Papa Françesku: Demokracia nuk gëzon shëndet të mirë, nevojitet frymë krijuese për të ardhmen

Papa Françesku: Demokracia nuk gëzon shëndet të mirë, nevojitet frymë krijuese për të ardhmen

Gjatë fjalimit të tij të parë në Qendrën e Kongreseve të Triestes, Papa Françesku nënvizon se “indiferenca është kancer i demokracisë”; ftesë e fortë për pjesëmarrje, që duhet stërvitur, pohon Françesku, me solidaritet dhe ndihmë vëllazërore, sepse vëllazëria i bën të lulëzojnë marrëdhëniet shoqërore e shqetëson abstensionizmin elektoral.
R. SH. – Vatikan
Papa Françesku e nisi takimin e parë në Trieste duke kujtuar se gjendet aty me rastin e Javës së 50-të Sociale. Për të shpjeguar, më pas, se historia e “Javëve” është e ndërthurur me historinë e Italisë, dhe kjo tashmë flet shumë: flet për një Kishë të ndjeshme ndaj transformimeve të shoqërisë, që synon të kontribuojë për të mirën e përbashkët. Të forcuar nga kjo përvojë – kujtoi – u thelluat në një temë shumë aktuale: “Në zemër të demokracisë. Pjesëmarrje ndërmjet historisë dhe së ardhmes”. I lumi Giuseppe Toniolo, i cili e nisi këtë nismë në vitin 1907, pohonte se demokraci mund të quhet “një rend civil, në të cilin të gjitha forcat shoqërore, ligjore dhe ekonomike, në zhvillimin e tyre të plotë hierarkik, bashkëpunojnë proporcionalisht me të mirën e përbashkët, duke rrjedhur në rezultatin e fundit në avantazhin mbizotërues të klasave të ulëta”. Në dritën e këtij përkufizimi, është e qartë se në botën e sotme demokracia nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Kjo na intereson dhe na shqetëson, sepse  është në rrezik mira e njeriut, e asgjë njerëzore nuk mund të jetë e huaj për ne.
Papa vijoi të kujtojë se në Itali sistemi demokratik fitoi pjekurinë pas Luftës II Botërore, falë edhe kontributit vendimtar të katolikëve. Mund të krenohemi me këtë histori, e cila u ndikua edhe nga përvoja e Javëve Sociale; pa e mitizuar të shkuarën, duhet të mësojmë nga ajo, për të marrë përsipër përgjegjësinë e ndërtimit të diçkaje të mirë në kohën tonë. E Papa kujtoi, në vijim një figurë që i përmbledh të gjitha këto dhe që është zgjedhur si simbolin e këtij takimi: atë të zemrës.
Dy reflektime, për udhën e së ardhmes
Duke u nisur nga kjo figurë, Papa propozoi dy reflektime për të ushqyer rrugën e së ardhmes:
“Në të parin – shpjegoi – mund ta përfytyrojmë krizën e demokracisë si zemër e plagosur. Sa herë që dikush përjashtohet, i gjithë trupi shoqëror vuan. Kultura e mbetjeve krijon një qytet ku nuk ka vend për të varfërit, të palindurit, të brishtët, të sëmurët, fëmijët, gratë, të rinjtë. Pushteti bëhet vetë-referencues, i paaftë për të dëgjuar dhe për t’u shërbyer njerëzve. Vetë fjala “demokraci” nuk përkon thjesht me votën e popullit, por kërkon që të krijohen kushtet që të gjithë të shprehen dhe të marrin pjesë”.
Për këtë qëllim, parimet e solidaritetit dhe ndihmës mbeten të frytshme. Në fakt, një popull mbahet së bashku nga lidhjet që e përbëjnë dhe lidhjet forcohen kur secili vlerësohet. Këtë theksoi Papa, duke vënë theksin mbi refketimin e parë:
“Demokracia kërkon gjithmonë kalimin nga përkrahja, në pjesëmarrje, nga ‘brohoritja’ në dialog. Të gjithë duhet ta ndjejnë veten pjesë e një projekti komunitar; askush nuk duhet të jetë i padobishëm. Disa forma të mirëqenies që nuk e njohin dinjitetin e njerëzve janë hipokrizi sociale. Ndërsa indiferenca, kancer i demokracisë”.
Reflektimi i dytë – vijoi – është inkurajim për të marrë pjesë, në mënyrë që demokracia t’i ngjasë zemrës së shëruar. Edhe në këtë drejtim ne duhet të punojmë me frymë krijuese. Nëse shikojmë përreth, vërejmë shumë shenja të veprimit të Shpirtit Shenjt në jetën e familjeve dhe të bashkësive. Edhe në fushën e ekonomisë, teknologjisë, politikës e shoqërisë. Të mendojmë për ata që ​​brenda një aktiviteti ekonomik krijuan hapësirë për personat me aftësi të kufizuara; punëtorët, që hoqën dorë nga e drejta e tyre, për të parandaluar largimin nga puna të të tjerëve; bashkësitë e energjisë së rinovueshme, që promovojnë ekologjinë integrale, duke u kujdesur gjithashtu për familjet në varfëri energjetike; për administratorët, që favorizojnë lindjet, punën, shkollën, shërbimet arsimore, shtëpitë, lëvizshmërinë për të gjithë, integrimin e emigrantëve:
“Vëllazëria i bën të lulëzojnë marrëdhëniet shoqërore; e nga ana tjetër, kujdesi për njëri-tjetrin kërkon guximin për ta menduar veten si popull. Demokracia me zemër të shëruar vazhdon të kultivojë ëndrra për të ardhmen, vihet në lojë, bën thirrje për përfshirjen personale e komunitare”.
Në vijim, duke folur për demokracinë, Papa kujtoi se nuk është kuti boshe, por e lidhur me vlerat e njeriut, të vëllazërisë dhe të ekologjisë integrale:
 “Kemi diçka për të thënë, por jo për të mbrojtur privilegjet. Duhet të jemi  zë që denoncon dhe propozon, në një shoqëri ku shumë nuk kanë zë. Kjo është dashuria politike[3], e cila nuk mjaftohet me trajtimin e efekteve, por përpiqet të trajtojë shkaqet. Është një formë bamirësie që lejon politikën të përmbushë përgjegjësitë e saj dhe të shpëtojë nga polarizimet, të cilat varfërojnë dhe nuk ndihmojnë për t’i kuptuar dhe për t’i përballuar sfidat”.
Thirrje për bashkësi politike
E gjithë bashkësia e krishterë – kujtoi në përfundim Papa – është e thirrur për bamirësi politike, në dallimin e misioneve e të karizmave. Të stërvitemi në këtë dashuri, për ta vënë në qarkullim në një botë, së cilës i mungon pasioni civil. Të mësojmë më shumë dhe më mirë për të ecur së bashku si popull i Zotit, për të qenë  tharm pjesëmarrjeje në mes të popullit,  pjesë e të cilit jemi:
Mund të ofrojmë vende për diskutim dhe dialog dhe të promovojmë sinergji për të mirën e përbashkët. Nëse procesi sinodal na ka stërvitur në dallimin e bashkësisë, horizonti i Jubileut na shikon aktivë, shtegtarë shprese, për Italinë e së nesërmes. Si dishepuj të të Ngjallurit, nuk pushojmë kurrë së ushqyeri besimin, të sigurt se koha është mbi hapësirën dhe nisja e proceseve, më e mençur se pushtimin hapësirave:
“Ky është roli i Kishës: të përfshijë shpresën, sepse pa të qeveriset e tashmja, por nuk mund të ndërtohet e ardhmja”.
Burimi