Qeveria teknike, Gjiknuri: Jo në agjendën e PS, ja sa do kushtojë vota për emigrantët
Edhe pse me mosbindjet civile Partia Demokratike shprehet se kështu do të vijë qeveria teknike, sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri thotë se nuk është në agjendën e PS-së. Për të kërkesa e opozitës për qeveri teknike nuk ka asnjë bazë politike.
”Kjo është një dëshirë politike e pabazuar as në realitetin politikë dhe as në ligj. S’ka ndodhur kurrë që një opozita kërkon qeveri teknike dhe të bëhet qeveri teknike. Ato bëhen vetëm kur ka kriza të mëdha financiare, ose si u bë në ‘97. Por nuk shoh asnjë arsye për tu bërë. Është dëshirë për t’i thënë kundërshtarit, ik ti nga karrigia se dua që të vijë unë. Kjo s’ka as bazë politikë. Nuk është fare pjesë e agjendës së PS”,-tha në ”Report Tv”.
Sa i përket ndryshimeve në kodin zgjedhor, ai tha se deri më tani nuk ka një dakordësi me opozitën. Gjiknuri u shpreh se mund të shihet edhe mundësia e postës ekspres, por kjo sipas tij do të kishte një kosto të madhe për qeverinë. ”Vota e emigrantëve do të bëhet me post ekspres që do ta marr përsipër qeveria, por do të kishte një kosto të madhe, mbi 50 euro për zarf”, tha ai.
I pyetur sesa është numri i mandatave që parashikohet të marrin, ai tha se PS është e avantazhuar përballë opozitës e cila është e përçarë. Gjiknuri komentoi edhe votimin elektronik, për të cilin tha se PS ka propozuar Tiranën duke qenë se është një qark i madh. Sipas tij, votimi elektronik është një vendimmarrje vetëm e KQZ.
”Është e pamundur që të ndalohet procesi i numërimit dhe votimit elektronik, sepse është i përfshitë në legjislacionin shqiptar dhe nëse do të kishte një vendimmarrje që do ta nxirrte të pavlefshëm kjo do të ishte adresuar. Votimi elektronik ka qenë edhe kërkesë e opozitës. KQZ nuk është gati për ta bërë në më shumë se 3 qarqe dhe ne propozuam Tiranën duke qenë se është qarku më i madh, fleta e votimit është pak më e vështirë në Tiranë. E ka më të lehtë KQZ që këtë gjë ta bëjë në Tiranë dhe kjo është vendimmarrje e KQZ dhe jo një debat politikë”.
Burimi