“Ford” jep një milion dollarë donacion për inaugurimin e Presidentit Trump

“Ford” jep një milion dollarë donacion për inaugurimin e Presidentit Trump

Kompania amerikane e automjeteve “Ford Motor” i dhuroi 1 milion dollarë dhe një mori makinash për ceremoninë e inaugurimit që do të mbahet më 20 janar, Presidentit të zgjedhur Donald Trump. Lajmi u njoftua të hënën nga zyrtarët e kësaj kompanie.
Politikat e tarifave dhe mbi automjetet elektrike, të cilat po i shqyrton administrata e re amerikane pritet të kenë ndikim tek prodhuesit e automjeteve në Detroit, siç është kompania Ford, të cilët po përballen me vështirësi për të rritur prodhimin dhe për të shitur automjet elektrike.

Presidenti i zgjedhur republikan Trump ka propozuar tarifa për importet nga Meksika dhe Kanadaja, si dhe heqjen e një takse për veturat elektrike nga e cila përfiton kompania Ford.

Drejtuesi i kompanisë Ford, Jim Farley u tha gazetarëve në fillim të këtij muaji se ai është optimist se zoti Trump do të jetë i hapur për të dëgjuar pikëpamjet e tyre mbi këto çështje.
“Duke patur parasysh profilin e Ford-it si punëdhënës dhe rëndësinë që ka për ekonominë dhe prodhimtarinë amerikane, ma do mendja se administrata do të jetë shumë e interesuar për të dëgjuar pikëpamjet tona”, deklaroi drejtori Farley.
Kompanitë tjera të mëdha, siç janë Amazon dhe platforma Meta, po ashtu kanë dhuruar donacione për inaugurimin e zotit Trump.
Presidenti Trump kishte mbledhur 106.7 milionë dollarë për ceremoninë e vitit 2017, duke thyer rekordin.
Presidenti demokrat Joe Biden mblodhi 61.8 milionë dollarë për ceremoninë e tij të inaugurimit në vitin 2021, me kontribute nga kompanitë Pfizer, AT&T dhe Boeing./Voa
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente