Hyn në fuqi rritja e pagave për administratën, përfitojnë 135 mijë punonjës
Punonjësit e sektorit shtetëror duke nisur nga sot do të kenë një pagë të re. Sot futet në fuqi rritja për 135 mijë punonjës, që nga ushtria deri tek burgjet, arsimi e shëndetësia. Por sa lekë do të marrin shtesë këta punonjës?
Rritja për Forcat e Armatosura do të vijojë nga 7% deri në 22%, ku rritja më e madhe do të jetë tek ata që kanë pagën më të ulët. Për zjarrfikësit është parashikuar rritje pagash deri në 30%, ndërsa për punonjësit e burgjeve rritja nis nga 13% deri në 27%.
Ndërsa për mësuesit rritja është nga 20 mijë lekë deri në 22.8 mijë lekë sipas nivelit arsimor, dhe për punonjësit e shëndetësisë rritet me 20 mijë lekë paga për mjekët dhe me 15 mijë lekë për infermierët.
Me këtë rritje pagash të miratuar më 26 qershor 2024 paga mesatare në sektorin shtetëror arrin në 105 mijë lekë. Për këtë rritje të pagave, që është e fundit e reformës së ndërmarrë nga qeveria në vitin e kaluar, vetëm për periudhën korrik-dhjetor 2022 nga buxheti i shtetit do të shpenzohen afro 108 milionë euro për rritjen e pagave. Fatura do të rritet më tej në vitin e ardhshëm pasi për të mbajtur këtë nivel të ri pagash nga buxheti i shtetit do të shpenzohen afro 390 milionë euro.
Paralelisht me këtë rritje, prej 1 janarit 2026, të gjitha pagat e sektorit shtetëror do të indeksohen me normën e inflacionit. Indeksimi i rrogave të administratës do të bëhet një herë në dy vite.
Burimi