Protestuesit izraelitë bllokojnë rrugët, kërkojnë lirimin e pengjeve dhe armëpushim
Protestuesit izraelitë kanë bllokuar autostrada nëpër vend të dielën, duke i bërë thirrje kryeministrit Benjamin Netanyahu të japë dorëheqje dhe të bëjë trysni për një armëpushim për lirimin e pengjeve që po mbahen në Gazë nga Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Demonstratat u mbajtën një ditë pasi ndërmjetësit ndërkombëtarë i ripërtërinë përpjekjet për ta ndërmjetësuar një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit.
Të shtunën, Hamasi e dha pëlqimin fillestar për një propozim amerikan për një marrëveshje për armëpushim në Rripin e Gazës, pasi hoqi dorë nga njëra prej kërkesave kryesore, thanë një zyrtar egjiptian dhe një i Hamasit për Associated Press.
Vendimi i Hamasit mund të bëjë që të ketë pushim të luftimeve për herë të parë prej nëntorit të kaluar, si dhe ta hapë rrugën për bisedime të mëtutjeshme për t’i dhënë fund luftës tashmë nëntëmujore.
Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.
Prej atëherë, lufta izraelite në Gazë i ka vrarë më shumë se 38.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.
Lufta gjithashtu ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme dhe ka nxitur një krizë të madhe humanitare në Gazë.
Protestuesit i bllokuan rrugët kryesore dhe demonstruan gjithashtu para shtëpive të anëtarëve të Parlamentit të Izraelit.
Një person e shuan zjarrin gjatë protestave antiqeveritare në ditën e protestave për shënimin e 9-mujorit të sulmit të 7 tetorit, Shoresh, Izrael, 7 korrik 2024.
Në afërsi të kufirit me Gazën, protestuesit izraelit i lëshuan 1.500 balona verdhezi, në nderim të atyre që u vranë dhe rrëmbyen.
Hannah Golan tha se doli për të protestuar kundër “braktisjes së komuniteteve tona nga Qeveria jonë”.
Ajo shtoi: “Sot janë bërë nëntë muaj nga ajo ditë e zezë, dhe akoma askush në Qeverinë tonë nuk merr përgjegjësi”.
Izraeli thotë se më shumë se 120 pengje po mbahen ende në Gazë, pasi më shumë se 100 të tjerë u liruan gjatë një armëpushimi të shkurtër në nëntor. Sipas tij, rreth 40 pengje kanë vdekur dhe druhet se më shumë do të vdesin me vazhdimin e luftës.
Bisedimet për armëpushimin kanë ngecur kohë pas kohe për shkak të kërkesës së Hamasit që çdo marrëveshje të përfshijë përfundimin e luftës.
Kryeministri Netanyahu ka ofruar ndërprerjen e përkohshme të luftimeve, por ka thënë se lufta nuk do të mbarojë derisa Izraeli ta shfarosë Hamasin dhe t’i kthejë të gjitha pengjet që po mbahen nga grupi militant.
REL
Burimi