Operacioni policor, “Gjurmimi”, vë në pranga “skifterin” e Shkodrës
Policia e Shtetit njofton se në Shkodër është finalizuar operacioni policor “Gjurmimi”.
Kishte vjedhur me thyerje një banesë, kapet në flagrancë nga shërbimet e Policisë dhe vihet në pranga 34-vjeçari.
Sekuestrohen një sasi eurosh, disa bizhuteri, një televizor, sende të ndryshme, një automjet dhe dy celularë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, menjëherë pas marrjes së kallëzimit nga shtetasi E. N.,25 vjeç, se i kishin vjedhur me thyerje në banesën e tij, bizhuteri, para dhe sende të tjera me vlerë, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjurmimi”, ku u bë i mundur identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit B. H., 34 vjeç, banues në Shkodër.
Nga veprimet hetimore, dyshohet se ky shtetas, gjatë kohës kur nuk kishte njëri në shtëpi ka hyrë në banesën e shtetasit E. N., ku dyshohet se ka vjedhur një sasi eurosh, disa bizhuteri, një televizor dhe sende të ndryshme, një pjesë e të cilave u gjetën gjatë kontrollit të banesës së 34-vjeçarit dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me dy celularë dhe me automjetin.
Vijon puna nën drejtimin Prokurorisë për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Burimi