Blendi Gonxhja në premierën e filmit “The Ring”, që shfaqet për herë të parë në Tiranë, Nju Jork dhe Tel Aviv
Blendi Gonxhja, ministër i Kulturës dhe Ekonomisë, shkruan në postimin e tij në facebook: “I nderuar të merrja pjesë në premierën e filmit “The Ring”, që shfaqet për herë të parë në Tiranë, Nju Jork dhe Tel Aviv, vepër e regjisorit dhe aktorit të mirënjohur izraelit Adir Miller, me ftesë të Ambasadores së Izraelit në Shqipëri, znj. Galit Peleg, si një bashkëpunim me MEKI, vetëm pak ditë para 80-vjetorit të çlirimit të ish-kampit nazist të Aushvicit dhe në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit.
Shqipëria ka luajtur një rol të rëndësishëm në mikpritjen dhe Besën e dhënë për shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke hapur dyert e saj dhe duke u kthyer në një strehë mbrojtëse në momentet më të vështira për ta.
Në një botë ku historia herë harrohet e herë keqkuptohet, arti dhe filmat na ndihmojnë të reflektojmë për të kaluarën e përbashkët dhe të përcjellim kujtesën e mësimet përjetë ndër breza.
Filmi tregon një histori të vërtetë e të dhimbshme, nga një këndvështrim krejt i pazakontë rrëfimi, realist, prekës por dhe shumë aktual, që e bën unik krijimin e komedianit Adir Miller.
Iniciativa të tilla shërbejnë si ura lidhëse mes kulturave tona dhe forcojnë më tej miqësinë mes popujve tanë, duke promovuar traditat dhe vlerat tona njerëzore”.
Burimi