Kryeministrja Meloni takon Presidentin e zgjedhur Trump në Mar-a-Lago

Kryeministrja Meloni takon Presidentin e zgjedhur Trump në Mar-a-Lago

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni bëri një udhëtim të papritur në Florida për t’u takuar me Presidentin e zgjedhur Donald Trump të shtunën në mbrëmje, në një përpjekje të një prej udhëheqësve kryesorë evropianë për të forcuar lidhjet me zotin Trump para se ai të marrë detyrën më 20 janar.
Detaje nga bisedimet nuk janë bërë publike, por Zëvëndëskryeministri italian Matteo Salvini tha të dielën se ato mbuluan një sërë çështjesh, përfshirë gjendjen e rëndë të Cecilia Salas, një gazetare italiane e arrestuar muajin e kaluar në Iran.

“Të lumtë Giorgia Meloni që takove Donald Trumpin për të folur për paqen, bashkëpunimin në industri dhe tregëti, sigurinë dhe lirimin e Cecilia Salas,” postoi zoti Salvini, kreu i partisë së koalicionit Liga, në platformën X.
Zonja Meloni u prit me duartrokitje në Mar-a-Lago, pas një prezantimi të saj nga presidenti i zgjedhur, sipas videove të shpërndara në mediat sociale nga gazetarët dhe të pranishëm të tjerë.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu me një grua fantastike, kryeministren e Italisë. Ajo vërtet ka triumfuar në Evropë,” tha zoti Trump, sipas një njoftimi në media.
Zonja Meloni konsiderohet si një partnere e fortë e mundshme për zotin Trump, duke pasur parasysh kredencialet e saj konservatore dhe stabilitetin e koalicionit të krahut të djathtë që ajo udhëheq në Itali që nga fundi i vitit 2022.
Kryeministrja Meloni ka krijuar gjithashtu një marrëdhënie të ngushtë me miliarderin Elon Musk, një aleat i ngushtë i Trump.
Tommaso Foti, ministri italian i çështjeve të BE-së dhe rajonale, tha të dielën se takimi, i cili nuk ishte njoftuar paraprakisht, tregoi se Italia mund të shërbejë si “një urë diplomatike midis dy botëve: Bashkimit Evropian dhe SHBA-së”.
Udhëtimi i zonjës Meloni vjen disa ditë përpara se ajo të takohet me Presidentin amerikan Joe Biden gjatë një vizite në Romë nga 9 deri më 12 janar.
Zoti Trump dhe zonja Meloni ndoqën shfaqjen e një dokumentari që vë në pikëpyetje hetimet penale dhe sfidat ligjore me të cilat u përball John Eastman, një ish-avokat i zotit Trump, i cili luajti një rol qendror në përpjekjet e pasuksesshme të tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
Një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet Meloni është arrestimi i gazetares Sala në Teheran më 19 dhjetor. Ajo u arrestua tre ditë pasi Mohammad Abedini, një biznesmen iranian, u arrestua në aeroportin Malpensa të Milanos me urdhër të SHBA-së nën akuzat se kishte siguruar pjesë dronësh që Uashingtoni thotë se u përdorën në një sulm janarin e kaluar që shakttoi vdekjene e tre ushtarëve amerikanë në Jordani. Irani ka mohuar të ketë pasur rol në sulm.
Zonja Meloni është udhëheqësja e fundit e huaj që viziton Presidentin e zgjedhur Trump në Florida që nga zgjedhjet e 5 nëntorit.
Ai është takuar me presidentin argjentinas Javier Milei, kryeministrin Viktor Orban të Hungarisë dhe kryeministrin kanadez Justin Trudeau./VOA/
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente