Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje mahnitëse nga plazhi i Darëzezës, në Fier
Bregdeti i Darëzezës në Fier është një nga zonat më të bukura buzë detit Adriatik, me një rërë kurative. Me 18 km vijë bregdetare ende për t’u shfrytëzuar, Qarku i Fierit ofron një potencial të vërtetë për zhvillimin e turizmit veror. Kryeministri Edi Rama zgjodhi sot disa pamje nga zona e Darëzezës, për të promovuar këtë pjesë të bregdetit të Adriatikut.
Plazhi i Darzezës, rreth 20 km larg Fierit, po frekuentohet gjithnjë e më shumë nga pushues vendas e të huaj. Darzeza, Semani, Ndërnënasi, Pish Poro janë vetëm disa nga plazhet e vijës bregdetare të Fierit, që në pjesën më të madhe të tyre janë ende të panjohura, edhe pse shumë të bukura dhe me pak shpenzime.
Plazhe ranore me shtrirje të konsiderueshme dhe brezi i pyllit të pishave që bashkëshoqëron vijën bregdetare të ofrojnë qetësi dhe argëtim në të njëjtën kohë.Hapësira pafund bregdetare me rërë të imët kurative, plazhe familjare me ujëra të ngrohta dhe të cekëta, të pasura me gjallesa ujore, janë ato që të ofron kjo pjesë e Adriatikut.
Ndërkohë gatimet tradicionale me prodhime vendase dhe çmime të përballueshme mbeten joshja e pushuesve në bregdetin e Fierit.
Vija bregdetare e Fierit nuk ofron vetëm plazhe, por edhe vende fantastike për aventurë, për qitje me pjatel në pyll, eksplorim, peshkim apo sporte ekstreme.
ATSH
Burimi