Donald Trump kërcënon Panamanë: Nëse nuk jeni korrekt do të rimarrim “Kanalin e Panamasë” me forcën e ligjit!

Donald Trump kërcënon Panamanë: Nëse nuk jeni korrekt do të rimarrim “Kanalin e Panamasë” me forcën e ligjit!

Presidenti i zgjedhur Donald Trump kërcënoi të dielën të rikthejë kontrollin amerikan mbi Kanalin e Panamasë, duke akuzuar Panamanë për zbatim tarifash të tepruara për shfrytëzimin e kalimit në Amerikën Qendrore dhe duke nxitur një reagim të ashpër nga presidenti panamez Jose Raul Mulino.
Duke folur para një turme mbështetësish në Arizona të dielën, zoti Trump tha gjithashtu se nuk do të lejonte që kanali të bjerë në “duar të gabuar”, duke paralajmëruar për ndikimin e mundshëm kinez.

Kina nuk e kontrollon apo administron kanalin, por një degë e CK Hutchison Holdings me seli në Hong Kong ka menaxhuar prej kohësh dy porte në hyrjet e Karaibeve dhe Paqësorit në kanal.
Presidenti i zgjedhur i bëri komentet disa orë pasi ai bëri një kërcënim të ngjashëm kundër Panamasë në një postim në platformën Truth Social të shtunën mbrëma.
“A ka dëgjuar dikush ndonjëherë për Kanalin e Panamasë?”, tha zoti Trump të dielën në AmericaFest, një ngjarje vjetore e organizuar nga Turning Point, një grup konservator. “Sepse ne po na rrjepin në Kanalin e Panamasë sikurse po na rrjepin kudo tjetër”.
Komentet e zotit Trump janë një shembull jashtëzakonisht i rrallë që një udhëheqës amerikanë të thoshte se mund të shtynte një vend sovran të dorëzonte territorin. Ai gjithashtu nënvizon një ndryshim të pritshëm në diplomacinë amerikane nën zotin Trump, i cili historikisht nuk i është shmangur kërcënimit të aleatëve dhe përdorimit të retorikës së fortë kur ka të bëjë me homologët.
“Tarifat që zbatohen nga Panamaja janë qesharake, shumë të padrejta”, tha zoti Trump. “Iu dha Panamasë dhe popullit të Panamasë, por ka kushte. Ju duhet të na trajtoni me drejtësi dhe ata nuk na kanë trajtuar me drejtësi. Nëse parimet, morale dhe ligjore, të këtij gjesti madhështor të dhënies nuk pasohen me vepra, atëherë ne do të kërkojmë që të na kthehet Kanali i Panamasë, i plotë, shpejt dhe pa diskutim”.
Në një mesazh të regjistruar të publikuar nga presidenti panamez Mulino të dielën pasdite, udhëheqësi i vendit tha se pavarësia e Panamasë ishte e panegociueshme dhe se Kina nuk kishte asnjë ndikim në administrimin e kanalit. Ai mbrojti gjithashtu tarifat, duke thënë se ato nuk ishin vendosur “në një trill”.
“Çdo metër katror i Kanalit të Panamasë dhe zonës përreth i përket dhe do të vazhdojë t’i përkasë Panamasë”, tha Presidenti Mulino në deklaratën që u publikua në platformën X.
Disa politikanë të tjerë panamezë, përfshirë edhe përfaqësues të opozitës, postuan në mediat sociale duke kritikuar deklaratat e zotit Trump.
Shtetet e Bashkuara ndërtuan kryesisht kanalin dhe administruan territorin përreth kalimit për dekada. Por, në vitin 1977 Shtetet e Bashkuara dhe Panamaja nënshkruan një palë marrëveshjesh që hapën rrugën për kthimin e kanalit nën kontrollin e plotë të Panamasë. Shtetet e Bashkuara dorëzuan kontrollin e kalimit në 1999 pas një periudhe administrimi të përbashkët.
Kanali që lejon deri në 14,000 anije të kalojnë në vit, përbën 2.5% të tregtisë globale në det dhe është thelbësore për importet amerikane të makinave dhe mallrave komerciale nga anijet me kontejnerë nga Azia dhe për eksportet e mallrave të SHBA-së, përfshirë gazin e lëngshëm natyror./VOA/

Historia e krijimit të Kanalit të Panamasë nga SHBA:
Kanali i Panamasë, është një kanal madhështor i ndërtuar nga duart e njeriut i cili gjendet në pjesën më të ngushtë të Amerikës së Mesme, dhe i cili e bashkon Oqeanin Atlantik (Detin e Karaibeve) me Oqeanin Paqësor (Gjirin e Panamasë).
Ndërtimi i Kanalit të Panamasë filloi në vitin 1883, ndërsa u përfundua në vitin 1914. Ai është 82 kilometra i gjatë dhe shtrihet përmes Ngushticës së Panamasë, për të lidhur Oqeanin Atlantik me atë Paqësor. Në pikën e tij më të ngushtë, ky kanal është vetëm 91,5 metra i gjerë, kurse në pikën më të gjerë ai është plot 350 metra. Ndërsa, thellësia e tij është 13,7 metra. Për ndërtimin e këtij kanali u desh që të gërryheshin gjithsejtë 204.900.701 metra kub të dheut.
Ideja për ndërtimin e një kanali përmes Panamasë daton që nga shekulli i 16-të.
Në vitin 1513, eksploruesi spanjoll Vasco Nunez de Balboa ishte evropiani i parë që brezi tokësor i Panamasë ishte veçse një urë e ngushtë tokësore që i ndante dy oqeanet. Zbulimi i tij i nxiti kërkimet për një shteg natyral të ujit që i lidhte dy oqeanet. Në vitin 1534, pasi që një shteg i tillë nuk u gjet, Karli i V, Perandori i Shenjtë Romak, urdhëroi një vëzhgim për të vendosur nëse një shteg i tillë mund të ndërtohej. Në fund, vëzhguesit vendosën që ndërtimi i një kanali të tillë ishte i pamundur.
Njerëzit që e ndërtuan Kanalin e Suezit dhe Kullën e Aifelit u dënuan për dështimin e ndërtimit të këtij kanali.
Në shekujt pasues, kombet e ndryshme e shqyrtuan mundësinë për ndërtimin e Kanalit të Panamasë. Mirëpo, asnjë tentim serioz nuk u ndërmorr deri në vitet 1880. Në vitin 1881 një kompani franceze e udhëhequr nga Ferdinand Lesseps, një ish diplomat i cili e zhvilloi Kanalin e Suezit, filloi punimet e gërryerjes për hapjen e një kanali nëpërmjet Panamasë. Planifikimi i dobët, problemet inxhinierike dhe sëmundjet tropikale, të cilat i vranë mijëra punëtorë, e rënduan tej mase projektin. Ideja fillestare ishte që ashtu si Suezi edhe kanal të ndërtohej në nivel të detit pa dyer bllokuese. Duke qenë se gërryerja e dheut doli të ishte më e vështirë, Gustave Eiffel, dizajnuesi i Kullës së Aifelit, u angazhua më vonë që të ndërtonte dyert bllokuese. Pas investimit të rreth 260 milionë dollarëve amerikan dhe gërryerjes së rreth 53,5 milionë metrave kub të dheut, ky projekt dështoi. Në Francë u bë skandal i madh dhe për rrjedhojë De Lesseps, i biri i tij Çarlsi (Charles), Eiffeli dhe disa të tjerë u akuzuan dhe u dënuan për mashtrim dhe keq menaxhim. Në vitin 1894 një kompani tjetër franceze u krijuar për të marrë përsipër asetet e biznesit të bankrotuar dhe të vazhdonte punimet në kanal. Sidoqoftë, firma e dytë shumë shpejt e braktisi këtë projekt.
Fillimisht SHBA-ja dëshironte ta ndërtonte një kanal në Nikaragua.
Përgjatë viteve 1800, SHBA-të kërkonin të ndërtonin një kanal që i bashkonte këto dy oqeane përmes Nikaraguas. Ky projekt, për SHBA-të ishte i rëndësishëm për shkaqe ekonomike, dhe ushtarake. Mirëpo. Falë përpjekjeve të Philippe-Jean Bunau-Varilla, një inxhinier francez, ky qëndrim ndryshoi dhe përfundimisht në vitin 1902, Kongresi Amerikan e miratoi blerjen e aseteve franceze. Një vit më vonë, kur Kolumbia (pasi që Panamaja ishte pjesë e saj asokohe) refuzoi që të ratifikonte marrëveshjen që i lejonte SHBA-të ta ndërtonin këtë kanal, populli i Panamasë me mbështetje nga Bunau-Varilla dhe miratimin e Presidentit Amerikan Theodore Roosevelt, u revoltuan kundër Kolumbisë dhe e shpallën pavarësinë e tyre. shumë shpejt më vonë, Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, John Hay dhe Bunau-Varilla, duke vepruar si përfaqësues të qeverisë së përkohshme të Panamasë e nënshkruan Traktatin Hay-Bunau-Varilla, i cili i dha Amerikës të drejtat mbi një zonë prej rreth 1200 kilometra katror dhe e cila do të ishte nën zotërimin e përhershëm të SHBA-ve. Përfundimi i këtij projekti gjigand, në dukje të pamundur, në fund i kushtoi SHBA-ve plot 375 milionë dollarë. Në këtë kosto përfshihen edhe pagesa prej 10 milionë dollarë për Panamanë si kusht i Traktatit të vitit 1903, dhe 40 milionët për blerjen e aseteve franceze.
Më shumë se 25000 punëtorë vdiqën gjatë ndërtimit të këtij kanali
Gjatë punimeve franceze më shumë se 20.000 punëtorë vdiqën gjatë punimeve si pasojë e terrenit, lagështisë së madhe, reshjeve të dendura, dhe sëmundjeve tropikale. Pas vazhdimit të projektit nga SHBA-të nga viti 1904 deri në vitin 1913, jetën e humbën edhe 5.600 punëtorë të tjerë. Rënia e dukshme në numrin e vdekjeve erdhi kryesisht si pasojë e mjekësisë moderne, gjegjësisht zbulimit të lidhjes së mushkonjave me përhapjen e sëmundjeve tropikale. Kështu falë masave sanitare ku përfshiheshin kullimi i zonave me ujë të ndenjur, prishja e zonave të mbarështimit të insekteve dhe vendosja e rrjetave në dritaret e ndërtesave, numri i vdekjeve është shumë më i vogël.
Çdo vit , 13000 deri në 14.000 anije kalojnë nëpër këtë kanal.
Çdo anije që kalon nëpër këtë kanal duhet të paguajë taksë e cila bazohet në madhësinë e anijes dhe vëllimin e ngarkesës së saj. anijet e mëdha mund të paguajnë deri në 450.000 dollarë amerikan. Taksa më e vogël që është vjelë në këtë kanal ishte 36 cent dhe ajo u regjistrua në vitin 1928 dhe u pagua nga aventuristi amerikan Richard Halliburton, i cili e kaloi me not këtë kanal. Duke qenë se nëpër këtë kanal sot kalojnë 13.000 deri në 14.000 anije, vlera e taksave të vjela në këtë kanal shkon deri në 1,8 miliardë dollarë amerikan. Mesatarisht një anije e kalon kanalin për 8-10 orë. Kur anijet kalojnë nëpër kanal drejtimi i tyre kalon në duart e kapitenëve të kanalit të cilët janë të trajnuar posaçërisht për këtë punë.
Në vitin 1999, SHBA-të ia transferuan Panamasë kontrollin e kanalit.
Pas hapjes së kanalit, për vite të tëra marrëdhëniet në mes të Panamasë dhe SHBA-ve vazhduan që të tensionoheshin në lidhje me kontrollin e kanalit dhe zonës përreth kanalit. Në vitin 1964, panamezët u ngritën në revoltë dhe më pas Panamaja i prishi përkohësisht marrëdhëniet e saj me SHBA-të. Në vitin 1977, Presidenti Carter dhe Gjenerali Omar Torrijos nga Panamaja i nënshkruan traktatet që do t’ia kalonin Panamasë kontrollin e kanalit në vitin 1999, por që i jepnin SHBA-ve të drejtën për të përdorur forcën ushtarake për të mbrojtur këtë kalim ujor nga çdo kërcënim ndaj neutralitetit të tij. Përkundër kundërshtimeve, në vitin 1978 Senati i SHBA-ve e ratifikoi Traktatin Torrijos-Carter. Rrjedhimisht, në dhjetor të vitit 1999, kanali iu transferua Panamasë në mënyrë paqësore. Që atëherë, Panamaja ka qenë përgjegjëse për të.
Kohëve të fundit, kanali u zgjerua për të pranuar mega anijet moderne.
Në vitin 2007, filluan punimet për realizmin e një projekti me vlerë 5.25 miliardë dollarë amerikan. Në kuadër të këtij projekti kanali u zgjerua që të mund të pranojë mega anijet moderne. Ky projekt u përfundua në vitin 2016. Falë këtij projekti, nëpër këtë kanal tani mund të kalojnë anijet që mund të bartin deri në 14.000 kontejnerë gjashtë metra të gjatë. Ky është pothuajse trefishi i kapacitetit të mëparshëm. Sidoqoftë, ky kanal ende nuk i përballon dot anijet me kapacitet prej 18.000 kontejnerë gjashtë metra të gjatë.

 
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente