Bullgarët protestojnë kundër euros, pavarësisht popullaritetit gjithkund të saj

Bullgarët protestojnë kundër euros, pavarësisht popullaritetit gjithkund të saj

20 vende të BE-së janë anëtarë të monedhës së përbashkët, me Bullgarinë që synon të anëtarësohet deri në vitin 2026 (Foto: Milena Staykova, BTA)
Çmimet, si opinionet, janë të prirur për të ndryshuar. Bullgaria dëshiron të bashkohet me eurozonën, por po përballet me kundërshtimin e brendshëm të ekstremit të djathtë. Protestat në Sofje kundër monedhës janë në kontrast me praninë e lartë të monedhës së përbashkët gjithkund tjetër.
Kundërshtarët e ekstremit të djathtë të miratimit të planifikuar nga Bullgaria të monedhës së përbashkët evropiane sulmuan së fundmi zyrat e përfaqësisë së Bashkimit Evropian në Sofje duke shkaktuar tronditje dhe dënim.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha në X se kishte “skena skandaloze në Sofje ku zyra jonë e BE-së është vandalizuar”.
“Në Evropë, ne ushtrojmë të drejtën për të demonstruar në mënyrë paqësore. Dhuna dhe vandalizmi nuk janë kurrë zgjidhja”, shtoi ajo në përgjigje të sulmit të së shtunës.
Qeveria bullgare e “dënoi me vendosmëri” incidentin, në një postim në faqen e saj zyrtare në Facebook.
Protesta e organizuar nga partia nacionaliste pro ruse ”Vazrazhdane” (”Ringjallja”), u përshkallëzua në vandalizëm, kur demonstruesit u përpoqën të sulmonin ndërtesën dhe një koktej molotov i vuri flakën për pak kohë derës së përparme.
Dritaret u thyen dhe godina u sulmua me vezë dhe bojë të kuqe.
Turma dogji një foto të presidentes së Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde.
Gjashtë persona u arrestuan dhe 10 oficerë policie u plagosën lehtë ndërsa turma u shpërnda me gaz lotsjellës. Rreth 2 000 deri në 3 000 njerëz morën pjesë.
Progres i qëndrueshëm drejt eurozonës
Procesi aktual i anëtarësimit në eurozonën prej 20 anëtarësh është i ndërlikuar, teknik dhe jashtëzakonisht i vështirë.
Në ditët pas skenave të dhunshme të së shtunës në rrugët e Sofjes, ekzekutimi i vazhdueshëm nga qeveria bullgare i hapit të radhës burokratik për t’u bashkuar me eurozonën ishte një kontrast i qetë.
Të hënën, Sofja i kërkoi komisionit dhe BQE-së të përgatisin të ashtuquajturin raport konvergjence për Bullgarinë, pasi të dhënat në janar treguan se norma e inflacionit ishte 2,6%.
Me inflacion mjaft të ulët, vendi beson se ka përmbushur kriterin e fundit për t’u bashkuar me eurozonën: stabilitetin e çmimeve.
BE-ja krijoi kushtet e saj të hyrjes ekonomike për të siguruar që ekonomia e një shteti anëtar të jetë gati të adoptojë euron dhe të mund të integrohet pa probleme në eurozonë pa rrezik përçarjeje për vendin ose bllokun e monedhës në tërësi.
Përveç inflacionit dhe stabilitetit të çmimeve, masa të tjera kyçe përfshijnë financat e shëndosha publike, stabilitetin e kursit të këmbimit dhe normat afatgjata të interesit, për të vlerësuar qëndrueshmërinë e tranzicionit në euro.
Qeveria bullgare dëshiron të miratojë monedhën deri në janar 2026. Kryeministri Rosen Zhelyazkov u tha gazetarëve se ai pret që ”raporti i konvergjencës të jetë gati deri në qershor”.
Rezistencë e fortë
Megjithatë, sulmi ndaj zyrës së BE-së në Sofje nënvizoi se si ndihen kundërshtarët për këtë veprim dhe cenueshmërinë e tyre ndaj shfrytëzimit.
Tubimet kundër euros të organizuara nga ”Vazrazhdane” datojnë të paktën në dhjetor 2022 dhe partia ka bërë fushatë për një referendum për bashkimin e monedhës.
Ish-kryeministri bullgar, Kiril Petkov dhe bashkëkryetari i partisë ”Vazhdojmë me ndryshimin” pretenduan se nxitësi pas protestës ishte Kremlini.
Një tjetër politikan i opozitës me ndikim, kreu i ”Fillimi i ri”, Delyan Peevski, e përshkroi incidentin si një “provokim brutal nga një bandë fashistësh rreth udhëheqësit të ”Vazrazhdane”-s, Kostadin Kostadinov”.
Katër ditë pas sulmit, Kostadinov i tha parlamentit se qeveria bullgare po shkelte dëshirat e publikut.
”Kjo protestë ishte vetëm fillimi”, shtoi ai.
Të kujdesshëm ndaj rritjeve të mundshme të çmimeve, bullgarët në tërësi nuk janë në nxitim për t’u bashkuar me euron.
Sipas një sondazhi të kryer nga instituti ”Myara” në janar, më shumë se gjysma (57,1%) janë kundër futjes së euros “në parim”, ndërsa 39% janë pro.
Vetëm 25,7% mbështesin anëtarësimin në eurozonë që në vitin 2026.
Kroacia, anëtarja më e re e eurozonës, miratoi euron në janar 2023, mes shumë debateve publike rreth rritjes së çmimeve dhe humbjes së sovranitetit monetar.
Hyrja e Kroacisë ndodhi në mes të një rritjeje të çmimeve, jo vetëm në Kroaci, por në të gjithë Evropën, e cila filloi shumë më herët dhe nuk kishte asnjë lidhje me kalimin në euro.
Megjithëse statistikat zyrtare tregojnë se tranzicioni pati një ndikim shumë të kufizuar në çmime, kundërshtarët e euros e fajësojnë atë për inflacion të lartë.
Kjo përkundër faktit se inflacioni ka qenë shumë më i lartë në vende të krahasueshme që nuk kanë adoptuar monedhën e përbashkët, si Hungaria, Polonia dhe Rumania.
Sipas sondazhit të BE-së nga dhjetori, Kroacia është i vetmi vend i eurozonës në të cilin më shumë njerëz mendojnë se monedha është e keqe për vendin e tyre (46% e të anketuarve) sesa e mirë (44%).
Kjo krahasohet me një mbështetje mesatare të monedhës së përbashkët në të gjitha vendet e eurozonës prej 71%.
Armiqësia ndaj euros nuk është asgjë e re. Kur u prezantua 25 vjet më parë, nuk ishte dashuri me shikim të parë, me shumë qytetarë që edhe atëherë e perceptonin kalimin si një rritje të padëshiruar të çmimit.
Në Gjermani, monedha quhej “teuro”, një lojë fjalësh “teuer” (që do të thotë e shtrenjtë) dhe euro.
Por, qëndrimet janë zbutur me kalimin e kohës, duke pasur parasysh lehtësinë e udhëtimit dhe të të bërit biznes përtej kufijve, pa pasur nevojë të shqetësohen për luhatjet e këmbimit valutor.
Suedia, prej shumë vitesh skeptike ndaj euros, ka parë gjithashtu ndryshimin e qëndrimeve. Një referendum në 2003 pa 56% të votave kundër euros – një shifër që u ngjit në pothuajse 80% gjatë krizës financiare të eurozonës.
Edhe pse sondazhet e opinionit vitin e kaluar tregojnë një rritje të madhe të ndjenjës pozitive, duke shkuar nga 23% në favor në 2023 në 34% vitin e kaluar, pasi një kronë e dobët suedeze – e goditur nga kriza Covid-19 dhe lufta në Ukrainë – e bëri më të shtrenjtë për suedezët udhëtimin jashtë vendit.
Përdorimi i euros jashtë BE-së
Dëshmitë e avantazheve të monedhës nga vendet joanëtare të BE-së janë gjithashtu të dukshme.
Euro ka shumë vite që përdoret gjerësisht në Shqipëri.
Vendi ballkanik është kandidat për anëtarësim në BE dhe kryesisht eksporton në tregje duke përdorur monedhën e përbashkët evropiane.
Edhe shumë shqiptarë që jetojnë jashtë dërgojnë në shtëpi para’ në euro.
Kosova, joanëtare e BE-së, gjithashtu ka përdorur euron që nga viti 2002./  a.jor. (AFP, ANSA, ATSH, BTA, dpa, HINA dhe TT).
– Kjo analizë është edhe kontribut i Agjencisë Telegrafike Shqiptare –
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente