Ministri Balla nga Vlora ndan lajmin: Krijohet Trupa e Ndërhyrjes Teknike, për një sezon turistik të sigurt

Ministri Balla nga Vlora ndan lajmin: Krijohet Trupa e Ndërhyrjes Teknike, për një sezon turistik të sigurt

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka zhvilluar ditën e sotme një takim në Llogara, ku prezantoi nismën e re qeveritare të emëruar ‘TNT’, Trupa E Ndërhyrjes Teknike.
Trupa e Ndërhyrjes Teknike është e përbërë nga Policia e Shtetit, Urgjenca Kombëtare e Shërbimi Zjarrfikës, dhe do të jetë e lëvizshme e do të monitorojë akset me risk të shtuar.
Pjesë e takimit me ministrin ishin drejtues të strukturave përkatëse, Prefekti i qarkut të Vlorës, Kryetari i Bashkisë Vlorë etj.
Balla në fjalë e mbajtur, u shpreh se kjo paketë masash u mundësua për një sezon turistik të sigurt dhe pa incidente.
“U mundësua në kohë rekord paketa e masave për një sezon turistik të sigurt, përfshirë TNT, Trupa e Ndërhyrjes Teknike (Polici, Urgjenca, MZSH). Kjo është një zgjidhje e ofruar nga partnerët, për të garantuar ndërhyrje në kohë, urgjenca në raste incidentesh, shoqëruar nga Shërbimi Zjarrfikës dhe Policia e Shtetit”, tha Balla.
“Vlora ishte qarku më i madh me intensitet turistik në 2023, por edhe pritshmëritë për këtë vit janë të larta. Sot janë në rrugët tona 950 mijë makina, të targuara me targa shqiptare. Ne presim rritje me 30% të mjeteve me targa të huaja, nga 2.8 milion që ishin vjet, në 3.6 milion; shtuar dhe mbi 900 mijë me targa shqiptare që do qarkullojnë në rrugët tona. Ajo që ka ndodhur është se janë shtuar numri i mjeteve nga njëra anë, por është ulur numri i incidenteve rrugore edhe për shkak të punës së qeverisë, sa i përket në bindjen time, cilësisë së rrugëve. Kjo duhet të shoqërohet edhe me shumë masa shtesë nga Policia Rrugore në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, për të kontrolluar sigurinë rrugore. Edhe Tuneli i Llogorasë do të mbulohet me radarë. Dua të bëj një thirrje, që çdo shkelje e shpejtësisë të ndëshkohet, sepse vetëm kështu garantojmë sigurinë e jetës së çdo përdoruesi rruge”, ishte apeli i ministrit të Brendshëm.
Gjatë takimit, ministri i Brendshëm kishte një apel për çdo qytetar dhe strukturë, për të parandaluar zjarret, e ndëshkuar ashpër zjarrvënësit.
“Për sezonin e zjarreve, dua të lë disa porosi. Në tërësinë e tyre janë të qëllimshme, që nga djegia e tokave për pastrim etj. Ne me ligj e kemi detyruar që të marrë leje edhe për të djegur disa mbeturina. Rastet e fundit të zjarreve në Vlorë janë identifikuar autorët në 2 nga 3 rastet, thirrja ime është për prokurorinë e gjykatat, të marrin përgjegjësitë që u takojnë. Zjarret jo vetëm rrezikojnë pronën por edhe jetën, e kujtdo”, tha ai.
Burimi