale, apo dënim të punonjësve të qeverisë bashkëpunëtorë në krimet e trafikimit të qenieve njerëzore, duke shtuar se korrupsioni dhe bashkëpunimi i zyrtarëve, në krimet e trafikimit vazhdon të jetë shqetësim.
Raporti rekomandon hetimin dhe ndjekjen penale me forcë të krimeve të trafikimit si dhe dënimin e trafikantëve duke përfshirë zyrtarët bashkëpunëtorë. Po kështu kërkohen dënime të konsiderueshme me burgim për autorët dhe trajnim i gjyqtarëve në të gjitha nivelet për të marrë parasysh ashpërsinë e trafikimit gjatë dhënies së dënimeve. Po kështu kërkohet që të ketë policisë dhe prokurorëve të specializuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht këto vepra penale.
Profili
Siç është raportuar gjatë pesë viteve të fundit, trafikantët e qenieve njerëzore shfrytëzojnë viktima vendase dhe të huaja në Shqipëri si dhe jashtë vendit. Trafikantët shfrytëzojnë për seks e punë të detyruar gratë dhe fëmijët shqiptarë veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Ata përdorin premtime të rreme, si oferta për martesë ose punësim, për të joshur viktimat e tyre. Trafikantët zakonisht i detyrojnë fëmijët të lypin, ose të kryejnë lloje të tjera të punës së detyruar dhe gjithashtu i detyrojnë fëmijët të kryejnë vepra penale, përfshirë vjedhjen dhe shpërndarjen e narkotikëve.
Trafikantët shfrytëzojnë fëmijët shqiptarë, kryesisht nga komuniteti rom dhe egjiptian, për punë sezonale dhe lypje të detyruar. Organizata joqeveritare kanë njoftuar se trafikantët i detyrojnë fëmijët të shesin lëndë narkotike kryesisht në shkolla. Trafikantët shfrytëzojnë viktimat shqiptare për qëllime seksuale në të gjithë Evropën, veçanërisht në Belgjikë, Greqi, Serbi, Mal të Zi, Kosovë dhe Francë.
Kosova
Në raport thuhet se qeveria demonstroi përpjekje të përgjithshme në rritje krahasuar me periudhën e mëparshme. Ato përfshinin dënimin e të gjithë trafikantëve me burgim, aty ku ishte e përshtatshme dhe mos shqiptimin e ndonjë dënimi vetëm me gjobë. Në raport thuhet se qeveria rriti përpjekjet e përgjithshme parandaluese, përfshirë shtimin e fondeve për fushatat ndërgjegjësuese dhe shpërndarjen e manualeve për parandalimin e trafikimit të fëmijëve.
Por në raport konstatohet se megjithatë, qeveria nuk i përmbushi standardet minimale në disa fusha kyçe. “Qeveria hetoi dhe ndoqi penalisht më pak të dyshuar dhe identifikoi më pak viktima. Edhe pse gjyqtarët dhanë dënime më të forta, dënimet megjithatë ishin nën dënimin minimal të parashikuar nga ligji kundër trafikimit”, vijon më tej raporti.
Në raport konstatohet me shqetësim edhe fakti se kodi penal i Kosovës e klasifikon lypjen e detyruar të fëmijëve nga prindërit e tyre si neglizhencë, ose abuzim prindëror dhe jo trafikim, duke e vështitëruar identifikimin e kësaj vepre si dhe referimin e viktimave potenciale tek shërbimet e duhura.
Rekomandime
Raporti rekomandon hetimin dhe ndjekjen me forcë të krimeve të trafikimit si dhe dhënien e masave të duhura të dënimit për trafikantët, duke përfshirë zyrtarët që bashkëpunojnë me ta. Po kështu kërkohet identifikimi në mënyrë proaktive i viktimave të trafikimit duke kontrolluar treguesit e trafikimit mes popullatës së ndjeshme përfshirë individët e përfshirë në seks komercial; fëmijë; komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane. Në raport sugjerohet ofrimi i trajnimeve të avancuara për gjyqtarët, prokurorët dhe forcat e rendit mbi hetimin dhe ndjekjet penale të rasteve të trafikimit. Po kështu kërkohet forcimi i masave të ruatjes së privatësisë së viktimës e që informacionet e tyre të mos shpërndahen. Më tej në raport sugjerohet rritje e mbështetjes së qeverisë për shërbimet gjithëpërfshirëse të trajnimit profesional si dhe riintegrimit të viktimave.
Burimi