
Administrata Trump mbyll 80% e programeve të USAID-it
Bota E Hënë, 10 Mars 2025 19:17
Administrata Trump ka anuluar më shumë se 80 për qind të programeve të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) pas një procesi rishikimi gjashtë-javor. Lajmi u njoftua të hënën nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio. “Me 5200 kontratat tashmë të anuluara, janë shpenzuar dhjetëra miliarda dollarë në mënyra që jo vetëm nuk i kanë shërbyer, por në disa raste edhe kanë dëmtuar, interesat thelbësore kombëtare të Shteteve të Bashkuara”, shkruante Sekretari Rubio në një postim në llogarinë e tij personale në rrjetin social ‘X’.
Rreth 1,000 programet e mbetura, shkruante ai më tej, do të administrohen tashmë nga Departamenti i Shtetit “në mënyrë më efektive” dhe në konsultim me Kongresin. Pas marrjes zyrtarisht të detyrës më 20 janar Presidenti Donald Trump, urdhëroi menjëherë një pauzë 90-ditore të ndihmës për vendet e huaja duke e futur atë në një proces rishqyrtimi, për të parë nëse programet përputheshin me politikën e tij të jashtme “Amerika e Para”. Ky urdhër dhe të tjerë që e pasuan atë, çuan në ndalje të operacioneve të agjencisë në mbarë botën, krijuar kaos në përpjekjet globale për ndihmë humanitare. Administrata tha se vendimi për pezullim nuk prekte ndihmat që synojnë shpëtimin e jetëve, por sipas punonjësce humanitarë në mbarë botën fondet ishin bllokuar.
Mijëra punonjës të USAID-it u pezulluan, apo u pushuan nga puna, po kështu u ndërprenë kontrata. Shumica e atyre që janë pezulluar, nuk pritet të rikthehen në detyrë. Në postimin e tij diplomati i lartë amerikan falënderonte gjithashtu punonjësit e Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), që udhëhiqet nga biznesmeni miliarderi Elon Musk, i cili po redukton në mënyrë të pashembullt administratën federale.
“Falenderoj DOGE-in dhe personelin tonë, që ka punuan me orë të gjata për të arritur këtë reformë të vonuar dhe historike”, shkruante Sekretari Rubio. Në një reagim disa orë më vonë, zoti Musk shkruante: “E vështirë, por e nevojshme. Është kënaqësi të punoj me ju. Programe të rëndësishme të USAID-it duhet të kishin qenë gjithmonë nën varësinë e Departamentit të Shtetit”. Republikanët e kanë bërë gjerësisht të qartë se duan që ndihma për vendet e huaja të përfshijë një interpretim shumë më të ngushtë të interesave kombëtare amerikane.
Në fillim të këtij muaji, në një nga paditë e shumta lidhur me mbylljen e shpejtë të programeve të USAID-it, Departamenti i Shtetit, tha se po mbyllte më shumë se 90% të programeve të agjencisë. Por Sekretari Rubio nuk dha asnjë shpjegim se përse shifra që ai njoftoi sot ishte më e ulët. Mbyllja e një pjese të madhe të programeve të USAID-it, i jep fund një politike që zbatohej prej dekadash, sipas të cilës ndihma humanitare dhe ajo për zhvillim që u ofrohej vendeve të tjera, shihej si avancim i interesave kombëtare amerikane të lidhura me sigurinë, nëpërmjet stabilizimit të rajoneve dhe ekonomive të tyre, e duke forcuar aleancat.
Në javët pas urdhrit të Presidenti Trump, një nga të emëruarit e tij, Pete Marocco dhe zoti Musk, tërhoqën me mijëra punonjës të personelit të USAID-it nëpër botë nëpërmjet vendimesh për pezullim, apo shkarkimesh nga detyra, ndaljes brenda natës të pagesave, si dhe ndërprerjes së mijëra kontratave për ndihmë e zhvillim. Kontraktorët dhe punonjësit e programeve të ndryshme, nga kontrolli i epidemive, urisë, apo tek trajnimi mbi çështje që lidhen me demokracinë ndalën punën. Grupet e ndihmës dhe partnerë të tjerë të USAID-it pushuan nga puna me dhjetëra mijëra punonjës të tyre, si brenda Shteteve të Bashkuara ashtu edhe jashtë. Ndërkohë shumë punonjës e kontraktorë të USAID-it, si dhe familjarë të tyre, vazhdojnë të jenë ende jashtë vendit, në pritje të pagesave që mbulojnë shpenzimet për kthimin e tyre në Shtetet e Bashkuara. /VOA/
Burimi