Berisha tek FRPD, motivon të rinjtë dhe sulmon Ramën: U bë një grusht shteti brenda shtetit

Berisha tek FRPD, motivon të rinjtë dhe sulmon Ramën: U bë një grusht shteti brenda shtetit

Shkolla Politike e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, zhvilloi ceremoninë e diplomimit të studentëve të saj politikë. Kreu i PD-së, Sali Berisha u kujtoi të rinjve dashurinë për familjen, vendin dhe Zotin, dhe theksoi rolin e sakrificës pasi sipas tij në kohë lufte duhet të sakrifikosh, pa i munguar edhe sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama, duke kujtuar atë që e cilësoi si “puç për të marrë opozitën”.
”Dua t’ua përsëris, se e kam thënë herë tjetër dhe nuk më vjen mirë kur përsëris veten, në kohë lufte kërkohet të sakrifikosh, jashtë lufte nuk ka asnjë burim më të fuqishëm motivimi për ju, për çdo njeri se sa dashuria për vendin, ajo që ti ndjen detyrim të kontribuosh në lartësimin e tij, në zhvillimin e tij, ta shohësh atë çdo ditë dhe më të bukur. Kjo është një vlerë e konservatorëve, këtu qëndrojmë ne, ne jemi atdhetarë, jemi patriotë dhe ju e keni dëshmuar këtë”, u shpreh ish-kryeministri ndër të tjera.

Po ashtu Berisha u kujtoi atyre se kam përjetuar revolucionin e dhjetorit 1990 dhe këtu ka ish-studentë të asaj kohe. ”Duhet ta dini që ABC-ja e tyre politike ishte vetëm instinkti për lirinë. Ata guxuan të jenë vetja e tyre. Ndaj dhe të jesh lider, kurrë mos harroni, duhet të guxoni të jeni vetja juaj. Duhet të guxoni të jeni vetja juaj, por kjo është vetëm një aspekt. Për çfarë e përdor guximin? Cilat janë vendimet që merr? Lideri është vendimmarrës, një lider merr vendime, i peshon dhe vendos”, tha kreu i PD.

Në fund të fjalës së tij, Berisha nuk i mungoi edhe sulmet ndaj mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama në veçanti, duke kujtuar se ka kapur drejtësinë dhe se i bëri “puç” edhe opozitës për ta marrë. ”Në luftën me të keqen, njeriu kurrë nuk duhet të nënshtrohet dhe ju nuk jeni nënshtruar. Nuk u nënshtruat edhe në atë përpjekje që tejkalon çdo imagjinatë kur u bë një grusht shteti brenda shtetit për t’i dorëzuar Edi Ramës edhe opozitën. Pasi i dorëzuan drejtësinë, pasi i dorëzuan zgjedhjet, duhet t’i dorëzonin edhe atë opozitë që qytetarët shqiptarë në terror, në grabitje e kishin votuar si kundërshtare të qeverisë. Kjo është e vërteta”, përfundoi ai.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente