Franca në raundin e dytë të zgjedhjeve me të djathtën ekstreme që synon pushtetin

Franca në raundin e dytë të zgjedhjeve me të djathtën ekstreme që synon pushtetin

Franca po mban raundin e dytë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që mund t’i japin një fitore historike Bashkimit Kombëtar të ekstremit të djathtë të zonjës Marine Le Pen dhe vizionit të saj kundër migrantëve, ose të prodhojnë një përbërje të parlamentit që mund të çojë në bllokadë politike.
Presidenti francez Emmanuel Macron hyri në lojë të rrezikshme me shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve pas humbjes në zgjedhjet për Parlamentin Evropian me 9 qershor.
Zgjedhjet e parakohshme në vendin me armë bërthamore, do të ndikojnë në luftën në Ukrainë, diplomacinë globale dhe qëndrueshmërinë ekonomike të Evropës, dhe është pothuajse e sigurt se do të ndikojnë punën e presidentit Emmanuel Macron në tre vitet e mbetura të presidencës së tij.
Raundi i parë i 30 qershorit i solli rezultatin më të mirë ndonjëherë Bashkimit Kombëtar të zonjës Marine Le Pen.
Pak më shumë se 49 milionë veta janë regjistruar për të votuar në zgjedhje, të cilat do të përcaktojnë se cila parti kontrollon Asamblenë Kombëtare prej 577 vendesh, dhomën e ulët të parlamentit me ndikim të Francës dhe kush do të jetë kryeministër. Nëse mbështetja bie më tej për shumicën e dobët të presidentit Macron, ai do të detyrohet të ndajë pushtetin me partitë që kundërshtojnë shumicën e politikave të tij pro-biznesit dhe pro Bashkimit Evropian.
Kryeministri Gabriel Attal hodhi votën e tij në Vanves, paralagje e Parisit, të dielën në mëngjes.
Zonja Le Pen nuk voton sot, meqë distrikti i saj në Francën veriore nuk ka balotazh pasi ajo fitoi mandatin javën e kaluar. Në gjithë Francën, 76 kandidatë të tjerë siguruan vende në raundin e parë, duke përfshirë 39 nga Bashkimi Kombëtar dhe 32 nga aleanca e majtë, Fronti i Ri Popullor. Dy kandidatë nga lista e qendrës së zotit Macron fituan gjithashtu vendet e tyre në raundin e parë.
Racizmi dhe antisemitizmi kanë dëmtuar fushatën elektorale, së bashku me fushatat kibernetike ruse dhe më shumë se 50 kandidatë që raportuan se ishin sulmuar fizikisht, një zhvillim shumë i pazakontë për Francën. Qeveria ka vendosur 30,000 policë gjithandej vendit në ditën e votimeve.
Tensionet janë rritur në një stinë vere të veçantë për Francën. Parisi është gati të presë Lojërat Olimpike jashtëzakonisht ambicioze, ekipi kombëtar i futbollit arriti në gjysmëfinalen e Kampionatit Evropian dhe gara ‘Tour de France’ po zhvillohet në gjithë vendin së bashku me ecjen e pishtarit olimpik.
Zgjedhjet përfundojnë në orën 20:00 sipas kohës lokale në Francën kontinentale dhe në ishullin e Korsikës.
Votuesit që banojnë në Amerikë dhe në territoret franceze përtej detit, në Saint-Pierre-et-Miquelon, Saint-Barthélemy, Saint-Martin, Guadeloupe, Martinique, Guajana dhe Polinezia Franceze votuan të shtunën.
Zgjedhjet mund ta bëjnë Francën me qeverinë e saj të parë të ekstremit të djathtë që nga pushtimi nazist në Luftën e Dytë Botërore, nëse Bashkimi Kombëtar fiton një shumicë absolute dhe udhëheqësi i saj 28 vjeçar Jordan Bardella, bëhet kryeministër.
Por. rezultati përfundimtar mbetet shumë i paqartë. Anketat midis dy raundeve sugjerojnë se Bashkimi Kombëtar mund të fitojë më shumë vende në Asamblenë Kombëtare me 577 vende, por nuk do të sigurojë 289 vendet e nevojshme për një shumicë qeveritare. Kjo do të bënte histori, nëse një parti me lidhje historike me ksenofobinë dhe nënvlerësimin e Holokaustit, bëhet forca më e madhe politike e Francës.
Nëse kjo parti fiton shumicën, presidenti Macron do të detyrohet të ndajë pushtetin në një marrëveshje të vështirë të njohur në Francë si “bashkëjetesë”.
Një mundësi tjetër është që asnjë parti të mos ketë shumicën, duke çuar në një parlament jo funksional dhe mund ta detyrojë presidentin Macron të zhvillojë negociata me qendrën e majtë ose të emërojë një qeveri teknokratike, pa lidhje politike.
Të dyja rastet do të ishin të pashembullta për Francën bashkëkohore dhe do ta bënin më të vështirë për ekonominë e dytë të Bashkimit Evropian të marrë vendime të guximshme për armatosjen e Ukrainës, reformimin e ligjeve të punës ose uljen e deficitit të saj të madh. Tregjet financiare kanë qenë të shqetësuara që kur zoti Macron befasoi edhe aleatët e tij më të afërt në qershor duke shpallur zgjedhje të parakohshme, pasi Bashkimi Kombëtar fitoi shumicën e vendeve për Francën në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
Pavarësisht se çfarë do të ndodhë, zoti Macron tha se nuk do të tërhiqet dhe do të qëndrojë president deri në përfundimin e mandatit të tij në vitin 2027.
Shumë votues francezë, veçanërisht në qytetet e vogla dhe në fshatra, janë të zhgënjyer me të ardhurat e ulëta dhe një udhëheqje politike të Parisit që shihet si elitare dhe e pashqetësuar me vështirësitë e përditshme të punëtorëve. Bashkimi Kombëtar është lidhur me ata votues, shpesh duke fajësuar emigracionin për problemet e Francës dhe ka krijuar një mbështetje të gjerë dhe të thellë gjatë dekadës së fundit.
Zonja Le Pen ka zbutur shumë nga qëndrimet e partisë. Ajo nuk bën më thirrje për largim nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian. Por vlerat thelbësore të partisë së ekstremit të djathtë mbeten. Ajo kërkon një referendum për ta përcaktuar nëse të jesh i lindur në Francë është e mjaftueshme për të merituar shtetësinë, për të frenuar të drejtën e shtetësisë së dyfishtë dhe për t’i dhënë policisë më shumë liri për përdorimin e armëve.
Marrë nga Associated Press
Zëri i Amerikës
Burimi