
”Rama në argat të Vuçiçit”, Berisha: Asnjë arritje në 12 vite
Sali Berisha gjatë prezantimit të koalicionit ”Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, akuzoi Ramën se nuk ka asnjë arritje në 12 vite qeverisje. Nga rroga, pensionet dritat dhe uji, sipas Berishës, Rama i ka mashtruar shqiptarët, ndërsa e akuzon kreun e qeverisë edhe për shpopullimin e të rinjve.
”Nuk përmend dot suksese sepse ka mashtruar për çdo gjë shqiptarët. Se u thoshte ujë 24 orë, dhe tani ujë më keq se kurrë. Se u thoshte pensionet, rrogat, dhe tani në qoftë se rritet pensioni minimal aq, Shqipëria bie në katastrofë. Nuk përmend TVSH-në e ushqimeve që do ulte, paçka se çmimet kanë shkuar në stratosferë. Nuk përmend dot asgjë, asnjë premtim, sepse të gjitha janë mashtrime. Por mbi të gjitha, forcat tona politike janë forca të interesit kombëtar. Ne së bashku përfaqësojmë interesin kombëtar të shqiptarëve. Çfarë përfaqëson ai? Ai përfaqëson një nga armiqtë më të egër të kombit në të gjitha kohërat. Ai përfaqëson njeriun që në 12 vite qeverisje, përzuri nga Shqipëria 45 përqind të shqiptarëve. Ndaj dhe u etiketua si Pashiqi i Tiranës”,-tha Berisha.
Nga ana tjetër, Berisha nuk harroi ta etiketojë kryeministrin edhe si argat të presidentit serb dhe bëri thirrje për të shpëtuar Shqipërinë nga rreziku antikombëtar. ”Ai përfaqëson njeriun e parë në Europë që i vuri sanksione shtetit të pavarur të Kosovës për llogari të Beogradit. Miq, kush ka lexuar histori, do gjejë se Enver Hoxha i shkruante Stalinit: Shoku Stalin, Kosovën e lamë me Jugosllavinë se më e sigurt me Jugosllavinë. Mendja na thotë se vepruam drejt. Edi Rama, Kosovën e la me Vuçiçin. Edi Rama u shndërrua në argat të Vuçiçit. Dy ditë më parë, Departamenti i Shtetit, sekretari Marco Rubio dënoi Dodikun. Edi Rama hesht si fija e barit për aktet e tij destabilizuese. Pra kemi të bëjmë në këtë aspekt, shpëtimin e Shqipërisë nga një rrezik madhor antikombëtar që rrallë e ka pasur në histori, siç është Edi Rama”.
Burimi