Gjykata e apelit lë në fuqi ligjin për shitjen ose ndalimin e platformës TiKTok në SHBA
Një gjykatë federale e apelit të premten konfirmoi ligjin që mund të çojë në ndalimin e aplikacionit TikTok brenda pak muajsh. Vendimi i dha një goditje të madhe platformës së njohur sociale ndërkohë që lufton për mbijetesë në Shtetet e Bashkuara.
Gjykata amerikane e Apelit e Uashingtonit mori vendim se ligji, i cili kërkon nga platforma TikTok të ndërpresë lidhje me kompaninë ByteDance, me seli në Kinë, pronë e së cilës është, apo t’i ndalohet qasja në Shtetet e Bashkuara nga mesi i muajit janar, është në përputhje me Kushtetutën, duke hedhur poshtë argumentin e platformës TikTok se ligji është në kundërshtim me Amendamentin e Parë dhe se pa të drejtë kishte vënë në shënjestër këtë platformë.
“Amendamenti i Parë ekziston për ta mbrojtur të drejtën e fjalës së lirë në Shtetet e Bashkuara”, tha gjykata në opinionin e saj. “Në këtë rast, Qeveria veproi për ta mbrojtur këtë të drejtë nga një shtet i huaj armiqësor dhe për t’ia kufizuar armikut mundësinë për të mbledhur të dhënat e banorëve në Shtetet e Bashkuara”.
Platforma TikTok dhe kompania ByteDance – njëra nga palët në rastin gjyqësor – pritet ta apelojnë rastin në Gjykatën e Lartë. Ndërkohë, Presidenti i zgjedhur Donald Trump, i cili u përpoq ta ndalojë TikTok-un gjatë mandatit të tij të parë dhe Departamenti i Drejtësisë gjatë mandatit të së cilit do të zbatonte këtë ligji, tha gjatë fushatës presidenciale se ai tani është kundër ndalimit të TikToku-ut dhe se do të punonte për “ta shpëtuar” platformën sociale.
Ligji, i cili u nënshkrua nga Presidenti Joe Biden në prill, ishte hapi i fundit i një sage shumëvjeçare në Uashington mbi aplikacionin me video të shkurtra, të cilin qeveria e konsideron si kërcënim për sigurinë kombëtare për shkak të lidhjeve me Kinën.
Shtetet e Bashkuara thonë se janë të shqetësuara se TikTok-u mbledh të dhëna të shumta nga përdoruesit e aplikacionit, përfshirë informacion të ndjeshëm rreth preferencave të tyre, që mund të përfundojnë në duart e qeverisë kineze. Zyrtarët po ashtu paralajmërojnë se algoritmi i platformës që përcakton se çfarë shohin përdoruesit në aplikacion ka mundësi të manipulohet nga autoritetet kineze, të cilat mund ta përdorin për t’i dhënë drejtim përmbajtjes në këtë platformë në një mënyrë që është e vështirë për t’u kuptuar.
Megjithatë, një pjesë e rëndësishme e informatave të qeverisë për këtë rast janë redaktuar dhe janë fshehur nga sytë e publikut, si dhe nga dy kompanitë.
TikTok-u, që paditi qeverinë rreth këtij ligji në maj, ka mohuar se po përdoret prej kohësh nga Pekini për të përgjuar apo manipuluar amerikanët. Avokatët e platformës kanë theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë dhënë prova që tregojnë se kompania i ka dorëzuar të dhënat e përdoruesve qeverisë kineze, apo që ka manipuluar përmbajtjen për t’iu përshtatur Pekinit në Shtetet e Bashkuara. Ata po ashtu kanë argumentuar se ligji parashtron rreziqet që mund të ndodhin në të ardhmen, të cilat Departamenti i Drejtësisë i ka theksuar, duke iu referuar pjesërisht një veprimi të paspecifikuar, për të cilin pretendon se dy kompanitë e kanë bërë në të kaluarën me kërkesën e qeverisë kineze.
Vendimi i të premtes u mor pasi trupa e gjykatës së apelit dëgjoi argumentet e palëve në muajin shtator.
Avokatët e dy kompanive pretendojnë se është e pamundur të shpronësohet platforma në aspektin komercial dhe teknologjik. Ata thonë se çfarëdo shitje e TikToku-ut pa algoritmin e lakmuar – elementi sekret i platformës që autoritetet kineze ka shumë mundësi ta bllokojnë nën çfarëdo plani të shpronësimit – do ta shndërronte versionin amerikan të TikTok-ut në një ishull të shkëputur nga përmbajtja tjetër globale.
Megjithatë, disa investitorë, përfshirë ish Sekretarin amerikan të Thesarit, Steven Mnuchin dhe miliarderin Frank McCourt kanë shprehur interesimin për ta blerë platformën. Ata thanë në fillim të këtij viti se po krijonin një konsorcium për ta blerë degën amerikane të biznesit të TikTok-ut.
Këtë javë, një zëdhënës i Nismës ‘McCourt’s Project Liberty’, që synon mbrojtjen e privatësisë në internet, tha që persona, të cilët nuk i identifikoi, që morën pjesë në fushatën e tyre kanë bërë oferta paraprake që arrijnë një kapital me shifrën mbi 20 miliardë dollarë.
Nëse gjykatat vazhdojnë ta mbajnë ligjin në fuqi, atëherë i mbetet Departamentit të Drejtësisë nën administratën e zotit Trump që ta zbatojë atë dhe të dënojë shkelësit e mundshëm me gjoba. Dënimet do t’u komunikoheshin platformave që shesin aplikacione, të cilave do t’u ndalohet ta ofrojnë TikTok-un, ndërsa kompanive të internetit do t’iu ndalohet që ta mbështesin atë
Burimi