Francë, raundi i parë i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare
Francezët votuan këtë të dielë në raundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që mund ta sjellin në pushtet qeverinë e parë të ekstremit të djathtë që nga Lufta e Dytë Botërore. Rreth 49.5 milionë francezë me të drejtë vote do të zgjedhin 577 anëtarë të Asamblesë Kombëtare. Presidenti Macron e çoi vendin në zgjedhjet e parakohshme pasi partia e tij u mposht në zgjedhjet e Parlamentit Evropian. Shumë analistë thonë se vendimi i zotit Macron ishte një “veprim i guximshëm”, ndërsa sondazhet tregojnë se “Bashkimi Kombëtar” pritet të fitojë shumicën në zgjedhjet parlamentare.
Qytetarët francezë hodhën votën e tyre në raundin e parë të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare, që mund ta sjellin në pushtet qeverinë e parë të ekstremit të djathtë që nga Lufta e Dytë Botërore, një ndryshim i mundshëm në zemër të Bashkimit Evropian.
Rezultati i zgjedhjeve me dy raunde, raundi i dytë do të zhvillohet në 7 korrik, mund të ndikojë në tregjet financiare evropiane, mbështetjen perëndimore për Ukrainën dhe mënyrën se si menaxhohet arsenali bërthamor i Francës.
Shumë votues francezë janë të pakënaqur nga inflacioni dhe situata ekonomike, duke fajësuar udhëheqjen e Presidentit Emmanuel Macron, të cilin ata e shohin si arrogant dhe larg realitetit. Partia kundër imigracionit e zonjës Marine Le Pen “Bashkimi Kombëtar”, që tani ka një drejtues të ri, e ka shfrytëzuar këtë pakënaqësi duke apeluar tek elektorati francez përmes rrjeteve sociale, si TikTok, dhe ka dominuar në sondazhet parazgjedhore.
“Është e habitshme që pak javë pas zgjedhjeve evropiane të shkojmë në zgjedhjet parlamentare. Kjo ishte e papritur. Një shpërbërje e papritur e Asamblesë Kombëtare”, thotë Serge Bonnefoi, votues.
“Nuk e prisja të votoja kaq shpejt, por do të bëj detyrën time si qytetar. Mendoj se vendi po përjeton vështirësi në qeverisje. Duhet të votojmë. Shpresoj që të rinjtë të votojnë dhe t’u japin një tronditje të madhe politikanëve”, thotë Olivier Sauvage, votues.
“Është e rëndësishme të përpiqemi të kthehemi në një lloj normaliteti, të paktën atë që unë e konsideroj normale dhe të përpiqemi ta bllokojmë ekstremizmin”, thotë Eveline Kosuth, votuese
Rreth 49.5 milionë francezë me të drejtë vote do të zgjedhin 577 anëtarë të Asamblesë Kombëtare.
Shifrat e mesidtës tregojnë për një pjesmarrje prej rreth 25.9% të votuesve, sipas shifrave zyrtare, shumë më e lartë se në vitin 2022, që për të njëjtën periudhë ishte 18.43%.
Presidenti Macron dhe bashkëshortja e tij votuan në Le Touquet, një qytet bregdetar në Francën veriore. Kundërshtarja e tij, Marie Le Pen votoi në bastionin e partisë së saj, në Francën veriore.
Presidenti Macron e çoi vendin në zgjedhjet e parakohshme pasi partia e tij u mposht në zgjedhjet e Parlamentit Evropian nga “Bashkimi Kombëtar” i Marine Le Pen-it. Shumë analistë thonë se ky veprim i zotit Macron ishte një “bast i guximshëm”, ndërsa sondazhet e fundit tregojnë se “Bashkimi Kombëtar” pritet të fitojë shumicën parlamentare.
Në këtë skenar, zonja Le Pen ka thënë se aleati i saj, 28-vjeçari Jordan Bardella do të marrë postin e kryeministrit. Sipas ekspertëve, diplomacia franceze mund të përjetojë një periudhë të turbullt, pasi zoti Macron ka thënë se do ta mbajë postin e presidentit deri në fund të mandatit në vitin 2027, dhe zoti Bardella, në postin e kryeministrit, do të përpiqet të ushtrojë të drejtën e tij për të folur në emër të Francës.
Franca ka pasur tre periudha “bashkëjetese”, kur presidenti dhe qeveria ishin nga kampe të kundërta politike në historinë e saj të pasluftës, por asnjë me botëkuptime të tilla, rrënjësisht të ndara që konkurrojnë për të drejtuar vendin.
Zoti Bardella ka lënë të kuptohet se do ta sfidojë Presidentin Macron për çështjet globale. Franca mund të kalojë nga të qenit një shtyllë e BE-së në një halë në sy, duke kërkuar uljen e kontributit francez në buxhetin e BE-së, dhe përplasur me Brukselin për postet udhëheqëse në Komisionin Evropian, mes të tjerash.
Zëri i Amerikës
Burimi