Kredia për shtëpi arrin në 26%, blerja e banesave kap rekordin e ri historik rreth 466 milionë eurosh

Kredia për shtëpi arrin në 26%, blerja e banesave kap rekordin e ri historik rreth 466 milionë eurosh

Kredia për shtëpi u rrit për të katërtin vit radhazi në 2023. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia e re për blerje banesash arriti rekordin e ri historik prej 48.5 miliardë lekësh, ose rreth 466 milionë eurosh.Kredia e re për banesa u rrit me 5.2% krahasuar me vitin 2022.Vlera e portofolit aktiv ose tepricës së kredisë për shtëpi në fund të vitit 2023 arriti në pothuajse 177.2 miliardë lekë, me rritje vjetore prej 6.3%. Pesha e kredisë për shtëpi ndaj totalit të huasë së dhënë në vend është rritur me shpejtësi, nga 19% në fund të vitit 2015 në 26% në fund të 2023-it.Ritmet e rritjes janë ngadalësuar krahasuar me vitin 2022, por pjesërisht kjo i detyrohet efektit të kursit të këmbimit dhe zhvlerësimit të Euros ndaj Lekut.Normat relativisht të ulëta të interesit kanë bërë që kredia për shtëpi të rritet sidomos në monedhën vendase. Kredia e re për shtëpi në Lek vitin e kaluar arriti në 30.2 miliardë lekë, në rritje me 36% krahasuar me një vit më parë.Kredia në monedhën vendase përbënte më shumë se 62% të disbursimeve të reja për këtë produkt.Gjatë vitit 2023, Banka e Shqipërisë e ngadalësoi procesin e normalizimit monetar dhe në fund të vitit, norma bazë në Lek ishte në nivelin 3.25%, ndërsa në Euro arriti në 4.5%.Norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën Lek në fund të vitit të kaluar ishte 4.85%. Ky nivel është pak më i lartë krahasuar fundin e vitit 2022, por nga ana tjetër është më i ulëti i regjistruar në vitin 2023, duke dëshmuar se shtrenjtimi i kredisë pothuajse u frenua vitin e kaluar.Ndërkohë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën Euro arriti në 5.2% në fund të vitit të kaluar, nga 4.55% që kishte qenë në fund të vitit 2022.
Burimi: Banka e Shqipërisë
Te kredia në Euro u vërejt një tendencë rritjeje graduale e normave, duke reflektuar shtrëngimin monetar të Bankës Qendrore Europiane dhe rritjen e Euriborit.Të dhënat tregojnë se edhe në muajt e parë të vitit 2024, kredia për shtëpi po vazhdon rritjen, pavarësisht se prej dy vitesh ekonomia ka hyrë në një cikël gradual të shtrëngimit monetar.Normat e ulëta të interesit e kanë bërë kredinë për shtëpi tërheqëse për huamarrësit, ndërsa paralelisht, cikli i rritjes së çmimeve të pasurive të paluajtshme në vitet e fundit ka rritur edhe kërkesën për kredi për shtëpi nga familjet, duke shtuar perceptimin se blerja e një prone është një investim i mirë për të ardhmen.Nga ana tjetër, rritja e çmimeve ka ndikuar në vlera më të mëdha të kredive të marra nga individët për të blerë banesa, duke kontribuar ndjeshëm edhe në rritjen e volumeve të përgjithshme të këtij produkti.Zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të kredisë bankare për prona vlerësohen me shqetësim nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), që në deklaratën e fundit për Shqipërinë i sugjeroi Bankës së Shqipërisë vendosjen e një shtese kundërciklike kapitali për sektorin bankar.Sipas FMN-së, vendosja e një shtese kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat tregtare mund të merret në konsideratë në afatin e mesëm, për të forcuar më tej stabilitetin financiar.Rritja vjetore e kredisë bankare, ndryshimi vjetor i kredisë bankare për pasuri të paluajtshme, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimit të banesave dhe ndryshimi vjetor i indeksit të çmimit të banesave ndaj vlerës së qirasë përmblidhen nga Banka e Shqipërisë në Indeksin e Treguesit të Paralajmërimit të Hershëm (TPHP).Në fund të vitit 2023, vlera e indeksit TPHP rezultoi 0.51, në rritje prej vlerës së tremujorit pararendës (0.49) dhe lehtësisht sipër vlerës së pragut krahasues (0.5).Ecuria e nëntreguesve të kredisë për pasuri të paluajtshme dhe të indeksit të çmimit të banesave, të cilët priren të përforcojnë ecurinë e njëri-tjetrit, monitorohet ngushtësisht.Qëllimi është që, duke përdorur edhe informacionet që lidhen me ngarkesën me borxh të familjeve, të identifikohen dhe parandalohen situatat në të cilat ecuria e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme është e paqëndrueshme.Sugjerimet për aplikimin e një norme kundërciklike nga FMN duket se mbështeten pikërisht te treguesit e paralajmërimit të hershëm dhe kryesisht te zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të kredisë së dhënë nga bankat për financimin e blerjes së tyre. /Monitor/
Kredia për shtëpi arrin në 26% të totalit
Burimi