I arrestuar për abuzim me fondet e BE-së, Beqaj mohon akuzat para togave të zeza

I arrestuar për abuzim me fondet e BE-së, Beqaj mohon akuzat para togave të zeza

Prej më shumë se 1 ore, Ilir Beqaj ndodhet në GJKKO ku po zhvillohet seanca gjyqësore ndaj tij për njohjen e masës së sigurisë.
Ish-ministri, i cili akuzohet se ka vjedhur fondet e BE-së gjatë kohës që ishte në krye të SASPAC, ka dalë para togave të zeza së bashku me 5 të akuzuarit e tjerë.
Por Ilir Beqaj ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij për abuzim me fondet gjatë dëshmisë në sallën e gjyqit në GJKKO.
KËRKESAT E SPAK
Siç bëhet me dije, vetëm dy javë kohë i është dashur Gjykatës së Posaçme për të marrë vendimin për caktimin e masave të sigurisë në lidhje me dosjen “SASPAC”.
Ka qenë vendimi i gjyqtares Rudina Palloi, ku bëhet me dije se Prokuroria e Posaçme e ka dërguar kërkesën në GJKKO me 21 qershor 2024 ndërsa vendimi është dhënë në 3 korrik 2024.
Prokurorja e çështjes është Elida Kackini, e cila i është drejtuar kësaj për të vendosur në total 8 masa sigurimi personal, por nga gjyqtarja janë pranuar vetëm 7 të duke rrëzuar kërkesën për caktimin e masës për shtetasen Marinela Jazoj.
Prokurorja Kackini kishte kërkuar “arrest me burg” për Ilir Beqaj, Ermal Kurtulajn, Alfred Nikollën, Gazmend Haxhiun dhe Elton Marinin, ndërsa gjyqtarja Palloj pranoi vetëm për 3 të parët dhe për Haxhiun dhe Marinin vendosi masën “arrest shtëpie”. SPAK kishte kërkuar “arrest në shtëpi” për Bledar Lekën, Marinela Jazoj dhe Jona Zijaj.
I vetmi që ka katër akuza është ish ministri Ilir Beqja ndaj të cilit SPAK ka ngritur akuzat e korrupsionit pasiv, mosdeklarimit dhe fshehjes së pasurisë, mashtrimit dhe pabarazisë në tendera.
Ndërsa të proceduarit e tjerë akuzohen për korrupsion aktiv dhe pasiv si dhe për mashtrim.
Por gjyqtarja e hetimit paraprak Rudina Palloi pranoi pjesërisht kërkesën e SPAK dhe caktoi vetëm 3 masa “arrest në burg”, 2 të tjerë i la në masën “arrest në shtëpi” dhe dy në masë më lehtësuese “detyrim paraqitje”.
TË HETUARIT
Për shtetasen Marinela Jazoj, për të cilën SPAK thotë se dyshohet se ka kryer veprën “korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë publikë” parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, GJKKO vendosi të mos pranojë kërkesën e prokurores për të caktuar masë ndaj saj.
Kjo e fundit sipas dosjes është drejtore ekzekutive në shoqatën e Investitorëve të Huaj “FIAA” dhe sipas SPAK se në dy raste kjo shoqatë ka blerë shërbime tek restoranti “Gzona” për organizimin e eventeve.
Në të paktën një rast, është kryer pagesë nga shoqata “FIAA”, me drejtore Marinela Jazoj, te shtetasja nën hetim M.T., e cila ushtronte detyrën pranë SASPAC, si nëpunëse finance në projektet e monitoruara SASPAC dhe njëherësh rezulton se ka kryer veprime për hartimin e dokumenteve për efekt të plotësimit të dokumentacionit të tenderave, shumë pas në kohë, se sa procedurat duhet të ishin realizuar faktikisht.
Këtë të premte, Ilir Beqaj dhe 5 personat nën masë sigurie dolën para gjykatës për vlerësimin e masës së sigurisë, por seanca u shty për sot në orën 12.30 pasi avokatët e tyre kërkuan kohë të njihen me fashikullin hetimor.
Ndërkohë që masa “arrest shtëpie” ndaj Gazmend Haxhiajt nuk është ekzekutuar, pasi ndodhet jashtë vendit
 
Burimi